Pika referimi

January 11, 2020 | 16:50

Nga Xhoi Jakaj: Burra që vrasin dhe gra e vajza të pambrojtura, ky vend ka akoma mentalitet të mykur të “burrërisë”

Burrëri e induktuar si mos më keq, e nga kjo burrëri e ‘injektuar’ që në vegjëli nga “burrat” e shtëpisë, dhe nëna që rrisin djem të fortë për pushkë e jo për pendë, sjell këtë amulli në shoqërinë shqiptare ku vrasjet janë shpeshtuar gati një në çdo ditë.

Xhoi Jakaj, Doktore Shkencash, autore librash për adoleshentët

Xhoi Jakaj, Doktore Shkencash, autore librash për adoleshentët

Dhe dhimbja shtohet akoma më shumë kur dëgjon edhe vrasje të tipit me shall dhe mbytje në lumë nga nipi i bashkëshortit së bashku me shokët e tij, ose siç ndodhi ajo e djeshmja vrasje me levë dhe mjete prerëse deri sa i mori jetën gruas së vëllait ndërkohë që mbante shtëpinë dhe rriste vajzën e vetme, dhe besoj që i siguronte ushqimet të shoqit në burg në takimet e përjavshme, e ai ndërkohë jepte porosi e të drejta vëllait ta investigojë gruan e tij, që fatkeqësisht nuk mbeti në kuadrin e investigimit të jetës së saj, por ia mori atë përgjithmonë.

Në shumë vende të Shqipërisë mentaliteti i thekur, burrëria, pushka, mohimi, sundimi, mosrrespektimi, e shumë fjalë të tjera mbizotërojnë në çdo ditë të jetës, e këto rëndojnë mbi gruan dhe fëmijët e pafajshëm.

Djem e burra që vrasin, ndërkohë duhet të ishin partnerë normalë dhe kontribuues në rritjen e fëmijëve dhe përmirësimin e gjendjes ekonomike të familjes. 

Një burrë i dënuar, që urdhëron të vëllain dhe e lëshon në persekutimin e përditësuar të bashkëshortes dhe sot rezultojnë të dy pas hekurave të burgut, ndërsa ajo e vrarë, e mbi të gjitha vajza e tyre jetime, me baba të dënuar dhe me skemën e vrasjes së nënës së saj në mënyrë makabre nga xhaxhai. 

Ky fëmijë akoma në adoleshencë, e cila ka përjetuar dramën e vrasjes së nënës nga familjari  tjetër, nuk do e harrojë as nuk do e fshijë kurrë nga kujtesa as veprimtaria e jetës së saj, por do jetë nën makthin e vrasjes makabre.

Mendohuni mirë para se të sillni fëmijët në jetë ju o burra të fortë, por dhe ju gra të nënshtruara, e mos pranoni dhunën, por sigurohuni e gjeni zgjidhje të çfarëdo lloji, forme e mënyre për të shpëtuar nga dhuna që sjell domosdo vrasje të përditshme.

Kur bëhesh prind ke përgjegjësi të madhe mbi supe, edukimin me norma e parime të fëmijëve tuaj, dhe ata gjithmonë janë të pafajshëm, ju gra keni si detyrë të edukoni djalin dhe vajzën në mënyrë të barabartë. 

Dikur nëse lind një djalë ishte gëzim i madh, shtylla e familjes, trashëgimtari i pasurisë, e padyshim që ndodh e kundërta nëse nusja e shtëpisë sjell në jetë një vajzë. 

Nusja trajtohej si një ‘plaçkë’ nga të gjithë. 

E përveç këtyre, vajza e ardhur në këtë botë nuk rritej si djali.

Ka akoma në këtë vend mentalitet të mykur të “burrërisë” që po sjell vrasjen e grave.

Që në vegjëli, shoqëria i mëson të ndajmë lodrat fëmijëve tanë. Pistoleta, makina, motora, shpata i përkasin djemve, ne jemi shoqëria që ua bëjmë të lehtë sjelljet agresive burrave dhe djemve.

Djemtë tanë nuk i marrin motrat në grupet e tyre shoqërore, se janë vajza e ato flasin gjuhë tjetër, e hera-herës me zhargon rruge. Motra duhet të qëndrojë në shtëpi. 

Fenomeni i “nënvlerësimit” pasohet nga nëna te vajza, nga burrat e shoqërisë sonë.

Vëllait, me urdhëresë nga babai e shpesh edhe nga nëna i jepet detyrë ndaj motrës për të vëzhguar çdo lëvizje të saj. Ku shkon, kur del, me kë shoqërohet të mos bëjë asnjë gabim e të jetë e ‘pastër’ deri kur të shkojë në derë të ‘huaj’, se në të kundërt e ka jetën në fije të perit, e shkon deri tek marrje jete.

Studimet dhe monitorimet e fundit kanë rezultuar me shifra të larta të vrasjeve të vajzave dhe grave në sekuenca të afërta kohore nga sedra e sëmurë e “burrërisë”. Për arsye idioteske si dashuri pasionante, xhelozi, humbje e moralit, nderit të familjes etj.

Burrat vrasin nënën e fëmijëve, gratë e tyre, viktimat shtohen dhe numri i tyre rritet në kohë rekord.

Në vetëm gjashtëmujorin e fundit, raportohen në polici raste të dhunimit, kërcënime, kanosje, përdhunime, vrasjet pasionante e deri tek ato për një fjalë goje.

Shoqëria dhe institucionet shtetërore duhet më shumë edukim dhe parandalim, një urdhër mbrojtjeje nuk duhet kurrsesi të mos zbatohet e të merret seriozisht personi që ka ushtruar një herë dhunë, sepse nga dhuna ai kalon fare lehtë në vrasës. 

Alarmi ka rënë e po bie, të drejtat e grave dhe jeta e tyre është në rrezik të madh, ndihmoni gratë kur janë të dhunuara, sepse pas pak kohësh ato kthehen në viktima.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top

Powered by themekiller.com anime4online.com animextoon.com apk4phone.com tengag.com moviekillers.com