Eni Vasili rikthehet në televizionin “News24”, me emisionin prestigjioz “Open”. Gazetarja e mirënjohur e tryezave të debatit të mirëfilltë, jo vetëm politik, por të një spektri çështjesh gjithpërfshirësh, nis sot rrugëtimin, në orën 21:00 në ekranin e dashur të shqiptarëve, “News24”.
Siç tashmë “Open” e ka traditë të vetën, ku përballë politikanëve dhe personazheve më të rëndësishëm të jenë analistët më të mirë, do të sjellë këtë mbrëmje në debat ish-kryeministrin Sali Berisha, i cili do të vendoset përballë analistëve më të njohur në vend.
Kuvendi i fundit i 30 prillit në PD, dhe disa çështje që dolën pas këtij organizimi në lidhje partinë opozitare, por edhe pika të tjera do të vendosën në qendër të debatit të sotëm televiziv.
“Open”, emisioni më i ndjekur për teleshikuesit do të jetë në “prime time” nga ora 21:00 deri në orën 23:00 në News24, si edhe katër herë në javë nga e hëna në të enjte.
Eni Vasili është një nga gazetaret më të njohura në vend dhe që vjen nga përvoja me rëndësi në televizionet kombëtare, ku suksesi e ka ndjekur vit pas viti duke regjistruar rekord audience. I njëjti standard pritet të përçohet edhe në emisionin politik në News 24 ku do të përcillen lajme dhe debate politike dhe jo vetëm, i cili starton sot në orën 21.00 në ekranin e dashur të shqiptarëve, News24.
Eni Vasili rikthehet në shtëpinë mediatike të saj, ku për katër vite drejtoi programin, “Studio e Hapur”, edhe ky një program, ku temat e aktualitetit, nga politika, ekonomia dhe deri tek kultura vinin për shikuesit katër herë në javë. Debati, analizat, intervistat, reportazhet, investigimet ishin përmbajtja e “Studio e Hapur”, e Eni Vasilit prej 2013 në 2018 në News24. Prandaj kjo lëvizje e saj mund të quhet rikthimi në shtëpi i Eni Vasilit.
Ndërkohë “Open”, është një emision i përnatshëm i aktualitetit në Shqipëri, i cili nisi rrugëtimin në shtator të vitit 2018 në “Top Channel” si një vazhdim dhe perfeksionim i markës “Studio e hapur”. “Open” kreu një rrugëtim katërvjeçar të mbushur me sfida, të cilat e bënë atë forumin e vërtetë të debatit shqiptar.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.