Kur komercializmi eklipson mendjet tona, kur dukja vlen më shumë se qenia, nuk është habi që reflektimi në pasqyrë, nuk është më i kënaqshëm. Nuk është habi që kur takojmë njëri-tjetrin, ngjyrat e make up-it ngatërrohen nëpër faqet tona. E janë të lodhshme peripecitë për të arritur perfeksionin, që i bëhet jehonë në botën e modelingut dhe përrallave.
E pse u dashkërka që të shtrembërojmë imazhin, të krijojmë një perceptim ndryshe tek të tjerët? Po ata që do zgjohen me ne, ndërsa drita na ndriçon, kë nga shëmbëlltyrat tona do duan?
Në fund të fundit, të gjithë jemi njerëz! Unë nuk jam perfekte, as ti! Nuk e di sa herë më ndodh të kem komplekse për fytyrën, për trupin, por pastaj kujtoj që duhet ta dua veten time, sepse do më shoqërojë gjithë jetën! Unë nuk kam nevojë që të stërlyhem e mos njihem. Prindërit dhe të afërmit më kanë parë që bebe e teksa rritem, e më duan për atë që jam! Shoqet e mia më të ngushta më kanë parë në gjendjen më të keqe të mundshme, me flokë të palara, të pakrehura, me grip, të veshur me pizhame e me kopsa të mbërthyera gabim, e sërish më duan e janë pranë meje.
Unë nuk e kam problem imazhin që më shfaqet para dhe pas gjumit në pasqyrë, as nuk e shikoj të nevojshme që buzëkuqi të me kalojë konturet e buzëve! Askush nuk është perfekt! Dhe shumë e lumtur zgjedh që të përqafoj veten time dhe mosperfeksionizmin.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.