Rrallëherë gjejmë personalitete që e kanë jetuar jetën si një projekt të ndërgjegjshëm në shërbim të kombit. Akademiku Rexhep Qosja është një nga ata të rrallët njerëz që mund të quhen me të drejtë “rilindas i vonë”, sepse ai e vazhdoi misionin e Rilindjes Kombëtare Shqiptare në një kohë tjetër, me mjete të tjera, por me të njëjtin përkushtim të palëkundur.

Ai ndërtoi një univers të tërë të mendimit estetik mbi letërsinë, historinë, identitetin dhe fatin e shqiptarëve, duke u bërë një zë kritik, shpesh i pakompromis ndaj deformimeve të së vërtetës dhe padrejtësive shoqërore.
Në një realitet ku shumë intelektualë zgjodhën heshtjen, dorëzimin, servilizmin dhe konformizmin me të keqen për të ardhmen e kombit, Qosja zgjodhi të vërtetën – edhe kur ajo kishte kosto.
Jeta e tij është një dëshmi e qartë se dinjiteti nuk është thjesht një virtyt abstrakt, por një mënyrë konkrete jetese.
Ai jetoi me thjeshtësi, larg zhurmës dhe bujës së projektorëve dhe gazetave, larg klaneve dhe privilegjeve që shpesh u ofrohen figurave publike.
Nuk u bë kurrë pjesë e pazareve politike, nuk e shiti kurrë mendimin e tij dhe nuk e përdori autoritetin e tij të pacënueshëm për përfitime personale.
Në këtë kuptim, ai mbeti deri në fund të jetës gjithmonë një intelektual i lirë – një njeri që nuk i përkiste askujt përveç së vërtetës dhe ndërgjegjes së tij.
Letra e fundit që ai i la nipit të tij nuk është thjesht një porosi familjare, por një manifest etik dhe moral e shkallës më të epërme e karakterit dhe dinjitetit njerëzor.
Në të, profesori i madh Rexhep Qosja kërkoi që varrimi i tij të zhvillohej pa rite fetare dhe pa ceremoni zyrtare. Dhe kështu u bë. Amaneti i tij u respektua.
Ky qëndrim nuk është rastësor, por një vazhdim logjik i të gjithë jetës së tij të kristaltë, e ndërtuar mbi besimin në arsyen, në mendimin shkencor dhe në zhvillimin shpirtëror që buron prej dijes, jo prej dogmës.
Refuzimi i ceremonive madhështore dhe i pranisë së institucioneve politike është një akt i qartë distancimi nga hipokrizia publike, falsiteti vanitoz dhe instrumentalizimi i vdekjes për interesa të pushtetit.
Në këtë mënyrë, edhe në fundin e jetës, ai mbeti konsekuent me veten – duke mos lejuar që figura e tij të përdorej si dekor për ata që ai i kishte kritikuar për gjatë gjithë jetës.
Amaneti i tij është një thirrje e fortë për reflektim. Ai i drejtohet jo vetëm familjes, por mbarë shoqërisë, me një apel për të ruajtur integritetin, për të mos lejuar banalizimin e figurave të mëdha dhe për të refuzuar spektaklin e rremë që shpesh ndërtohet mbi vdekjen e personaliteteve të ndritura kombëtare.
Në një kohë kur vlerat shpesh relativizohen dhe kur figurat publike përdoren si mjete propagande, shembulli i Rexhep Qosjes qëndron si një standard i lartë moral.
Ai na kujton se njeriu duhet të jetë i vërtetë me veten, të mos e shesë ndërgjegjen dhe të mos i nënshtrohet asnjë forme presioni që cenon dinjitetin e tij.
Figura e tij padyshim mbetet një pikë referimi për brezat që vijnë, ngase nuk la pas vetëm mbi 30 libra në letërsi e studime, por një model jetese dhe një mënyrë të të qenit intelektual në kuptimin më të plotë të fjalës.
Në një shoqëri që ka nevojë për orientim moral dhe intelektual, trashëgimia e akademikut Rexhep Qosja është një busull e çmuar që na mëson se madhështia nuk qëndron në pompozitet, por në përmbajtje. Nuk qëndron as në fjalë të mëdha, por në qëndrime të drejta.
Rexhep Qosja, padyshim, ishte dhe mbetet një ndër figurat më të ndritura të kulturës mbarëshqiptare – një mendimtar që jetoi me dinjitet dhe u largua po me të njëjtin dinjitet.
Amaneti i tij është një testament i rrallë moral, një mësim i thjeshtë, por i thellë: të jetosh me të vërtetën dhe të largohesh pa bujë, duke lënë pas një jetë dhe një vepër që flet vetë.
Ai na la jo vetëm një kujtim të vyer, por edhe një standard që e shohim rrallë te njerëzit e mëdhenj, një masë me të cilën do të duhej të matin veten të gjithë ata që pretendojnë t’i shërbejnë kombit dhe kulturës.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

