Editorial

August 16, 2018 | 9:39

Nga Orjona Tresa / Të çmosh vlerat!

Kujtimet janë ato që të bëjnë të kuptosh rëndësinë e kohës dhe të njerëzve me të cilët ke ndarë etapat më të rëndësishme të jetës. Thënë më qartë, kujtimet janë ato që përbëjnë tërësinë e njeriut, veç qenies së tij fizike. Shumë rrugina, kryqëzime, kthina e gropa që dalin papritur në rrugëtimin individual, janë pa dyshim një shtrat i mirë për të mësuar më shumë nga jeta. Nuk është rastësia. Me siguri ato janë aty të projektuara për të të ndihmuar në formimin tënd gjithashtu, e të të skalisin mendërisht padyshim.

Orjona Tresa, gazetare

Orjona Tresa, gazetare

Në një analizim të thjeshtëzuar, për të kuptuar ata çka jemi sot, del se gjurmë të rëndësishme e të thella në kthinat e kujtesës, kanë lënë pikërisht ata: mësuesit. Janë pikërisht mësuesit, dijetarët tanë të parë, personalitete që mishërojnë kultivimin e individit të së nesërmes, së vetë ardhmërisë së një vendi. Merita, por dhe e kundërta e kësaj vlere, u takon pikërisht atyre, të cilët punojnë në krijimin e një brezi që dalin në jetë të formuar ose jo, të edukuar apo me probleme në sjellje, të kulturuar apo me mangësi, të një sistemi vlerash apo të atij antivlerë, bërthama e asaj që bën të funksionojë një shtet në të ardhmen.

E kalova nëpër mend gjithë këtë, si një rezyme të jetës, që gjithkush e bën në situata të caktuara, mbi të gjitha, atëherë kur e ka një përvojë vetjake e familjare, në punë, shoqëri e kudo gjetkë. Veç prindërve, që përcjellin edukatën dhe kulturën fillestare të fëmijët, por që dhe mund të mos e kenë këtë aftësi, janë mësuesit, të parët e formimit arsimor, janë sipari i asaj “loje” ku pazëllat e shpërndarë, duhen mbledhur bashkë për të formuar figurën e duhur, atë të njeriut.

E nëse do ta kërkojmë gjithëherët një alternativë më të mirë për shoqërinë e së nesërmes, shpresat duhet t’i mbajmë tek ata. Për rrjedhojë, fokusi dhe investimi për figurat e qëndrueshme të së ardhmes në drejtimin e vendit duhet të nisë pikërisht me ata. Unë jam vetë nënë, me dy fëmijë që janë në rrugë e sipër të arsimimit. E kuptoj këtë raport shumë mirë. Madje dy herë më shumë në një marrëdhënie që më shoqëron prej 9 vitesh. E them e vazhdoj ta them se mësuesi mbetet figura qendrore, primare për ndërtimin e sedërzimin e një individi për të ardhmen. 

Pa punuar mbi këtë rol thelbësor, nuk mund të pretendojmë një shoqëri më të mirë e të përparuar të nesërmen. Të birtë e shekullit të ri do të na gjykojnë për këtë. Ashtu sikundër, brezat e formuar në dy dekadat e fundit, të cilët reflektojnë pasojat e një sistemi të shpluralizuar, të dëmtuar keqazi nga padija, keqpërdorimi i kultit të mësimdhënësit, nga keqformimi prej abuzimit për një diplomë mësuesi, nga mungesa e meritokracisë për të fituar një rol të shenjtë siç është Mësuesia.

E në këtë rrugënajë me kthesa e të përpjeta vështirësish, shpresa se ndryshimi do të trokasë një ditë, mbetet e fundit. Mësuesit kanë një armë të fuqishme në dorë, dijen, të cilën duhet ta shfrytëzojnë në dobi të shoqërisë, për t’i bërë njerëzit e së ardhmes më të edukuar e me kulturë, të denjë për pozicionet që zgjedhin në jetë.

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 129

To Top

Powered by themekiller.com anime4online.com animextoon.com apk4phone.com tengag.com moviekillers.com