Lifestyle

August 10, 2016 | 8:19

Nis Festa e Birrës Korça, këngëtarët e ftuar për çdo natë

Festa e Birrës në Korçë këtë vit shënon 10 vite suksesi. Për një dekadë radhazi kjo festë, e cila tashmë identifikohet me Korçën dhe birrën e saj, ka kulmuar duke marrë vulën e organizimit më të madh veror në vend. Ashtu si çdo vit, kjo festë parashikohet të ketë rekord pjesëmarrësish dhe për pesë net me radhë i gjithë qyteti do të transformohet në një “Beer Zone” me sloganin “10 vjet Festa e Birrës”.

Festa starton sonte në orën 20:00. Në mbrëmje gjithçka do të jetë gati, mes mijëra turistëve vendës e të huaj, madje nuk do të mungojnë as përfaqësitë diplomatike. Skena do të jetë gjigante, me ndriçim modern, ku do të performojnë këngëtarët më në zë dhe mjaft të dashur për publikun. Mes këngëtarëve që pritet të ngjiten në skenë në pesë netët e këtij eventi do të jenë Alban Skënderaj, Flori Mumajesi, Devis Xherahu, Klajdi Haruni, Endri dhe Stefi Prifti, Elton Deda, Kamela Islamaj, Kejsi Tola, Juliana Pasha, Aleksandër Gjoka, Anxhela Peristeri, Era Rusi, Eugent Bushpepa, Mateus Frroku dhe mjaft këngëtarë e grupe të tjerë të njohur.

2

Turistët dhe të apasionuarit e festës do të kenë mundësi të shijojnë birrën, e cila është vlerësuar edhe nga ekspertët ndërkombëtarë si një prej birrave më cilësore. Këtë vit do të pozicionohet në 13 stenda, ku çdo pjesëmarrës do të mund ta shijojë për të pesë netët, për ta mbyllur të dielën. Veç birrës, pjesëmarrësit do të kenë mundësi të shijojnë edhe gatimet tradicionale. Pak orë para se festa të nisë, organizatorët janë duke kuruar detajet e fundit.

Në Fabrikën “Birra Korça”, një gjigant teknologjik, kanë nisur prej ditësh përgatitjet për festën, e cila mban zgjuar qytetin deri në orët e para të mëngjesit. “Në këtë ditëlindje të 10-të do të ketë shumë elemente festive, duke filluar me argëtim e muzikë, ku nuk do të mungojnë këngëtarët më të njohur. Gjithashtu, gjatë festës do të organizohen lojëra të ndryshme, humor e situata komike me pjesëmarrësit në festë dhe, natyrisht, do të jetë edhe birra jonë, e cila ka një traditë thuajse 90-vjeçare në tregun vendës. Unë, për shumë arsye, do t’i ftoja të gjithë të festojnë me ne, nga data 10 deri më 14 gusht në Korçë.

Arsyeja kryesore mbetet ajo e cilësisë së birrës. Tashmë është provuar që ne kemi birrën më cilësore në treg. Qytetarët e kanë testuar, ndaj kjo është një arsye për të festuar pa fund. Të gjithë kanë pasur mundësinë të shohin teknologjinë me të cilën ajo prodhohet. Tashmë birra jonë nuk ka rivale, sepse ajo është në krye të top-listës së birrave shqiptare. Sakaq, birra ‘Korça’, serenatat dhe kërnackat nuk do të ndalen edhe te lokali veror ‘Birra Korça’, ku mund të festojnë dhe argëtohen ata më nostalgjikët.

Me që këtë vit Festa e Birrës mbush plot 10 vite nga momenti kur u ideua dhe startoi, është planifikuar që të ofrohet më tepër birrë. Për këtë vit janë planifikuar 13 stenda, ku do të ofrohet birra ‘Korça’ dhe duke parë konsumin, i cili çdo vit vjen duke u rritur, janë bërë gati 90 mijë hektolitra.

Mos të harrojmë që festa numëron mbi 100 mijë pjesë- marrës. Në ditët e festës, Fabrika ‘Birra Korça’ do të jetë e hapur për vizitorët vendës dhe të huaj. Ndërsa, përpos këtij 10-vjetori, ne mund të zbulojmë këtë vit edhe disa surpriza apo objektiva. Dihet që ‘Birra Korça’ është e pranishme në të gjithë vendin.

Së shpejti do të rritet gama me produkte të tjera, si futja e kanaçes dhe e lëngjeve. Objektivi i afërt është rritja e prodhimit, duke e dyfishuar kapacitetin e prodhimit”, shprehet drejtori i Fabrikës “Birra Korça”, Hysen Caka.

DHORJELA ÇULE/ Botuar në gazetën Panorama

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top