FB

July 27, 2021 | 8:15

Një ‘dimër i hershëm’ i viruseve po vjen, ja se si të mbroni familjen tuaj

Gjatë javëve të nxehta është e vështirë të mendojmë rreth viruseve të frymëmarrjes dhe problemeve të stomakut që godasin fëmijët e moshës shkollore. Por me fjalët e një epidemiologu të lartë: “Dimri do të vijë herët këtë vit”.

“Nëse hiqni kufizimet dhe lejoni që Covid-19 të përhapet, ju do të lejoni gjithashtu që të përhapet gjithçka tjetër”, tha profesor John Edmunds, anëtar i Sage dhe mjek në Shkollën e Higjienës dhe Mjekësisë Tropikale në Londër. “Kjo do të thotë që në të njëjtën kohë do të përhapen viruset e tjerë të frymëmarrjes dhe të kontaktit të ngushtë.” Gripi, RSV (virusi sincital i frymëmarrjes, i cili prek foshnjat nën dy vjeç) – nuk janë zhdukur.

Sipas Kolegjit Mbretëror të Pediatrisë dhe Shëndetit të Fëmijëve, departamentet e urgjencës në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar kanë parë një numër jashtëzakonisht të lartë të fëmijëve të vegjël, të cilët kanë patur probleme me infeksione që zakonisht shihen në muajt e ftohtë. “Ne e quajtëm atë ‘dimër në qershor’,” thotë Dan Magnus, një konsulent në urgjencën pediatrike në Spitalin Mbretëror për Fëmijët Bristol. “Ne në mënyrë efektive po zhvillonim një përgjigje të nivelit dimëror gjatë verës dhe ishim po aq të zënë sa ndodh normalisht në nëntor.”

Vizitat në A&E janë ulur përkohësisht këtë muaj, por ekspertët parashikojnë që sëmundjet virale të fëmijërisë ka të ngjarë të rriten ndërsa njerëzit grumbullohen, moti ftohet dhe fëmijët kthehen në shkollë.

“Trupi zakonisht bëhet imun ndaj baktereve dhe viruseve”, thotë Dr. Amuthalingam. “Por këtë vit, ne nuk kemi qenë të ekspozuar ndaj tyre dhe kur vera të mbarojë, infeksione të tilla ka të ngjarë të na prekin më pas.”

Sipas Dr. Amuthalingam: “Ne do të shohim një sulm masiv të RSV (e cila shkakton ethe, kollë dhe vështirësi në frymëmarrje tek foshnjat), si dhe virusin norovirus, diarrenë dhe të vjella.” Dr. Amuthalingam thekson gjithashtu se varianti Delta i Covid ka si simptomë kryesore shqetësimet në stomak – veçanërisht tek fëmijët. “Problemi më i madh do të jetë vështirësia për të bërë dallimin midis viruseve të zakonshëm sezonalë dhe koronavirusit”, thotë ai.

Kthimi i gripit po diskutohet gjithashtu shumë në qarqet e shëndetit publik. Dr. Liz Whittaker thotë se ne nuk kemi grip për më shumë se një vit, (kufizimet dhe masat higjienike që shkatërruan Covid gjithashtu ndaluan virusin e gripit). “Ne mund t’i numërojmë problemet me gishtat e duarve. Brenga jonë e madhe dimrin e kaluar ishte një përzierje e Covid-19 dhe gripit, por që nuk erdhi kurrë. Pra, këtë vit, ne jemi përqendruar në ‘faktorë të ndryshueshëm të rrezikut’.

“Ne mund të kontrollojmë gripin me vaksinime dhe shtrimet në spital për shkak të koronavirusit me vaksinimin kundër Covid-19,” shton Whittaker. Fëmijët e vegjël imunizohen në mënyrë rutinore kundër gripit me një spraj hunde.

Ka pasur një farë shqetësimi se marrja e vaksinave ‘standarde’ të fëmijërisë është ulur gjatë pandemisë. Një raport i kohëve të fundit i Shëndetit Publik në Angli tregoi se marrja e MMR dhe vaksinave të hepatitit B ishin ulur përkatësisht me 1.7 dhe 1.8 pikë përqindje. “Është e një rëndësie të madhe që mjekët e përgjithshëm të vazhdojnë të ofrojnë imunizime rutinë, të kontrollojnë dhe kujtojnë ata që nuk kanë bërë një vaksinë,” tha një zëdhënës i PHE. Tani flitet për vaksina të tilla si MMR ose meningjit që jepen në shkolla.

Ndërkohë, ka mjaft gjëra që secila familje mund të bëjë për të mbrojtur si veten, ashtu edhe ata përreth tyre. “Kufizimet janë hequr, por ekziston ende një pandemi dhe nevojitet që të ruhen standardet e larta të higjienës”, thotë Dr. Amuthalingam. “Inkurajoni fëmijën tuaj që të lajë duart nëse ka qenë në shkollë, çerdhe ose në kopsht. Mbuloni gojën kur kolliteni dhe teshtini dhe letrat hidhini menjëherë në kosh. ”

Si Dr. Amuthalingam ashtu edhe Dr. Whittaker besojnë se mbajtja e vazhdueshme e maskave do të jetë e rëndësishme gjatë vjeshtës. “Ne duhet të bëjmë atë që aziatikët kanë bërë për 15 vitet e fundit”, thotë Dr. Whittaker. “Kulturisht, do të ishte mirë që nëse ke ftohje, të vendosësh një maskë kur jeni jashtë.” Kjo, thotë ajo, është mënyra më e menjëhershme dhe efektive për të mbrojtur njerëzit nga viruset e frymëmarrjes së dimrit. Të gjithë duhet të bëjmë atë që mundemi.

Kur të kërkoni ndihmë nëse fëmija juaj është i sëmurë?

“Është e vështirë të bësh dallimin midis një virusi sezonal dhe Covid-19”, thotë Dr. Amuthalingam. “Gjëja më e mirë për të bërë është të testoni fëmijën tuaj.” Këtu janë disa pyetje për t’i bërë vetes në lidhje me shëndetin e përgjithshëm të fëmijës suaj:

  • A është fëmija juaj duke ngrënë dhe pirë mjaftueshëm?
  • A po bëjnë mjaftueshëm urinë (një shenjë se mund të dehidrohen)?
  • A kanë probleme me frymëmarrjen?
  • A nuk po ulet temperatura, pavarësisht se ju është dhënë Nurofen?

Nëse përgjigjja për ndonjë nga këto është jo, duhet të telefononi një mjek. “Fëmijët mund të sëmuren shumë shpejt”, thotë Dr. Amuthalingam. “Nëse jeni të shqetësuar për shëndetin e fëmijës tuaj, atëherë kjo është një arsye mjaft e mirë për të kërkuar këshilla mjekësore.”

 

 

Burimi / https://www.msn.com/

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top