Dëshmi

March 30, 2018 | 13:34

Enida Bozheku: Koha është, të jesh!

 

Koha për të është aleatja më e mirë në angazhimet për jetën, ku mes hapësirash kanë vendin e tyre familja, miqësitë, aspekti profesional dhe padyshim pasionet. Me pak fjalë, një shfrytëzuese e mirë e kohës, do ta identifikonte Enida Bozheku vet qenien e saj. Një avokate skrupuloze, pedagoge kërkuese dhe ambicioze, Enida, nocionin për kohën e sheh në kuadrin e të menaxhuarit në mënyrë të atillë, që të bëj sa më shumë të jetë e mundur në një kohë sa më të shkurtër. Përgjithësisht e prirur ta zërë kohën me gjithçka që mund ta plotësojë, duke i dhënë dhe vetë asaj një kuptim.

Ne jemi padronë të kohës, e cila na rrëshqet, e nuk arrijmë ta kontrollojmë, e cila nuk kalon kurrë kur jemi të mërzitur, e që nuk arrijmë ta ndalim për të paktën një çast kur jemi duke bërë diçka të rëndësishme. Çfarë është koha në vlerësimin tuaj?

Me lejo ta nis këtë bashkëbisedim duke cituar Shën Agustinin: “Nëse më pyet, e di, nëse do të më duhej ta përcaktoja, nuk di asgjë mbi të”. Koha për mendimin tim është ekzistenca jonë, përjetimi i shprehur në çdo nano-sekondë e në çdo frymëmarrje tonën. Kohën do ta përkufizoja si oazin e të shkuarës, përplasjen e qerpikëve në të tashmen dhe një buzëqeshje shprese për të ardhmen. Për mua, për ta thënë me Heidegger, është të jesh! Koha është shqisa e 7 përbërësve të qenies sonë karshi 6 shqisave të tjera. Bashkudhëtare e ngushtë me intuitën dhe prijëse e 5 shqisave të tjera.

Rrugëtimi juaj e ka plotësuar kohën në të gjitha sekondat e saj?

Gjatë fëmijërisë, koha ishte një moment që pasqyronte buzëqeshjen ëndërrimtare me atë nxitimin tipik të moshës, që uronte që koha të ikte shpejt për t’u bërë grua dhe ndjerë e rritur, në moshën e rinisë së parë; koha ishte momenti kur po kuptoja se ajo kish nisur të merrte trajtat e një organizimi të përgjegjshëm të vetëdijes dhe dëshirave në funksion të së ardhmes, ku më pas do të shndërrohej në domosdoshmëri për ta thyer dhe vënë poshtë atë (kujtoj periudhën universitare, kur koha gjatë fazës së provimeve fluturonte dhe orët e tëra në bibliotekë nuk ishin kurrë të mjaftueshme); në moshën e pjekurisë dhe vazhdim, koha shpeshherë ka qenë aleati më i mirë, por edhe makthi i të mos qenit e mjaftueshme.

Në aspektin profesional, koha ka qenë dhe vazhdon të jetë mikja dhe armikja ime; mike për momentin, kur duhet të ulem dhe punoj; armike, pasi papritur e kuptuar ajo ka lëvizur aq shpejt sa të jep ndjesinë se, tashmë je vonë. Familja, për këtë ka gjithnjë kohë, sepse ajo është e pranishme në mendje dhe shpirt, por për frenetizmin e jetës dhe impenjimet e punës, e lë, me raste edhe në harresë, me idenë e gabuar që, ajo është përherë aty, për mua. Ndoshta, kjo është dhe thembra ime e Akilit! Edhe pse e di që ka kohë, në momente reflektimi, kuptoj që një ditë ajo s’do të jetë e mjaftueshme për familjen, por pavarësisht kësaj, rutina e jetës më përthith më tepër energji dhe kohë.

Shoqëria, gazi dhe emocioni, shtytja dhe ambicia! Koha për të s’duhet të mungojë kurrë, në asnjë sekondë. Mendoj që shoqëria edhe pse për arsye objektive, jo përherë e frekuentoj siç do të doja, në ato pak minuta, ato pak orë që koha ma lejon të jem me ta, çlodhem dhe qesh pa fund. Shoqëria është një nga shtyllat e mirëjetesës sime, është e rëndësishme qoftë në realizim material, pra kur takohem me miqësinë, qoftë në një telefonatë: si je. Për mua koha e një mendimi qoftë edhe përshëndetës, është vlera më e çmuar që mund të jap dhe marr nga shoqëria. Është koha që më kushtohet dhe kushtoj, qoftë për pak sekonda respekti që kemi ndaj njëri-tjetrit.

Për sa i përket kohës në kuptim personal absolut dhe plotësimit të saj, mund të them me plot bindje se librat kanë qenë aleatët dhe miqtë e mi më të mirë. Ndoshta edhe më të privilegjuarit, duke qenë se i trajtoj me shumë dashuri dhe respekt sikur miqësinë dhe njerëzit që kam pranë. Librat, siç kam qejf t’i përkufizoj mes miqsh, për mua janë dashnorët e kohërave që nuk të tradhtojnë kurrë, lëndojnë apo zbrazin; ato japin ngrohtësinë e kohës së, ndalin të tashmen dhe të bëjnë të hysh në të ardhmen pa e kuptuar.

Pa to nuk do di si do mund të plotësoja kohën apo ta vrisja atë në raste jo përherë të hareshme. Librat filozofikë, artistikë, socio-politikë, përtej atyre bashkudhëtare juridikë, kanë qenë, janë dhe do të jenë për mua, dashuria e pakompromis, porsi e një nëne ndaj krijesës së saj.

Ka pasur raste kur ju është dashur ta shtynit kohën për të kaluar një vështirësi, si e keni menaxhuar atë?

Kushdo në rrugëtimin e jetës ka pasur çaste të tilla, ku koha shndërrohej në armik, pasi tik-tak-et e saj ishin aq të ngadalta sa dukej sikur do të tërhiqnin në honin e ferrit. Edhe mua, si kujtdo prej nesh që jeton në kohë dhe me kohën, momentet e vështira kanë qenë të pranishme dhe, jo rrallëherë me doza të larta mërzie.

Nga ana tjetër ama, pikërisht në këto çaste, aleati më i fortë i imi për t’i përballuar, ka qenë vullneti karakterial, ajo forca e brendshme që të detyron të aktivizosh çdo qelizë dhe të jep forcë të bëhesh ti zotëruese e kohës, duke e mposhtur me pozitivitet, me autosugjestion, duke folur me familjarët e ngushtë dhe buzëqeshur me shoqërinë e vërtetë.

Personalisht, për shkak të profesionit dhe angazhimeve, shumë herë përtej kohe, më është dashur të luftoj me vetminë dhe kjo bashkë me kohën në raste vështirësish, më është shndërruar në burim energjie pozitive. Jam e bindur dhe për këtë mendoj se ia kam arritur deri diku që, nëse kontrollon kohën me vetëbesim, ajo të kthehet në mike dhe punon me ty dhe për ty. Nëse e trajton atë me negativitet dhe me dorëzim ndaj vështirësive, koha kthehet në padronin tënd, e cila të nënshtron në kthetra paralize dhe të fut në labirinte mërzie.

Drejtësia është një dimension që kohën e do pa kursim. Si e keni shfrytëzuar ju atë?

Mendoj që t’i përkushtohesh së drejtës dhe drejtësisë, është prirje dhe nëse kërkon ta bësh atë në maksimumin e mundshëm, duhet çdo sekondë, çdo moment të lirë t’ia dedikosh asaj. Në rastin tim, falë gërshetimit të avokatisë me pedagogjinë, koha duket të më jetë më relativisht mike, pasi për arsye përditësimi te njëra, efekti pozitiv reflektohet edhe tek tjetra.

Le të themi që, në simbiozën mes të qenit profesionist dhe pedagoge, studiuese e praktikës ligjore dhe mësuese e teorisë juridike, qëllon të shndërrohem çdo ditë në studente, ku harku kohor që i vë në dispozicion profesionit është absolutisht i madh. Nga këtu, shfrytëzimi është simbiotik, mes një studimi dhe përpilimi aktesh juridike, thelloj dhe njohjen e institutit mësimdhënës e ku çdo moment është i dobishëm për të marrë si perceptimet nga bota jashtë, ashtu dhe përpunimin që i bëj atyre në hapësirën time të brendshme për t’i rifutur më pas në sistemin dual kohë=jetë.

Me fjalë të tjera, për mua, çdo moment është i mirë për t’u informuar (pra shfrytëzoj kohën), qoftë kjo në sajë të studimit konstant, qoftë në sajë të bashkëbisedimeve me familjarë, miq e kolegë.

Nga mënyra se si e përdorim kohën, bëhemi më shumë përgjegjës. Si qëndron te ju ky pohim?

Koha, për vet faktin se na shoqëron në etapat e jetës, sa më shumë kalon, aq më shumë shndërrohet në qenësinë e ndërgjegjësimit, se të duhet të bësh më shumë. Personalisht, me ndërveprimin social, me ritmin frenetik të punës, me dëshirën për të shfrytëzuar kohën, për të qenë sa më perfekte në profesion e sa më shumë pranë njerëzve që dua dhe ndjekjes së pasioneve të mija, çdo ditë që ikën është një ndërgjegjësim dhe reflektim për çdo veprim që kam kryer apo mos veprim që qëllimisht kam lënë në harresë.

Koha sipas mendimit tim, si perceptim personal, e lidhur me ambiciet, aspiratat, botëkuptimin dhe ambientin social ku jetoj, më është shndërruar herë në gjykatëse, herë më është bërë nënë, e herë më pak, kjo më është shndërruar në një barrë ekzistenciale, e fshehur pas porte, e aftë të më shtypë në momentin kur unë s’do t’i jap më vlerë asaj.

Mendoj që, në kohë, jam bërë më e përgjegjshme për veprimet e mija, kam reflektuar nga gabimet me qëllim që, po në kohë, t’i korrigjoj ato. Me përvojën dhe me vitet që ikin pa u kuptuar, kam mësuar të respektoj kohën, pasi është e vetmja që nuk kemi mundësi ta kthejmë mbrapsht dhe të ringremë jetën tonë.

Jeni ju një shpenzuese e mirëfilltë e kohës, apo je bujare me të?

Përgjithësisht mendoj që jam një shfrytëzuese e mirë e kohës. Kam tendencën të mos them: “Nuk kam kohë” edhe pse shpeshherë ndodh që vërtet të mos ta kem, por mund të them që kohën kam dëshirë ta menaxhoj në mënyrë të tillë që të bëj sa më shumë të jetë e mundur në një kohë sa më të shkurtër. Përgjithësisht jam e prirur ta zë kohën me gjithçka që mund të më plotësojë, ideja që ta vras atë kot, duke mos bërë asgjë, më qëndron ngushtë dhe, si pasojë, mundohem të bëj gjithçka që të mund t’i jap asaj një kuptim.

Ky plotësim mund të jetë lexim i një libri, një telefonatë familjes, miqësisë, një shkëmbim batutash në rrjetet sociale, një shëtitje të gjatë, palestër a kinema, pra gjithçka që mund të jetë çlodhëse, por njëkohësisht e dobishme. Në formimin tim, lajtmotivi udhëheqës është: sa më shumë impenjime profesionale, shoqërore, akademike, familjare, të përqendruara në harkun kohor të dhënë (gjatë një ditë-nate) aq më shumë dëshirë kam që të bëj. Le të themi që, e quaj kohën një stimul për të bërë më shumë, ndoshta nga frika se ajo kalon shumë shpejt dhe që unë nuk kam fuqi ta ndal atë.

Pengje nga koha e ikur dhe pritshmëri nga ajo që do të vijë?

Nëse do të mundja ta ktheja kohën mbrapsht, ndoshta disa zgjidhje dhe zgjedhje nuk do t’i kisha bërë, ose më saktë, nuk do të kisha humbur aq kohë për të bërë gjëra të pavlefshme, kur mund ta investoja kohën time në dobi dhe funksion të disa të tjerave, por nga ana tjetër, duke ditur që koha është e dhënë për secilin nga ne dhe veç ne mund ta menaxhojmë dhe t’i japim kuptim asaj, mendoj që me marrjen mbi supe të përgjegjësive ndaj vetes së pari, koha ende ka “për të ardhur”, ku uroj dhe shpresoj të ketë vend ende, për t’i treguar asaj që e meritoje.

Për pjesën e kohës së ikur, mendoj që ka qenë ajo çka më ka bërë të jem kështu sot, të kem një të kaluar të ndërtuar mbi vlerat e punës, sakrificës dhe respektit për çdo moment që ikën e nuk kthehet më. Koha më ka dhënë forcën dhe vetëdijen për të kuptuar nëse duhet të bëj diçka që për mua ka vlerë dhe që më plotëson, duhet ta bëj tani, e jo të pres që koha të iki e të më lërë, atëherë do të jetë vonë. Për kohën që do të vijë, mundohem të jetoj të tashmen, duke nxjerrë mësimet nga e kaluara dhe duke e shfrytëzuar kohën në funksion të së ardhmes.

Sot kam vullnetin, ambicien, formimin, e mendoj të jem mjaftueshëm edhe e ndërgjegjësuar dhe përgjegjësuar për të kuptuar që koha është flori. Si e tillë, uroj që ajo të vazhdojë të më japë dëshirën dhe forcën për ta shfrytëzuar në çdo fushë të jetës, pa u ndalur e pa thënë kurrë u lodha apo “hë se ka kohë”!.

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 122

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top