Marrëdhënie

October 13, 2017 | 9:30

Një dashuri si në sindromën e Stokholmit

Historia e famshme e vitit 1973 në Stokholm të Suedisë, tashmë është e ditur. Ishte gushti i atij viti, kur nga një tentativë për të grabitur bankën e Stokholmit dhe marrja peng e katër punonjësve, ndodhi e habitshmja “dashuri”. Pas mbajtjes peng për katër ditë, punonjësit e bankës jo vetëm nuk dëshmuan kundra grabitësve të tyre, por treguan mirëkuptim për arsyet e këtij akti, u përpoqën t’i ndihmonin grabitësit e tyre financiarisht gjatë procedurave gjyqësore dhe madje njëra nga pengjet femër pas disa muajsh u martua me njërin prej pengmarrësve.

Domestic violence

Dr. Klaudia Stajka, mjeke e përgjithshme, QSUT

Dr. Klaudia Stajka, mjeke e përgjithshme, QSUT

Një situatë e tillë, në dukje qesharake, bëri bashkë shumë gazetarë, psikologë e mjekë për të analizuar lidhjen emocionale midis xhelatëve dhe pengjeve të tyre, si dhe për të shpjeguar nëse bëhej fjalë për një “cen” të grabitjes në fjalë apo për një çrregullim të mundshëm mendor. Nga studimet dolën në pah edhe raste të tjera, të ngjashme me të, që ishin hasur në mesin e të burgosurve në kampet e përqendrimit, anëtarëve të sekteve të ndryshme, personave civilë në burgjet e Kinës komuniste, prostitutave dhe tutorëve të tyre, viktimave të incestit, fëmijëve psikologjikisht dhe emocionalisht të dhunuar, grave të rëna pre e abuzimit dhe sigurisht, edhe midis pengjeve apo të sekuestruarve. Kështu që, ky studim u finalizua me konkluzionin se bëhej fjalë për një fenomen jo dhe aq unik në llojin e tij dhe që meritonte një emërtim të përveçëm, prandaj u pagëzua në atë kohë me emrin Sindroma e Stokholmit.

E thënë shkurt, Sindroma e Stokholmit është një gjendje psikologjike që takohet kur një individ i abuzuar, ushqen ndjenja pozitive afeksioni ndaj abuzuesit të tij, madje deri në atë pikë sa të arrijë edhe të dashurohet me të. Në jetën e përditshme nuk janë të pakta rastet që më ka rastisur të dëgjoj. “Pavarësisht gjërave që më ka bërë, unë vazhdoj ta dua”; “Nuk kam çfarë të bëj, ia fala edhe këtë sepse nuk jetoj dot pa të”; “Tani që përfundoi mes nesh, mendoj se mund ta kisha duruar dhe pak”; “Me të dashurën e re po bën të njëjtën gjë, ndihem xheloze, më mungon”; “Ajo po më çmend, por unë nuk e përfytyroj dot veten time pa të”. Megjithëse këto biseda janë më të shpeshta mes vajzave, komente të tilla hasen edhe nga meshkujt. Bashkë me mua, miq dhe të afërm të këtyre individëve habiten dhe tronditen nga të tilla pohime që po çojnë të dashurit tanë drejt një marrëdhënieje abuzive. Nëse kjo situatë nuk ka kuptim nga pikëpamja sociale, a ka kuptim nga pikëpamja psikologjike? Përgjigja është, Po! Sindroma e Stokholmit zhvillohet në terren të pavetëdijes.

Psikoanalistët e shohin si një instinkt mbijetese, i cili zhvillohet në mesin e një mjedisi kontrollues dhe kërcënues. Stadet nëpër të cilat progreson ky status psikologjik mendohet të jenë: Viktima harron dhimbjen e vet dhe fillon ta shikojë situatën nga perspektiva e abuzuesit. Viktima fillon të bjerë dakord me dhunuesin e me disa aspekte të personalitetit të tij dhe pikëpamjet e saj për situatën në të cilën ndodhet fillojnë të veniten. Viktima nis ta mësojë veten se si ta qetësojë dhe kënaqë abuzuesin, gjë që e manipulon këtë të fundit të jetë më pak i rrezikshëm për periudhën në vazhdim. Pas pak kohe, viktima nis të mendojë se abuzuesi paraqet të njëjtat karakteristika njerëzore si gjithë të tjerët dhe në këtë pikë, ajo e sheh atë si një kërcënim më të vogël. Disa abuzues ndajnë me viktimën informacione personale, në përpjekje për të promovuar mëshirën dhe jo zemërimin e saj. Një lidhje e tillë çon në ndjenja kontradiktore (zemërim e mëshirë njëkohësisht) si dhe në shqetësim të palogjikshëm për dhunuesin. Nëse kjo situatë merr fund, viktima në fjalë duhet të mësojë të jetojë e shkëputur emocionalisht dhe fizikisht nga dhunuesi, ç’ka përbën në vetvete një gjendje tranzitore dhe të vështirë për të.

simSindroma e Stokholmit, duhet theksuar, nuk është e pranishme në të gjitha rastet e rrëmbimit apo situatat e tjera abuzuese. Për më tepër, ajo nuk njihet ende si një çrregullim i mirëfilltë mendor në klasifikimet e literaturës mjekësore; kriteret diagnostike ende të papërcaktuara e bëjnë edhe më të vështirë përshkrimin e saj. Literatura e pakët që qarkullon nëpër botë është e bazuar vetëm në rast-raporte, gjë që e bën Sindromën e Stokholmit të jetë më shumë sesa një konditë mjekësore, një realitet. Sindroma e Stokholmit mund të gjendet në familjen tuaj, në një lidhje dashurore apo në marrëdhënie të tjera ndërpersonale. Abuzuesi mund të jetë burri apo gruaja juaj, i dashuri apo e dashura, babai apo nëna apo kushdo i një tjetër roli, që luan personazhin e abuzuesit apo kontrolluesit në jetën tuaj. Këto marrëdhënie çojnë padashur në investime të mëdha. Në shumicën e rasteve ne priremi për të mbështetur dhe për të qëndruar në këtë marrëdhënie për shkak të investimeve dhe sakrificave. Pra, nuk janë vetëm ndjenjat që na mbajnë të lidhur me një person problematik, por durimi dhe koha që kemi investuar për të.

E vërteta është se marrëdhëniet janë të gjitha të ndryshme nga njëra-tjetra dhe shumë komplekse. Një sy i jashtëm arrin të shohë vetëm majën e ajsbergut që shfaqet në publik; ndoshta kjo është arsyeja përse shprehja më e përdorur nga viktimat, në mbrojtje të marrëdhënies së tyre të sëmurë, është “Ti nuk mund ta kuptosh!” Ndihma më e madhe që mund t’i ofrohet këtyre të “dashuruarve” është dëgjimi dhe sigurimi i një perceptimi objektiv të realitetit ku ndodhen dhe më e rëndësishmja, të mos ngarkohen me barrën e kritikave. Në pjesën më të madhe të rasteve, ato do të përfundojnë duke mbrojtur abuzuesin e tyre. Një dëgjues i mirë duhet të arrijë t’i përshkruajë me durim implikimet e sjelljeve që po e dëmtojnë personin në fjalë. Kjo do t’i tregojë se ju e kuptoni dhe rrjedhimisht do të ndodhë një krahasim mes sjelljeve të dhunshme të partnerit të tyre dhe interesit tuaj të sinqertë. Sa më e gjatë të jetë koha e kaluar me një abuzues aq më i vështirë është largimi prej tij. Dashuria torturuese mund të zgjasë edhe për gjithë jetën.

Pavarësisht nëse Sindroma e Stokholmit është ose jo një diagnozë klinike apo çrregullim mendor, e vërteta është se, që të jesh i shëndetshëm duhet të jetosh në një mjedis të shëndetshëm, të ushqehesh me dashuri të shëndetshme dhe të kërkosh e të pranosh këshilla nga ata që duan të shohin të shëndetshëm. Në frymën e festave të të dashuruarve, po i lejoj vetes të shprehem duke thënë se, dashuria e shëndetshme është ajo që maturohet bashkë me ty gjatë kalimit të viteve, përfshin angazhim, miqësi dhe një respekt të fortë mes dy partnerëve. Marrëdhënia e shëndetshme lejon çiftin të ndajë përkujdesje, dashuri dhe përkrahje në individualitetin, jetën profesionale, aktivitetet reaktive dhe ka vend edhe për miqësi të tjera jashtë saj. Sa më shumë të përhapen njohuritë për këtë realitet, aq më shumë viktima do të ndërgjegjësohen e do të ngrenë kokë.

INFORMACIONI I DHËNË NË KËTË SHKRIM KA PËR QËLLIM T’I JAPË ATYRE FUQINË PËR TË SHPËTUAR NGA JOSHJA E SËMURË DHE KONTROLLI PSIKOPATIK, PËRPARA SE TË JETË SHUMË VONË.

Butuar në revistën Psikologjia, nr.117

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top