Marrëdhënie

August 10, 2016 | 8:13

Dëshmi/ Mirela Oktrova:Femrat e afta shihen ende si problem

Ajo bën pjesë tek ata njerëz që besojnë se edhe karakteret më të vështira kanë ndjeshmëritë e tyre. Ata thjesht duhen gjetur dhe menaxhuar. Sipas Mirela Oktrovës, “nëse kjo ndodh në çdo çift e familje, shndërrohet në synim të edukimit familjar e shkollor dhe modus vivendi në komunikimin publik, atëherë marrëdhëniet tona do të ishin shumë më pak të dhunshme”. Sa i takon pushtetit në një marrëdhënie, natyrisht që në definicionin kontekstual të fjalës ekziston pushteti i atillë, që ndikon te partneri tjetër, që edhe ai të veprojë sipas dëshirës dhe vendimeve të pushtetmbajtësit.

Në kohën e sotme marrëdhëniet në çift kanë pësuar një ndryshim të madh. A nuk duket se “lufta e mileniumit mes burrit dhe gruas”, për sa i përket rolit të fuqisë dhe dominimit, është duke u spostuar gjithnjë e më shumë drejt polit femëror?

Në fakt, më shumë se epoka e luftës midis gjinive, koha jonë konsiderohet si epokë e luftës midis kulturave, ku në një kuptim më të gjerë bëjnë pjesë modelet e organizimit të jetës shoqërore dhe përkatësisht marrëdhëniet gjinore, të shpallura si një prej objektivave më të rëndësishëm të mijëvjeçarit tonë. Fokusimi i pabarazisë gjinore në qendër të politikave globale të zhvillimit sigurisht që flet për një trend të qëndrueshëm përpjekjesh për barazi gjinore, i cili e ka zanafillën në deklaratat e para për të drejtat e gruas. Kur në Francën e shekullit XVIII, roli i grave gjatë Revolucionit borgjez nuk u shpërblye me “liri, barazi, vëllazëri” dhe ato u përjashtuan nga të drejtat qytetare, shkrimtarja Marie Olympe de Gouges formuloi “Deklaratën e të Drejtave të Gruas dhe Qytetares” duke përshtatur Deklaratën e të Drejtave të Njeriut të vitit 1789. Ndonëse Olympe de Gouges përfundoi në gijotinë, trendi i lindur me të mbijetoi. Ai u rimor më vonë nga gratë amerikane në “Declaration of Sentiment”, vijoi me lëvizjen për të drejtat politike të gruas në shekullin XIX, me lëvizjen për përkushtim në edukim pas Luftës së Dytë Botërore, me lëvizjen feministe të viteve ’70, me moton aktuale “Gruas gjysmën e botës – burrit gjysmën e shtëpisë” dhe lëvizjen për ndryshim të gjithanshëm status quo-sh dhe raportesh shoqërore të shekullit të XXI. Në arealin shqiptar, trendi nuk ka ecur në mënyrë as të njëtrajtshme dhe as gjithëpërfshirëse. Ai ka prekur më shumë zonat urbane se ato rurale, duke bërë që zhvillimi në një pjesë të shoqërisë të shoqërohet në pjesën tjetër me sforcim, të formësuar në dhunë gjinore të pakontrolluar. Për të gjitha/gjithë ne, është e domosdoshme të kuptojmë se trendi, për të cilin flasim, është në fund të fundit trend i ndryshimit të pushtetit nga njëra gjini te tjetra – po ndërsa Lëvizja feministe është luftë për marrjen e këtij pushteti, Lëvizja për barazi gjinore është luftë për ndarje pushteti. Pavarësisht nga forma e saj, lufta mbetet luftë dhe si e tillë, ajo lidhet me sakrifica, rreziqe dhe kundër reagime.

Në botën aktuale, ekzistenca është drejtuar më shumë drejt kërkimit të karakteristikave dhe vlerave pozitive të përfaqësuara nga femrat: hapje, dialog, pritje, shkëmbim emotiv. Ndërkohë që burrit çdo ditë e më shumë i kërkohet t’i largohet natyrës së mbyllur. Në këndvështrimin tuaj, sa respektohen kësi ekuilibrash në një raport në çift?

Është e vërtetë se gjinitë kanë cilësitë e tyre karakteristike, të cilat konsiderohen si të tilla, pasi ndeshen më shpesh ose janë në mënyrë sasiore të përfaqësuara rëndom brenda gjinive përkatëse. Po cilët janë prototipat e suksesshëm brenda secilës gjini? Nëse u referohemi trendeve tradicionale, do të vërejmë se suksesi në të dyja gjinitë ka ardhur gjithnjë në dy rrugë – edhe në formën e standardit më të lartë të cilësive më karakteristike të gjinisë, por edhe si kombinim harmonik i aftësive karakteristike të gjinisë origjinare me ato karakteristike të gjinisë tjetër. Kështu ndërsa Kleopatra, Viktoria apo Zhan D’Ark kanë hyrë në histori për fuqinë e tyre imponuese, të tjera si Safo, Xhorxh Sand dhe Simone de Buvuar janë imponuar sa me vështrimin e tyre inteligjent për botën, aq edhe me kompetencën e tyre sociale. Nga ana tjetër, edhe të gjithë burrat e shquar në historinë e njerëzimit – që nga strategët e deri te prijësit dhe profetët – kanë spikatur sa për guximin dhe forcën e tyre për të ndryshuar rrethanat, aq edhe për largpamësinë, maturinë dhe inteligjencën e tyre emocionale. Në fund të fundit, pavarësisht nga gjinia, vlerat njerëzore janë dhe mbeten lehtësisht të klasifikueshme në vlera që i vlejnë komunitetit dhe në të tilla që e çorientojnë atë. Suksesi thjesht gjinor është gjysmatar i trishtuar dhe fitimtar frymëprerë. Jo më kot, pas çdo burri të fortë qëndron gjithnjë një grua e mençur dhe pas çdo gruaje të suksesshme rëndom një partner apo lidhje motivuese.

Në modelin e çiftit tuaj, si ka përvijuar ndër vite raporti karshi detyrimeve dhe përgjegjësive? Ka pasur momente kur vendimi juaj ka qenë ai që ka dominuar?

Unë besoj se çelësi i çdo marrëdhënieje do kërkuar dhe gjetur në mënyrën e të kuptuarit të dashurisë. Nëse ajo kuptohet si forma më e lartë dhe më e përsosur e komunikimit njerëzor, atëherë marrëdhënia e çiftit është shkëmbim informacioni të shumëfishtë, në rrafsh intelektual, shoqëror, zakonor, emocional dhe fiziologjik. Rruga për realizimin e këtij lloji dashurie fillon me njohjen e vetvetes dhe përfundon me gjetjen e të ngjashmit, komunikimi me të cilin nuk është i sforcuar, sepse nuk është i ngarkuar me dyshime e pasiguri dhe për pasojë nuk ka humbje. Nëse tjetri të sheh ashtu siç e sheh ti veten dhe të pëlqen, kjo do të thotë se çifti ndan të njëjtat vlera dhe këndvështrime ndaj botës e jetës. Që këtu gjithçka është më e lehtë: kjo do të thotë se çifti ndan jo vetëm të mirat, të bukurat dhe të lehtat e kësaj bote, por para së gjithash mënyrën e menaxhimit të të këqijave, rreziqeve dhe jo së fundi të detyrimeve, ofron reciprokisht mbështetje dhe nuk ngurron e fshihet në gabimet që bën dhe dobësitë që ka. Kjo marrëdhënie nuk e konsideron opsionin e tjetrit konkurrencë, por pasurim të të vetit; në këtë marrëdhënie nuk dominohet, por ndahet. Kjo është mënyra apo formula, me të cilën tentojmë ne të menaxhojmë marrëdhënien tonë. Ne jemi të dy sa dominantë, aq edhe të përkushtuar. Kjo na bën që vendimi për të vendosur prioritete, të mos jetë aq në favor të opsionit të njërit prej nesh në raport me tjetrin, sesa një vendim mes dominancës dhe përkushtimit të secilit prej nesh. Dhe, sigurisht, në një marrëdhënie të tillë çdo vendim pro dominancës së njërit është ‘bonus’ i dhuruar nga përkushtimi i tjetrit, ashtu sikurse çdo sakrificë në emër të përkushtimit është një tjetër ‘bonus’ që në të ardhmen të lejon të jesh edhe dominant. Raste të tilla në lidhjen tonë ka plot: në jetën profesionale, në marrëdhëniet me fëmijët që jetojnë larg, në marrëdhëniet me miqtë, radhën e punëve të përditshme apo dhe përzgjedhjen e alternativave të argëtimit. Po unë besoj se e rëndësishme është që marrëdhënia të menaxhohet, përkushtimi dhe dominimi të ekuilibrohet dhe sakrifica të jetë e vullnetshme. Nëse jeta rregullohet kështu, atëherë lëshimet nuk kanë faturë, sepse bëhen nga të dy palët dhe nuk dhëmbin. Nëse jo, fatura shndërrohet në stres moskomunikimi dhe marrëdhënia çekuilibrohet.

Gjithsesi, duhet thënë se nuk është e lehtë për një burrë (shqiptar) që brenda çiftit të ndjekë valën e ndryshimit, e cila sot ndihet si tendencë nëpër botë. Deri ku shkon fuqia e gruas, sipas jush?

Sipas meje, çelësi i çdo marrëdhënieje qëndron te komunikimi. Komunikim do të thotë të dish të përdorësh empatinë – ta vësh veten në pozitën e tjetrit – të kesh edhe aftësinë të transmetosh informacion pa humbje, pra ta bësh tjetrin të kuptojë pozitën tënde. Nëse ne zotërojmë mjetet e komunikimit dhe dimë t’i përdorim ato në mënyrë efektive, besoj se mund të entuziazmojmë këdo për synimet tona dhe të mënjanojmë stresin në marrëdhëniet në çift. Bëj pjesë tek ata njerëz që besojnë se edhe karakteret më të vështira kanë ndjeshmëritë e tyre. Ato thjesht duhen gjetur dhe menaxhuar. Nëse kjo ndodh në çdo çift e familje, shndërrohet në synim të edukimit familjar e shkollor dhe modus vivendi në komunikimin publik, atëherë marrëdhëniet tona do të ishin shumë më pak të dhunshme. Gratë kanë shumë kompetencë sociale për të dhuruar – në çift, familje, në edukimin e fëmijëve dhe në shoqëri, por edhe inteligjencë, inteligjencë emocionale, vendosmëri e guxim; sikurse edhe burrat kanë shumë energji për t’u dhuruar partnereve, fëmijëve, familjes dhe shoqërisë, por nëse atyre u shtojnë dhe emocion, dashuri e përkushtim, si familja ashtu edhe shoqëria i zgjidh dhe nëse jo, i duron më mirë sfidat dhe vështirësitë që i duhet të kalojë. Nëse komunikimi mungon, të dyja gjinitë nuk i kontribuojnë zgjidhjes, por janë edhe vetë pjesë e problemit.

Po përtej shtëpisë dhe familjes, sa mundësi kanë gratë të shprehin hapur mendimin pa qenë të paragjykuara nga burrat-kolegët e tyre?

Ka kohë që suksesi femëror edhe në Shqipëri i ka kapërcyer kufijtë e mitit dhe është shndërruar në ide të realizuar, ndonëse me vështirësi. Realizimi i emisionit “Duel” që unë drejtoj më ka dhënë mundësi të njoh shumë prej tyre. Mjafton t’i referohemi numrit të grave me grada të larta në ushtri dhe në Policinë e Shtetit. Kam njohur zonja të jashtëzakonshme që më janë imponuar me biografinë e tyre. Jam befasuar nga dëshira e vajzave shqiptare për të hyrë në polici, si edhe nga personalitetet femërore në krye të strukturave kundër krimit të organizuar. Jam befasuar dhe vazhdoj të befasohem nga shkalla e formimit të juristeve tona në të gjitha specifikat e profesionit. Ne njohim dhe vlerësojmë vetëm ato personalitete që janë prezent në media. Po një pjesë e madhe e tyre rrinë vetëdijshëm larg saj. Ato nuk e ndiejnë nevojën e promovimit në ekran, pasi kënaqësinë profesionale dhe promovimin që u duhet, ua jep puna e tyre e përditshme. Personalitete të spikatura grash ndeshen sot në të gjitha fushat. Pyetja që shtrohet ka të bëjë më shumë me mënyrën se si perceptohen ato nga shoqëria: si modele që duhen ndjekur, apo si modele që duhen shmangur?! Unë gjykoj që gratë e afta shihen ende si problem, pasi kompetenca dhe konkurrueshmëria që ato ofrojnë është shumëplanëshe – dhe kur them shumëplanëshe, kam parasysh ato vlera universale apo mbigjinore që individë të caktuar i shndërrojnë në ekzemplarë të suksesshëm për të dyja gjinitë, sepse shkalla e cilësive që ata kanë, i bën ata konkurrues në të dyja ato. Kjo aktivizon në gjininë tjetër një sinjal ngurrimi dhe vetëmbrojtjeje. Në këtë këndvështrim, unë mendoj se ne gratë duhet të jemi të kujdesshme edhe në trajtimin e kuotës së detyrueshme të pjesëmarrjes së gruas në vendimmarrje, sepse koncepti i saj nuk e kapërcen diskriminimin, pavarësisht se e bën atë pozitiv. Unë si grua jam kundër kuotës jo vetëm si diskriminim pozitiv, po edhe sepse kuota gjinore në vendimmarrje fsheh në vetvete kurthin e të kënaqurit me pak, ndërkohë që është vetëm premisa dhe jo fitimi i betejës, fillimi, por kurrsesi fundi i saj. Barazia gjinore është ndarje pushteti, dhe pushtetin nuk e dhuron kush. Atë duhet ta kërkojmë dhe fitojmë vetë. Por, sipas meje, jo në formën dhe rrugën e luftës kundër gjinisë tjetër, por në formën e bindjes dhe të bashkëpunimit mbarëshoqëror. Kjo është e realizueshme nëse këtë e do mbarë shoqëria, nëse e duan gratë vetë dhe në emër të saj mbështesin njëra-tjetrën dhe kultivojnë te vetja cilësitë që i bëjnë të suksesshme pa u tjetërsuar.

Botuar në revistën Psikologjia, nr.77

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top