Psikofakt

October 17, 2016 | 10:17

Një për dy

Nga Edmond Tupja

Nga Edmond Tupja

Ndoshta titulli i këtij sh krimi sot mund t’u duket disi enigmatik lexuesve të mi besnikë por të vëmendshëm e të paanshëm, prandaj po ngutem t’u shpjegoj se në ç’rrethana ndodhi që unë e zgjodha atë. Dje në mëngjes, ditë e shtunë, duke pirë një kafe për lezet (siç thoshin dikur të moçmit) me mikun tim Vangjel Lezeti, vumë re një çift që erdhi e u ul pranë nesh. Kamerieri qëlloi aty dhe ne dëgjuam porosinë e çiftit: “Një kafe me filxhan çaji– tha ai, kurse ajo shtoi– … dhe dy gota ujë”.

Pastaj pamë kamerierin që pas disa minutash ua solli. Unë po vazhdoja i shkujdesur me Vangjel Lezetin bisedën tonë të zakonshme, por e ndërpreva sepse ky ma bëri me shenjë të shihja nga çifti. Burri hodhi nga një sheqer në çdonjërën prej gotave me ujë dhe një sheqer në filxhanit me kafe, pastaj, ndërsa ne rimorëm fillin e bisedës, vumë re që, pasi pinë secili gotën e vet me ujë të ëmbëlsuar, gruaja piu gjysmën e filxhanit me kafe, kurse burri gjysmën tjetër. Vangjel Lezeti tundi kokën me pikëllim dhe më tha me gjysmëzëri: “Kohëra të vështira, shumë të vështira”.

Me sa duket, çifti e dëgjoi vërejtjen e mikut tim dhe e interpretoi siç duhej, sepse pas shenjës që i bëri me kokë gruaja, burri futi dorën në xhep, rrëmoi atje thellë tri-katër sekonda, nxori disa monedha të vogla, i numëroi, i rinumëroi dhe i la mbi tryezë, mandej që të dy nxituan të largoheshin dhe unë pata përshtypjen se gruaja u skuq në fytyrë kur vështrimet tona u kryqëzuan për një çast, ndërsa burri e ndoqi kokulur duke dashur, me shumë gjasë, të fshihte atë ndjenjë turpi që kanë njerëzit e varfër, por të ndershëm, kur nuk arrijnë ta fshehin skamjen e tyre. Vërtet, kohëra të vështira, shumë të vështira kanë ardhur për bashkatdhetarët e mi dhe kjo ia bën muuuuu (pa “t” në fund), por nuk kisha parë deri më sot, madje as e kisha imagjinuar ndonjëherë që do të vinte një ditë kur dy shqiptarë, burrë e grua, do të porositnin një kafe të vetme për të dy.

Në fakt, nuk duhej të isha habitur nga ngjarja në kafene, sepse, të paktën në lagjen time, vetëm tetë minuta në këmbë larg sheshit “Skënderbej”, një ditë kasapi, tek i cili blej rregullisht, më dëshmoi se klientët e tij prej gati dy vjetësh blejnë dy herë më pak mish se më parë; po kështu edhe shitësi i një bulmetoreje; ndërsa një rrobaqepës më mësoi se klientët e tij, në shumicën e rasteve, vinë për të bërë arnime ose kthime prapa të veshjeve të përdorura dhe jo për të qepur rroba të reja; gjithsesi, vetëm këpucarëve u është shtuar puna, sepse me siguri njerëzit blejnë më pak këpucë të reja, e njëjta gjë edhe për sa u përket shërbim-riparimeve të tjera.

Sidoqoftë, miku im Vangjel Lezeti, burrë që e ka dhe e ruan ndjenjën e humorit, duke parë shtangien time, e relativizoi situatën duke më kujtuar një të vërtetë historike fort interesante, për të cilën nuk mund të mos i vë në dijeni ëmbëlhidhësisht (pra, me pak ose aspak sheqer) lexuesit e mi besnikë, sidomos ata që nuk bëjnë dot pa kafe: Në shekullin XVII, kur kafja filloi të konsumohej si pije në Francë, pas buke kryesisht, ajo kushtonte shumë shtrenjtë kështu që të parët që patën mundësi ta shijonin ishin të kamurit, pra, pasanikët, kurse të varfrit, duke ironizuar me humor gjendjen e tyre, sajuan “kafen e të varfrit” që nuk ishte veçse futja e tyre në shtrat fill pas buke dhe të bërit dashuri, gjë që solli si pasojë rritjen e numrit të popullsisë, derisa ranë çmimet e kafes në tregjet ndërkombëtare, çka u dha më në fund mundësi edhe shtresave me të ardhura modeste ta shijonin atë.

Rreziku te ne, tha si përfundim Vangjel Lazeti, është se po të vazhdojë shtrenjtimi i jetesës siç e ka nisur këto dy-tre vjetët e fundit, shqiptarët do të bien më herët në shtrat dhe, për pasojë të pashmangshme, do të rritet numri i popullsisë, kështu që nëpër lokalet tona, do të shohim njerëz të porositin një kafe jo më për dy, por për tre, katër, pesë a më shumë veta, madje, në lagjet më të varfra, ata që nuk bëjnë dot pa kafe do të mbajnë radhë para lokaleve për ta ngjyer gishtin (cilin prej të pestëve, atë të mesit, si më të gjatin?) në kafe e për ta lëpirë, sigurisht pasi të kenë paguar, në mënyrë që as ata dhe as pronarët e lokaleve të mos mbeten me gisht në gojë!

Botuar në gazetën Panorama

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top