Festat janë motivim. Sapo afrohen ditët e tyre, mendja po e po, por dhe vetë trupi percepton një tjetër ndjesi. Vëmendja fokusohet në angazhimin për t’u kujdesur në atë se çfarë do të jetë një alternativë e re ftuese për të dashurit. Në fakt, edhe pse festa si koncept ka të njëjtin perceptim, ka një dallim mes datave të tyre. Këtu e kam fjalën për festat e fundvitit.
Sapo hyn nëntori, afrimi me datat e shënuara, ngas mendjen të veprojë me një qasje që kërkon të përçojë më shumë dashuri. Rendja shkon pas personave që të bëjnë të ndihesh mirë çdo herë që je pranë tyre. Janë ata që diktojnë zemrën dhe të bëjnë ti kesh para syve, sepse vetëm kështu ndihesh edhe ti mirë. Koha me ta nuk është e mjaftueshme në ditët e plota të vitit. Ndoshta një kohë e vonuar për shkak të vetë etapave të jetës, ku ritmi frenetik të bën “të mëkatosh” padashur.
Mungesa jote vjen nga një pengesë jo e qëllimtë. E kjo është një arsye e matshme, e justifikueshme. Të parët janë të dashurit e zemrës, familjarët, ata që praninë tënde e çmojnë më shumë se gjithçka tjetër. E kështu festat motivojnë, ndezin adrenalinën, emocionojnë e bëjnë të gjesh kohën për të qenë i pranishëm në tryezat familjare apo me miqtë e zgjedhur. Në fund të fundit është gjithçka kemi si vlerë të çmuar të qenies sonë. Janë ata që na bëjnë të ndihemi, të jemi të vërtetë me veten, të duam dhe të jetësojmë atë që dikton jetët tona.
Është muaji i festave. Dhjetori. I fundit në renditjen kalendarike. Kapitulli i një vjeçari në mbyllje. Pa kthim. Sinjal i një rrotullimi të ri 360 gradë. E në pritje të rindezjes së motorëve në një vjeçar të ri, priremi besëtytnish ta shoqërojmë muajin me gjeste humane, dhurata fatsjellëse, gjithçka sinjifikon dashurinë e mbarësinë, përvijueshëm e bashkërisht me ata të cilëve ua adresojmë.
Janë kaq të bukura festat e fundvitit! Shumëkush e gjen veten të përfshirë emocionalisht në takimet e fundit për këtë vit, në “korrigjim” me mungesat e kryera përgjatë. Nuk ka kohë për të humbur: të ndahemi gëzueshëm për ta nisur mandej vitin mbarë. Urimet janë si ai fitili që nuk duhet shuar, deri në kapërcimin e viteve. Flaka e re duhet të mos shuhet, ndryshe nuk shkon.
Në jetë kalojmë sfida të vazhdueshme, ndoshta vetë jeta është përkufizim i plotë i tyre. Në sprovën e të ndjerit, të qenit, të realizuarit, të pranuarit, sfida e kapërcimit të gjithçkaje mbetet çelësi i vazhdimësisë. Ndaj edhe pse jeta nuk mund t’ju qeshë gjithmonë, përpiquni të mos ia mohoni gëzimin vetes. Pavarësisht çka fati ka rezervuar, përpiquni të gjeni kurajën, vullnetin, pozitiven edhe brenda të pamundurës. Vetëm atëherë do tejkaloni pragjet e sprovave e do të ndjeheni më të mirë me veten dhe për veten! Shijojeni muajin, dashurueshëm pranë zemrave të mbushura me motivin e të jetuarit.
Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 138
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.