Një vaksinë orale mund të luftojë përsëritjen e infeksioneve të traktit urinar (UTI) si cistiti, duke reduktuar gjithashtu përdorimin masiv të antibiotikëve, një nga shkaqet e rezistencës ndaj antibiotikëve. Një provë e vogël klinike e një vaksine spray rezultoi në parandalimin e infeksioneve urinare për nëntë vjet në 53.9% të pjesëmarrësve. Rezultatet u prezantuan gjatë kongresit të Shoqatës Evropiane të Urologjisë në Paris.
Infeksionet e traktit urinar ndodhin kur patogjenët – përgjithësisht bakteret si Escherichia coli, përgjegjëse për mbi 80% të këtyre episodeve – pushtojnë uretrën (tubi që përdoret për të nxjerrë urinën) dhe ngjiten drejt fshikëzës dhe strukturave të tjera të sistemit urinar, si p.sh. ureterët dhe veshkat. Këto infeksione prekin më shpesh gratë, shkaktojnë dhimbje në fund të barkut dhe djegie gjatë urinimit dhe trajtohen pothuajse ekskluzivisht me antibiotikë. Në disa pacientë, UTI-të mund të jenë të përsëritura dhe të ndikojnë negativisht në cilësinë e jetës së tyre.
Një grup studiuesish në Spitalin Royal Berkshire në Mbretërinë e Bashkuar studiuan një vaksinë spray të aplikuar nën gjuhë, të quajtur përkohësisht MV140, e cila përmban versione të inaktivizuara të katër specieve bakteriale që shkaktojnë infeksione të traktit urinar. Preparati që do të spërkatet çdo ditë për tre muaj kalon përmes mukozës së gojës dhe arrin në indet limfoide, të cilat janë pjesë e sistemit limfatik dhe janë përgjegjëse për përgjigjen imune.
Prova përfshiu 89 pjesëmarrës me një histori të UTI-ve të përsëritura të cilët kishin marrë vaksinën në vitin 2014. Të gjithë mbetën pa infeksione urinare gjatë periudhës së administrimit, por pas përfundimit të trajtimit, ata kaluan pa shfaqje të UTI-ve për një periudhë mesatare prej 54.7 muajsh. Më shumë se gjysma e pjesëmarrësve, 54% e grave dhe 53% e burrave të përfshirë, shmangën UTI-të për nëntë vjet pas vaksinimit. Ata që u ndeshën me këto infeksione gjatë ndjekjes së studimit i kishin ato në një formë shumë të lehtë dhe u zgjidhën duke pirë shumë ujë, pa pasur nevojë për antibiotikë.
Eksperimentimi do të duhet të vazhdojë në një numër shumë më të madh pacientësh: pikërisht për shkak se infeksionet e traktit urinar prekin kryesisht gratë, 54% e pacientëve të lirë nga UTI në një kampion prej 89 personash nuk është një shifër mjaft e rëndësishme. Megjithatë, nëse provat e ardhshme janë inkurajuese, do të ishte një hap i rëndësishëm në luftën kundër rezistencës ndaj antibiotikëve: për shkak të përparimit të superbaktereve, antibiotikët bëhen më pak efektivë nëse përdorimi i tyre është i përsëritur.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.