Marrëdhënie

March 30, 2018 | 13:58

Gjuha e trupit në verë

Vera ka mbërritur dhe shumë prej nesh po përgatiten për të njohur njerëz të rinj, sepse e konsiderojmë verën si një mundësi e lumtur për të bërë njohje të reja. Çfarë mund të bëjmë për të shprehur siguri? Vera është prej shumë prej nesh rast shumë i mirë për të hequr prizën nga rutina dhe për të bërë miqësi të reja, ndonjëherë përfaqëson një moment për të filluar rrugën e harresës së përvojave të vjetra. Por shpesh ndodh që nuk dimë se ç’të bëjmë për të luftuar ankthin, kështu nga frika për të tentuar, mbetemi të mënjanuar, duke lënë rastet e arta të na ikin për duarsh.

Ndonjëherë është pikërisht ndrojtja që kemi, ajo e cila na bllokon. Duhet të punojmë në dy fronte: zotësinë e komunikimit personal dhe përsosja e gjuhës së trupit tonë. Gjithçka nis nga ne. Përshtypja e parë kushtëzon kontaktin e parë. Çastet e para përcaktojnë vazhdimësinë e njohjes.

Si të lini përshtypje të mirë që herën e parë

Para së gjithash, duhet të shihni sjelljen tuaj. Me këtë nënkuptoj qëndrimin: qëndroni drejt, por jo si ushtarët kur bëjnë ‘gatitu’. Është e mjaftueshme të mbani shpatullat drejt dhe trupin pa e kontraktuar. Ndërsa këmbët duhet t’i mbani drejt.

Duart

Duart duhet të shoqërojnë në mënyrë të natyrshme fjalët. Ama kujdes, duke qenë se për secilin prej nesh duart përfaqësojnë një pengesë të bezdisshme, kështu që, ose i ulim drejt këmbëve, ose i kryqëzojmë. Në fakt, duart duhet t’i përdorim për t’i dhënë forcë dhe entuziazëm fjalëve që themi.

Sytë

Ndonjëherë, a krijon siklet shikimi në sy? A mund të dozohet në njëfarë mënyre shikimi? Ajo që vë në siklet është të mbash shikimin të fiksuar në sytë e tjetrit, dhe nëse shtojmë dhe ngurtësinë e shprehive, krijojmë siklet te personi tjetër, i cili do të ndihet sikur është nën hetim dhe do të dojë të largohet sa më parë. Mjafton të ngremë fare pak anët e buzëve drejt personit që duam të njohim, sa për të ndezur një buzëqeshje të lehtë dhe ja ku shikimi shtendoset dhe ai nuk do të ndihet më në siklet.

E folura

Besoni se mënyra se si flasim mund të ndikojë tek të tjerët? Pra, të ndezë tek një person i caktuar dëshirën që të dëshirojë të njihet me ne? Në fakt, psikologët mendojnë se është shumë thelbësore mënyra se si flasim. Zëri dhe mënyra se si e përdorim kushtëzon marrëdhënien. Zëri është ai që e bën të këndshme dhe tërheqëse diçka që themi. Duhet të mësojmë të përdorim në mënyrë të vetëdijshme ritmin e fjalëve tona. Nëse arrijmë t’i japim theksin e duhur bisedës sonë, personi që sapo kemi takuar do të jetë më i stimuluar dhe i përfshirë të vazhdojë bashkëbisedimin.

Gjuha e trupit ka pjesën e vet në procesin e joshjes dhe të krijimit të miqësive të reja në përgjithësi. Nëse bëjmë kujdes se si flasim dhe se si lëvizim mund të dukemi më të sigurt e të vendosur. Trupi dhe fjalët së bashku përfaqësojnë manifestimin fizik të vetëbesimit, ose më mire të themi: të asaj “gjendjeje shpirtërore”, e cila shpreh aftësinë për të besuar te vetja, në aftësitë tona, të mësojmë të pranojmë limitet dhe defektet e ndoshta duke u munduar me veprime për t’i përmirësuar ato. Kjo lloj gjendjeje shpirtërore shfaq shëndetin psikologjik: ankthi nuk na tremb, sepse momentet e vështirësisë duhen përballuar dhe nuk duhen evituar. Vetëbesimi, siguria dhe vendosmëria shprehen me trupin që bën lëvizje harmonike dhe të qeta. Madje, sa më shumë ndihemi të sigurt e të qetë, aq më shumë do të mund të mposhtim ankthin dhe frikën.

Përgatiti: Manjola Ereqi / Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 122

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top