Marrëdhënie

March 30, 2018 | 13:50

Nga Reti Duka / Sekreti i lumturisë në hapat e parë të lidhjes

Kur dashurohesh askush nuk mendon në vazhdimësinë e lidhjes. Në këto momente, të dashuruarit gjenden në qiellin e shtatë. Jeta është e bukur, lidhja është aq romantike dhe e bukur, sa vetëm yjet shkëlqejnë në qiell dhe bota përreth nuk ekziston. Gjithçka ndodh, përjetohet si një ëndërr. Me një fjalë, po ndodh gjithçka si në përrallë.

Reti Duka, punonjëse Sociale, Graz, Austri

Reti Duka, punonjëse Sociale, Graz, Austri

Askush nuk mendon në hapat e para të lidhjes për lumturinë në vazhdimësi. Dhe nuk ka si të ndodhë ndryshe, sepse është fillimi i dashurisë. Dashuria është ndjenjë, ndjenjat janë emocione. Në një gjendje emocionale, nuk ka se si të funksionojë logjika, nacionaliteti (Ratio). Por, praktika ka treguar që, me gjithë mrekullitë e fillimit të një lidhjeje, me gjithë mrekullinë e dashurisë si ndjenjë, ka edhe rreziqe që në shumicën e rasteve mund të dështojë vazhdimësia e lidhjes.

Në fund të fundit pas momenteve të para krejtësisht emocionale fillon njohja me njëri-tjetrin. Një gabim i vogël dhe partneri keqkupton partneren dhe anasjelltas. Kjo për arsye sepse, në muajt e parë të lidhjes mungon bazamenti, i cili me kalimin e kohës bëhet baza e lidhjes. Fillon pasiguria dhe skepticizmi, ankthi: A është ky apo ajo partneri im i duhur?! Fillojnë të shfaqen shenja të mosbesimit si: dëshira e parakohshme për të jetuar bashkë, prezantimi me prindërit, të afërmit, planet për krijimin e familjes, e shumë dilema të kësaj natyre.

Këto lloj dilemash janë më të theksuara te femrat. Pasi kapërcehet faza e fillimit e të qenit e dashuruar, gjendja emocionale fillon të stabilizohet, të flejë dhe njerëzit fillojnë të mendojnë racionalisht. Pra, prioritet ka logjika mbi emocionet. Kurse meshkujt nga vetë natyra psikologjike, fillojnë të anashkalojnë marrjen e përgjegjësive. Mbi të gjitha është shumë herët në fillim të lidhjes të vënë logjikën mbi emocionet apo rehatinë e lidhjes, kënaqësinë, moskokëçarjen e të tjera telashe të kësaj natyre.

Në fazën e parë të lidhjes, leximi i dëshirës me sy, leximi i buzëve shoqërohet me dilemat e brendshme, të cilat po të shprehen saktësisht, shkaktojnë konfuzion te partneri apo partnerja për arsye të shpejtësisë. Të mos harrojmë që, jeni në fillim të lidhjes suaj. Në fakt, për të gjithë ata që nuk e dinë, në psikologji ka gjithmonë disa mënyra, rregulla apo këshilla për çdo marrëdhënie njerëzore, në rastin tonë, për një lidhje të lumtur që në hapat e parë të saj. Sa absurd tingëllon, aq e vërtetë është. Sidomos në fillim të lidhjes, këto këshilla janë si një dhuratë e mrekullueshme.

Njihuni me këshillat për vazhdimësinë dhe mbi të gjitha, lumturinë e lidhjes suaj që në hapat e para të fillimit të saj:

  1. Jini të natyrshëm

Në fillim të lidhjes jini të natyrshëm, pasi në fazën e njohjes me partnerin nuk bisedohet për planet për të ardhmen. Nëse ju që në këtë fazë e hapni bisedën në mënyrë direkte me pyetjet si: “ku do të jetojmë”, “kur do të martohemi”, “kur do të të më njohësh me prindërit e tu”, është e gabuar, sepse e fusni partnerin nën trysni psikologjike pa qenë aspak e nevojshme. Në këtë fazë, kur keni këto mendime (të cilat vijnë automatikisht te çdo person në një lidhje, pra janë të paevitueshme) vendosni prioritet: Shijoni njëherë lumturinë e të qenit dy!

Në këtë fazë mund të trajtoni tema të ndryshme serioze mbi shoqërinë që ka gjithsecili prej jush apo për të marrë njohuri mbi familjet e gjithsecilit prej jush. Përdorini këto tema bisedimi, komunikimi, si testim për të njohur edhe atë çfarë është më e rëndësishme për lidhjen tuaj të lumtur, studimin e karakterit të njëri-tjetrit. Natyrisht që për këto tema të rëndësishme dhe esenciale për një lidhje jo vetëm të lumtur, por edhe serioze, të fortë, të qëndrueshme janë shumë të rëndësishme, por në muajt e parë të lidhjes nuk është koha e duhur.

Ju do ta ndjeni vet, pasi t’u jenë larguar “Fluturat në stomak”, kohën e përshtatshme për hapjen e këtyre temave tejet të rëndësishme për lidhjen tuaj. Që do të thotë, deri atëherë shijoni “Fluturat”, momentet magjike që ndjen çdo çift i dashuruar në fillim të lidhjes. Thjesht ndjeheni!

  1. Mos jini xhelozë për ish-in!

Mund të ndodhë që me kalimin e kohës, pasi ka kaluar faza e të qenit vetëm të dy (mëse e kuptueshme) ndodh që në një festë, ditëlindje me shoqërinë tuaj apo kur të jeni në ndonjë bar, në një restorant të dy, krejt rastësisht shfaqet dhe përpara jush qëndron ish-i juaj apo ish-partneri/partnerja. Në shumë raste ai/ajo kanë ende kontakt dhe përshëndeten. E gjithë kjo skenë (edhe pse është vetëm një përshëndetje) në pamje të parë duket shumë intime. Duket intime sepse mos harroni në të shkuarën ka qënë një histori intime dhe psikologjikisht nuk mund të transmentohet ndryshe. Ju explodoni nga xhelozia.

Në ketë rast këshillohet: Mos tregoni pasiguri dhe xhelozi! Mos krijoni skena të tilla apo të kërkoni nga partneri/partnerja që të ndërprese menjehrë kontaktin sepse ashtu dëshironi ju. Nëse ju keni problem me xhelozinë, atëhere bisedoni me partnerin/partneren tuaj me qetësi dhe pa shkaktuar skena dramatike. Në radhë të parë krijoni besim që ai/ ajo ju dashuron ju në vend që të tregoni xhelozinë tuaj apo të reagoni me agresivitet apo me inat. Ky rol nuk ju përshtatet gjatë gjithë kohës se lidhjes e jo më që në hapat e parë të saj.

  1. Prezantimi më familjarët dhe të afërmit

Në këtë fazë të lumturisë që shfaqet në të gjithë gjestikën e qenies suaj (sepse të dashuruarit dallohen për syrin e të afërmve apo familjes se ngushtë kilometra larg) ndodh shpesh që ata të bëjnë pyetje thjesht nga kureshtja si: “kush është ai/ajo”, “si duket nga pamja e jashtme”, “ku banon”, “çfarë familje ka”, “çfarë ka studiuar” etj. Këto pyetje nuk janë thjesht kureshtare, por janë njerëzore, të kuptueshme sidomos për anëtarët e familjes.

Periudha e prezantimit duhet të ndodhë në radhë të parë kur ju ndjeheni të sigurtë, kur e njihni njëri-tjetrin dhe jeni të mendimit se është njeriu me të cilin dëshironi të kaloni jetën. Për këtë dëshirë tuajën, në fillim të lidhjes përdorni komunikimin duke shtruar pyetjen në këtë mënyrë: “Dëshiron të njihesh me familjen time” apo “kur dëshiron të njohësh familjen time?”

  1. Pasionet

Të gjithë njerëzit duke pasur karaktere të ndryshme kanë edhe dëshira të ndryshme. Si p.sh. njërit i pëlqen muzika, tjetrit sporti, njëri dëshiron filmat romantikë, kurse tjetrit i pëlqejnë filmat thriller e shumë gjëra të kësaj natyre. Në këtë aspekt, për të pasur një lidhje të lumtur duhet të mbizotërojë KOMPROMISI! Është tejet e rëndësishme. Që do të thotë, në kësi situatash në asnjë mënyrë nuk duhet t’i thuhet partnerit “Mua nuk më pëlqen pasioni yt”! Mos harroni që, jeni në fillim të lidhjes. Këto janë tema të ndjeshme që duhet të konsumohen me kalimin e një periudhe më të gjatë. Në të kundërt shkaktojnë pasiguri, konfuzion te partneri. Në gjuhën e psikologjisë këto lloj temash quhen tema të nxehta, prandaj këshillohet të jeni i ndjeshëm!

  1. Pa makiazh në mëngjes

Dihet që, pasi keni kaluar natën e parë bashkë femra zgjohet në mëngjes pa makiazh dhe futet në ankth psikologjik duke menduar “çfarë do të thotë për pamjen time pa makiazh, si do t’o dukem, a do t’i pëlqej pamja ime natyrale etj. Në këtë rast këshillohet të jeni autentike dhe pa komplekse për pamjen e jashtme.

  1. Aktivitete të ndryshme me shoqërinë

Në fillim të lidhjes shumica e çifteve preferojnë ta kalojnë kohën me njëri-tjetrin. E kuptueshme pasi janë në fillim të lidhjes. Është paksa e gabuar, sepse siç thuhet edhe në gjuhën popullore: “Fillimi i mbarë, gjysma e punës”, kurse e studiuar nga shkenca e psikologjisë do të thotë, të krijosh zakone, rituale të cilat me kalimin e viteve nuk mund të pranohen lehtë nga partneri. Prandaj, edhe pse jeni tërësisht të lumtur, edhe pse lidhja juaj është në hapat e para, mos u tërhiqni nga aktivitetet që keni ushtruar para lidhjes!

  1. Etiketimi apo si ta quaj këtë lidhje?

Pas një periudhe jo shumë të gjatë kohore, pas kalimit të fazës i të qenit tërësisht i/e dashuruar, lind natyrshëm pyetja nga ana e të dy partnerëve në lidhje: “Si ta quaj këtë lidhje”, “çfarë emri t’i vë lidhjes sime edhe pse jemi shumë të lumtur me njëri-tjetrin”, “a jam në një lidhje?”. Pyetje të kësaj natyre këshillohen të bëhen në një komunikim tejet të besueshëm, kur ndjeheni që jeni bërë për njëri-tjetrin dhe mbi të gjitha, secili ka ndjesinë personale duke i thënë vetes: “Nuk dua ta humbas këtë lidhje”. Por dilema “a ndjehet dhe partneri si unë”, “si ta di se çfarë mendon ai”, “a kemi një lidhje edhe pse jemi shumë të lumtur?”, këto pyetje mund t’i zgjidhni vetëm duke komunikuar, në këtë rast në mënyrë direkte. Shtroni pyetjen te partneri: “A jemi në një lidhje?”

  1. Mos ndryshoni zakonet

Nuk ka vlerë të ndryshoni ritualet e mëparshme vetëm sepse ua kërkon partneri apo sepse dëshironi të jeni gjithë kohën e lirë bashkë. Mund t’i reduktoni, por jo t’i eliminoni për hir të tij. Këtu nuk bëhet fjalë për vese të këqija që dëmtojnë shëndetin, fizikun, si pirja e duhanit apo alkoolit e të tjera të kësaj natyre. Sigurisht që këto lloj vesesh duhen eliminuar me apo pa një lidhje.

  1. Katër muret

Në fillim të lidhjes si gjithmonë, edhe pse keni ndjesinë e të qenit të lumtur, nuk mund të qëndroni dot asnjë minutë pa praninë e partnerit, mos shtroni pyetjen e të jetuarit bashkë në një shtëpi apo banesë tuajën. Arsyeja është shumë e thjeshtë: Duhet kohë për të ndërmarrë një vendim të tillë.

  1. Bëni dallimin mes anës emocionale dhe asaj kognitive

Dashuria përjetohet si ndjenjë, sepse e tillë është, kurse lidhja juaj bëhet e lumtur që në hapat e parë, kur vendimet merren logjikisht. E në fund të fundit, nëse merrni parasysh këto këshilla, lidhja juaj do të jetë e lumtur që në hapat e para. Dhe kur një lidhje është e lumtur që në fillimet e saj, atëherë “Fillimi i mbarë është gjysma e punës”!

Nëpërmjet këtij shkrimi ju uroj të gjithëtë dashuruarve, një lidhje të lumtur që në hapat e para!

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 122

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top