FB

September 3, 2021 | 8:34

Njohuri nga bota emocionale, dimensionet e shprehjes dhe ndikimi në organizëm

 

 

Nuk është i fortë ai që nuk rrëzohet kurrë, por ai që duke u rrëzuar ringrihet.

 

Përcaktimi i konceptit emocion ka qenë një nga dilemat e kohërave në studimet e psikologëve të ndryshëm. Kjo shpjegohet edhe me faktin se psikologë të ndryshëm kanë dhënë përkufizime të ndryshme për emocionet, por gjithsesi është pranuar ideja se ato janë aq dimensionale saqë, nuk mund të shpjegohen vetëm me faktin se “zemra rreh fort” apo “sytë shkëlqejnë”.

dr-ilia-larti

Përgatiti: Prof.Assoc.proc.Doc.Dr. Ilia Larti

 

Emocionet, janë pjesë e pandarë e jetës sonë të cilat na shoqërojnë që nga momenti lindijes. Për këtë thuhet se, emocionet janë gjuha jonë e parë. Ato, janë shumë të rëndësishme në jetën tonë, ku gjëndje të ndryshme emocionale ndikojnë në mënyrë pozitive ose negative në trupin e njeriut.

Shpesh dëgjojmë të thuhet se, pa emocione jeta dhe aktiviteti njerëzor nuk do të kishte kuptim, dhe në fakt besohet të jetë e vërtetë sepse emocionet konsiderohen edhe si faktorë motivues të njeriut që e vënë atë në lëvizje për të reaguar në një mënyrë të caktuar. Në këtë kontekst mund të themi se: Edhe pse emocionet kanë natyrë intime, edhe pse janë më personale se rrobat që ne veshim, është e nevojshme dhe duhet të jemi më të informuar rreth emocioneve dhe gjendjes psikologjike që ne përjetojmë, për të kuptuar më mirë se çfarë ndiejmë dhe se cila është gjendja jonë emocionale? E gjitha kjo do të na ndihmojë për të ruajtur një ekuilibër shpirtëror, si dhe të sigurojmë një përshtatjeje sa më të mirë, të organizmit tonë ndaj këtij stimuluesi.

 

Shumëllojshmëria e emocioneve

Në shkencën e psikologjisë në mënyrë shkencore, emocionet përcaktohen si: një përgjigje apo reagim ndaj një ngacmuesi i cili, shkakton tek individi eksitim fiziologjik, ndjenjë subjektive, interpretim kognitiv dhe sjellje të dukshme. Emocionet, janë të shumëllojshme, por dy janë grupet bazë që ato klasifikohen: pozitive dhe negative ose në një formë tjetër, nxitëse ose irrituese, psh. zemërimi mund të veprojnë në dy forma. Mund të ushqejë pasivitetin ose të nxisë veprimtarinë e organizmit.

Darvini ka treguar një rast që një person, i përdorte për qëllime të mira ndjenjat negative. Sa herë që ai ndodhej në një gjendjeje lodhjeje të madhe, i paaftë për të vazhduar punën, fillonte të shpikte në mendjen e tij zemërata imagjinare që ta inatoste veten dhe të vazhdonte punën. Dhe forma tjetër e klasifikimit është frenuese ose shtypëse.

Të gjitha këto ndjenja komplekse që përjetohen veprojnë në organizmin e njeriut. Psh. ndjenjat pozitive si: humori i mirë, pasionet, gëzimet, hareja, entuziazmi, kënaqësitë etj., mobilizojnë energjitë, e shtojne dhe e lehtësojne punen, veprimtarinë, ndihmojnë për të bërë një mënyrë të mirë jetese. Psh. emocioni i dashurisë ka një efekt kurues në trupin e njeriut. Ajo ndikon dhe çmohet konkretisht në jetë dhe në çastet kritike të njeriut.

Eshtë vërtetuar se, njerëzit që kanë vuajtur nga kanceri, por që kanë dashuruar, kanë jetuar dy herë më gjatë se kancerozët e tjerë që jetonin vetëm me frikën e vdekjes. Kur jemi gazmorë e të lumtur, kur jemi të dashuruar apo bëjmë me pasion dashuri, dëshira për të jetuar më gjatë është më e madhe dhe jeta merr një vlerë të veçantë.

0

Emocionet pozitive, mund të neutralizojnë veprimin e të ashtëquajturëve hormonet e stresit. Është vërtetuar se pesimistët janë të rrezikuar 25% më shumë nga vdekja para se ata të mbushin 65 vjeç. Kurse optimistët nuk e kanë fare këtë rrezik

Sipas një studimi të kryer në Universitetin e Uiskinsit, optimistët kanë në trupin e tyre një nivel më të lartë të qelizave vrasëse të frikës. Kjo aktivizon sistemin imunitar dhe gjithë organet e trupit të njeriut.

E kundërta ndodh me emocionet negative. Fatkeqësitë, vuajtjet shpirtërore, neveria etj. ndikojnë për ta frenuar dhe për ta shtypur psikikën. Ffrika kundërmon një erë të keqe, kurse depresioni i vazhdueshëm të shpie në varr. Merret me mend, sesa e dobëson forcën e trupit frika dhe depresioni.

Njerëzit që kanë përjetuar në fëmijërinë e tyre trauma të rënda shpirtërore, si, vdekjen e ndonjë prindi, apo divorcin e prindërve, përdhunimin etj janë tepër të ndjeshëm ndaj emocioneve negative dhe streseve.

 

Dimensionet e shprehjes së emocioneve

Çdo emocion shoqërohet me reagime të ndryshme fiziologjike gjë që pasohet me luhatje të dukshme të frekuencave të zemrës, të frymëmarrjes, të presionit të gjakut, të pulsit. Madje ndikimi iemocioneve në organizëm dhe veçanërisht në rrjedhjen e proçeseve fiziologjike është aq i madh sa që është bërë gati si lëgjendë. Tregohet një histori, se si një mjek, filozof dhe poet i Azisë së Mesme, u muar me përcaktimin e sëmundjes së një princi. Princi po tretej në sytë e njerëzve, kishte humbur gjumin dhe oreksin dhe ishte bërë indiferent ndaj çdo gjëje. Mjeku e kuptoi se i riu ishte dashuruar pa shpresë.

Ai e mori princin për dore në një mënyrë të tillë që t’ia ndiente pulsin dhe e shëtiti nëpër rrugët e qytetit. Kur kaluan pranë një shtëpie të varfër pulsi i princit nisi të rrahë fort. Mjeku e solli të atin e djalit tek ajo shtëpi dhe i tha:

“Këtu jeton arsyeja e sëmundjes së djalit tënd. Në rast se ti, do që ai të shërohet, martoji ata”! Me anë të kësaj lëgjende tregohet se pulsi është një shprehje tepër e hollë e emocioneve të njeriut.

Ndryshime të tjera fiziologjike janë shpeshtësia e frymëmarjes, tendosja e muskujve, rritja ose ftohja e temperaturës së trupit në varësi të emocionit që përjetohet.

Emocionet shprehen edhe nëpërmjet modifikimeve trupore apo modifikimeve të muskulaturës së fytyrës siç mund të jenë psh.: zmadhimi i bebes së syrit, rrudhosja e ballit, shtrëngimi i dhëmbëve, përplasja e duarve etj. Eshtë zbuluar se mund të realizohen rreth shtatëmijë (7000 ) kombinime të muskujve.

Sytë si pjesë e rëndësishme e fytyrës, marrin pjesë aktive në shprehjen e emocioneve me anë të cilave japim dhe marrim informacione të ndryshme.

Eshtë arritur në rezultatin se syri i majtë kupton emocionet. Ai ka më shumë kapacitet, në krahasim me syrin e djathtë, që të kuptojë emocionet e atyre që na shikojnë. Kjo ndodh se. syri i majtë është i lidhur me qëndrën e emocioneve të sitemit nervor, pra me anën e djathtë të trurit dhe kjo e lejon të dallojë tipin e emocioneve të atyre që kemi përballë.

 

Ndikimi i emocioneve në organizëm

Studimet theksojnë se në shprehjen e emocioneve merr pjesë jo vetëm truri, veçanërisht korja e tij që ka rëndësi për inerpretimin emocional si dhe hipotalamusi që koordinon motivacionin me emocionet, por i gjithë trupi merr pjesë në një mënyrë apo në një tjetër sepse emocioni që përjetohet jep një ngacmim të përgjithshëm apo një lloj aktivizimi trupor. Të gjitha ndjenjat e ndërlikuara që përjeton njeriu shoqërohen me ndryshime të çuditshme kimike në qelizat nervore dhe në gjak.

Truri është një organ kryesor që merr pjesë në emocione. Korja e trurit ka rëndësi për interpretimin e emocioneve. Sistemi limbik, veçanërisht hipotalamusi dhe amiglada luajnë një rol jetik për emocionin. Sistemi limbik merr pjesë në emocionet që janë të domosdoshme për të mbijetuar. Gjithashtu sistemi nervor simpatik na nxit në raste rreziku, dhe na përgatit që të ndeshemi ose t’i shmangemi rrezikut.

1

Emocionet shkaktare të sëmundjeve

Mjekët e vjetër kinezë, mjaft mirë e kanë ditur se emocionet luajnë rol të rëndësishëm në organizmin e njeriut.

Ato janë në gjëndje të shkaktojnë sëmundje të llojllojshme, madje edhe te njerëzit shumë të fortë. Mjafton që të godasin në vëndet më të ndjeshme të organizmit dhe sëmundja fillon të marrë hove. Të gjitha sëmundjet e shkaktuara prej gjëndjeve psikike apo çrregullimeve të saj, në mjekësi quhen sëmundje psikosomatike.

Këto sëmundje shfaqen në relacionin shpirt-trup. Siç mund të jenë krizat e panikut, stresi, depresioni. Përveç klasifikimit klasik të ndjenjave, ka edhe dy kategori të tjera që ndikojnë shumë në gjëndjen e organizmit.

Një ndër to është frustracioni, që është një gjëndje shumë e fortë emocionale, që vjen si rezultat i pengesave që bllokojnë një sjellje që sapo ka inicuar. Frustracioni mund të karakterizohet nga ndjenja e keqardhjes, mjerimit, mungesës së besimit, plogështisë, pasigurisë.

Një lloj tjetër është stresi, një situatë e vështirë emocionale dhe që shoqërohet me rritje të tensionit të gjakut, muskujve, syve, sekretimet e shumta të gjëndrave, ndryshime në vemprimtarinë e zemrës dhe të frymëmarjes, dobëson kujtesën dhe në përgjithësi dobëson sistemin imunitar.

Eshtë vërtetuar se njerëzit depresivë vuajnë më shumë nga zemra dhe sëmundjet e enëve të gjakut, kanë kocka të thyeshme dhe janë më të prekshëm ndaj sëmundjeve ankologjike.

 

Emocione që paraqiten nga stresi, janë të pa kontrolluara
Stresi si faktor kryesor i emocionit i shkakton edhe dëm sistemit nervor ku paraqiten mos kontrollimet që nxisin për diçka organizmin e njeriut, pavarësisht në çfarë aspekte paraqiten ato. Kjo nxitje ndryshe quhet edhe si bio-katalizator.
Hipofiza është një ndër organet, e cila ndodhet mbi trurin e madh dhe kontrollon të gjitha emocionet. Faktori kryesor i një emocioni jo kontrollues është nervoza, ku bëhet një çrregullim i materieve organike. Përsa i perket asaj që përcaktuar te meshkujt për këtë çështje, duhet me patjetër që të krahasohen emocionet e dy gjinive të kundërta, ndonëse, gjinia femrore është më e ndjeshme ndaj dhe marrim shembuj nga vetvetja, kurse meshkujt që e konsiderojnë veten si gjini më e fortë, në disa aspekte e kanë nga emocionet, të cilat i nxisin për veprime fizike. Në dy krahasimet e emocioneve femërore dhe mashkullore, që janë pothuajse të ngjajshme, arrijmë deri te pika kulminante ku mund të themi se emocioni mund të ilustrohet edhe me veprime, nga fakti se si ndjehesh, ashtu dhe vepron…

3

Inteligjenca emocionale

Shumica e autorëve të cilët, i këshillojnë lexuesit se si t’i zhvillojnë vlerat e fshehura, duke iu propozuar atyre të hyjnë në kontakt me emocionet e tyre.

Pse është kaq e rëndësishme?

Sepse, emocionet tona përbëjnë një faktor qe influencon në pjesën më të madhe mënyrën se si ne reaksionojmë, marrim vendime, raportohemi te sistemi ynë i vlerave dhe mënyrën se si komunikijmë me të tjerët. Në këtë mënyrë ne arrijmë t’i kontrollojmë emocionet tona dhe e thënë ndryshe mund t’i kemi gjërat nën kontroll.

“Inteligjenca emocionale, është aftësia për të perceptuar dhe shprehur, si dhe për të asimiluar emocione gjatë të menduarit, pra, për të kuptuar prizmin emocional dhe për të rregulluar emocionet tona dhe të të tjerëve” (Salovey, Mayer, Carusa).

Në këtë këndvështrim na është thënë gjithmonë:

  • Që të mos i shprehim emocionet tona, veçanërisht në publik sepse kjo do të thotë papjekuri.

•Se njeriu është një krijesë e arsyeshme.

•Tani shfaqen disa njerëz të shkencës të cilët na thonë se njeriu është qënie e emocionueshme si çdo qënie tjetër në tokë.

Atëherë kë të besojmë?

Deri më sot emocionet janë konsideruar:

· Si diçka nga të cilat duhet të shpëtojmë për të mos pasur pakënaqësira. 

· Që emocionet mund të edukohen dhe të mirat e përfituara nga kjo gjë mund të jenë të mëdha.

· Inteligjenca emocionale risjell imazhin për botën e njeriut.

· Që emocionet janë burimet më të rëndësishme të njeriut.

 

Suksesi në punët e përditëshme dhe ato në jetën shoqërore varen nga inteligjenca emocionale. Kërkimet kanë treguar se suksesi ynë në punë ose në jetë varet 80% nga inteligjenca emocionale dhe vetëm 20% nga intelekti. Inteligjenca emocionale na lejon që të jemi më krijues dhe t’i përdorim emocionet për të zgjidhur probleme.

 

Inteligjenca emocionale ka tre komponentë:

  • Njohja e vetë emocioneve.
  • Drejtimi i tyre dhe kuptimi.
  • Dhe marja në konsideratë e emocioneve të të tjerëve.

 

Disa prej emocioneve tregojnë për gjëra që ne nuk do donim t’i dëgjonim, pjesa më e vështirë është se si të mësojme t’i drejtojmë ato sa më mirë në mënyrë që të arrijmë qëllimet e duhura. Në këtë mënyrë është esenciale të kuptohet fakti që çdo emocion ka anën pozitive dhe negative të tij.

Nëse ana negative e inatit është e lidhur me faktin që i largon njerëzit që na rrethojnë, sepse tensionon trupin dhe prish arsyen. Ana pozitive e tij ka të bëjë me vetëmbrojtjen e individin dhe aftësinë për ta vënë në lëvizje atë. Dhe pasi këto etapa të kenë kaluar, atëherë mund të flitet për kuptimin dhe marrjen në konsideratë të ndjenjave të atyre që na rrethojnë.

 

Të provosh të zhvillosh inteligjencën emocionale, është shumë e rëndësishme, për këto arsye kryesore:

  • Krijon lidhje më të mira të personit, me njerëzit që e rrethojnë.
  • Bëhët shtytëse për një krijmtari të lartë.
  • Shfaqen aftësi të mira për tu motivuar vetë personi si dhe për të motivuar ata me të cilët punon ai.
  • Stimulohen aftësi më të mira për të udhëhequr të tjerët.

Është shumë e rëndësishme të dish të drejtosh dhe t’i kontrollosh emocionet. Një rol kryesor në këtë aspekt luan të qënit e njeriut optimist. Optimizmi hyn në emocionet pozitive. Gjëndja e lartë shpirtërore, të qeshurit me shpirt, bisedat gazmore, humori, stimulojnë sekretimin në organizmin e njeriut të hormonit kortizol, i cili forcon sistemin imunitar dhe mbrojtës të trupit të njeriut. Me fjalë të tjera,  mund të thuhet se, duke ditur njeriu se si të reagojë pozitivisht në momente më pak të mira, pra, nëpërmjet kalimit të pengesave, atëherë, mund të themi se, kjo paraqet një drejtim dhe avantazh të shkëqyer të emocioneve tona.

Inteligjenca emocionale nuk është një e dhënë fikse. Ajo edukohet dhe përmirësohet. Pikërisht këtu qëndron edhe leverdia e edukimit.
Përgjithësisht njerëzit me intiligjencë të lartë dinë të komandojnë emocionet e tyre më mirë, gjithashtu ata dinë dhe të shpëtojnë nga stresi, si dhe të mos arrijnë ta lëshojnë veten gjatë shpërthimeve emocionale dëshpëruese. Kjo nuk ka të bëjë me fshehjen e emocioneve sipas teorive Konfuciane. Konfuci pikërisht merret me manipulimin e emocioneve negative dhe mosnxjerrjen e tyre në sipërfaqe.

Aristoteli ka përshkruar njeriun super. Sipas tij, ai duhet të ketë pasur edhe EQ të lartë, sepse nuk binte pre e emocioneve pozitive apo negative.
Në qoftë se dikush do ta fyente, ai do ta kalonte fyerjen tangent. ” Atë – cilëson Aristoteli – nuk e prekin emocionet”…..

Të ndjesh, është një dhunti që nuk e posedojnë të gjithë njerëzit. Emocionet i japin ngjyrë jetës, dashurisë, prandaj janë ato të cilat  e bëjnë të veçantë secilin prej nesh.
Një studiues cilëson: “Nuk do të doja që emocionet të më shtyjnë përpara pa kontroll, por asnjëherë, s’do të doja të mos përjetoja gjithë atë mrekulli që nganjëherë, vetëm emocionet ta ofrojnë.

Emocionet përcjellin dhe janë pjesë përbërëse e sjelljes dhe e përjetimit të njeriut, ne për çdo moment përjetojmë më pak ose më shumë ndjenja të fuqishme të gëzimit, pikëllimit, dashurisë, ngushëllimit, simpatisë, krenarisë, mendjemadhësisë, të turpit, falenderimit, brengosjes, frikës, pritjes, shpresës etj. Të gjitha këto dhe shumë ndenja të tjera që i perjeton njeriu janë të lidhura me objekte, persona, ose situata të caktuara që janë shkas i drejtpërdrejtë ose i tërthortë i përjetimeve.

Për emocionet ka mendime dhe formulime nga më të ndryshmet si:

  • Emocionet nuk paraqiten vetvetiu, pra, pa shkas, ato janë proçese psikike në të cilat shprehet vlera që për përjetuesin kanë një realitet objektiv.
  • Emocionet janë pjesë përbërëse e sjelljes dhe e përjetimit të njeriut…..emocionet nuk paraqiten vetvetiu, pa shkas. Ato shkaktohen me ndonjë ngjarje nga rrethana të caktuara.
  • Emocioni është një shtytje nervore i cili e bën një organizëm të veprojë.
  • Emocioni është një gjendje mendore e fuqishme dhe e pandërgjegjshme që shoqërohet shpesh nga ndryshime fiziologjike si gëzimi, dashuria, keqardhja, urrejtja, nderimi etj.
  • Emocioni është edhe një gjendje mendore ngacmuese apo shqetësuese dhe ndijuese.

 

Quajini si të doni… quajini emocione, quajini ndjenja, pasione, gjendje shpirtërore, turbullime të mendjes…e të tjera, quajini si të doni por duhet pa tjetër t`i vlerësoni në nje farë mënyre dhe  mos i groposni. Ndryshe rrezikoni që t`ju shpërthejnë në duar dhe nuk do dalni të fituar.
Kemi dy mendje, njëra për të menduar e tjetra për të ndjerë. Megjithatë, arsyeja po mposht gjithmonë e më shumë ndjenjën. Shpesh emocionet konsiderohen të bezdisshme dhe sikletshme, por edhe si impulse që duhen mposhtur, duke u quajtur dhe si dobësi të kota, sidomos nga ana e djemve.

Në këtë aspekt ka dhe një farë paragjykimi… të tillë si:

  • Përse vallë përpiqen disa që të edukojnë veten për të kontrolluar emocionet, që t’i minimizojnë ato dhe të mos lejojnë të shfaqen?
  • Pse duhet që meshkujt, meqë mbahen  si seksi  i fortë, të tregohen “të fortë” edhe në këtë aspekt?
    Mos ndoshta ky analfabetizëm i zemrës po na shndërron në budallenj e të pandjeshem?

 

Prof. Niko Frijda (1988) një nga psikologët më të fuqishëm të kohës ka bërë të ditur disa ligje të emocionit si:

  1. Ligji i kushtëzimit të emocionit nga situata shpall se në situata të ndryshme emocionet shfaqen me nivele të ndryshme. Jo gjithmonë reagojmë njësoj karshi të njëjtit fenomen. Pra emocioni kushtëzohet nga gjendja në të cilën ndodhemi.
  2. Ligji i shqetësimit shpall se emocionet shfaqen si përgjigjje ndaj ngjarjeve që janë të rëndësishme për qëllimet dhe motivet e individit. Sa më e rëndësishme është ngjarja, aq më i fuqishëm është emocioni.
  3. Ligji i realitetit të dukshëm tregon se emocionet shkaktohen nga ngjarje të cilat individi i percepton si reale.
  4. Ligji i ndryshimit lidhet me atë që emocionet  rrjedhin në përgjigje të ndryshimeve të pritura nga individi në kushte  të volitshme  ose  të pavolitshme.
  5. Ligji i përshtatjes shpjegon se kënaqësia e vazhdueshme bën që ndjenja pozitive të humbas. Nuk mund të jemi pra në gjendje të përhershme kënaqësie. Gjendjet emocionale duhet të alternohen për të marrë kuptim.

4

Çrregullimet emocionale

Çrregullimi emocional është pjesë e çrregullimeve psikologjike që mund të vihen re që në moshë të vogël. Ai shoqërohet shpesh me prishje të theksuara të humorit dhe të ekuilibrit emocional, shfaqet përmes niveleve të larta të frikës, të ankthit të fobive apo dhe të varësive të ndryshme që krijon individi.

Çrregullimi emocional bëhet shkak për devijim të gjëndjeve emocionale nga normalja.

 

Disa nga çrregullimet emocionale mund të përmendim:

  • Çrregullime të ankthit të përgjithësuar
  • Çrregullimet afektive
  • Mania

Inteligjenca emocionale nuk është një e dhënë fikse. Ajo edukohet dhe përmirësohet. Pikërisht këtu qëndron edhe leverdia e edukimit. Individët me çrregullime të ankthit të përgjithësuar jetojnë për një kohë të gjatë me një gjendje psikike të papërcaktuar, pa kuptuar ndonjë objekt apo situatë konkrete që i shqetëson emocionalisht.

 

Shenjat më karakteristike të ankthit të përgjithësuar janë:

Rritje e tensionit muskulor, dridhje, shqetësim i vazhdueshëm dhe lodhje, hiperaktivitet, mosmbushje me frymë, rrahje të shpejta të zemrës, djersitje, marrje mëndsh, tharje e gojës, të dridhura dhe urinim i shpeshtë, pagjumësi etj.

Personat me çrregullime afektive shoqërohen me tepri emocionale dhe me depresion. Kështu psh. në gjendje depresioni emocionet qëndrojnë për një kohë të gjatë në një pikë të ulët. Individi plogështohet, humbet çdo interes për jetën, mbyllet tej mase në vetvete, përjeton gjendje të rëndë shpirtërore dhe e gjitha kjo mund të shoqërohet me ndjenjën e të qënit pa vlerë.

Mania përfaqëson një ngritje emocionale të paarsyeshme, një eksitim të tepruar, aktivitet të shtuar dhe optimizëm jorealist. Mania mund të shprehet edhe në formën e një çrregullimi bipolar që karakterizohet nga luhatje të skajshme ose nga kahe ekstreme të gjëndjes së përgjithshme emocionale. Në gjendje të tillë,  individi kalon nga një eksitim i madh, i tepruar në melankoli të tepëruar.

Në shkencën e psikologjisë është pranuar teza se çrregullimet emocionale janë të lidhura në mënyrë të dukshme me vëmendjen dhe kujtesën e individit, pasi këto kanë një ndikim të fortë dhe sistematik tek ai.

Shumë studime tregojnë se është vëmendja ajo që ushtron ndikim sistematik te tipat me ankth, ndërkohë që te depresivët ndikimi i saj është më i vogël.

Me kujtesën ndodh e kundërta. Ajo shfaq ndikime sistematike më tepër tek tipat depresivë, ndërkohë që provat me tipa ankthiozë kanë dhënë rezultate që tregojnë se kujtesa nuk është nën ndikime të tilla.

Çrregullimet emocionale ndikojnë edhe mbi gjykimin. Individët e shqetësuar emocionalisht, mund të veçohen lehtë prej atyre që janë në gjëndje normale dhe nga mënyra se si gjykojnë, duke u nisur nga vlerësimet dhe gjykimet që japin për ngjarjet që përjetojnë.

Personat depresivë janë më pak të bindur në gjykimet e veta në raport me personat e tjerë. Por studimet e fundit tregojnë se nuk është plotësisht kështu. Edhe pse depresivët, duke qënë se janë më pak pozitivë për predispozicionet e tyre, ata janë më të vëmendshëm për gjykimet që shprehin si dhe tepër të bindur për ato që thonë.

Emocionet, luajnë rol të rëndësishëm në të gjithë veprimet dhe sjelljet e njeriut, si p.sh. në zgjidhjen e problemeve, në të kuptuarit, apo në memorizimin e përmbajtjeve të caktuara. Kjo do të thotë se, kur truri ynë nga emocione intesive, apo aftësitë tona konjitive mund të bëhet më produktiv, pa mohuar faktin se, në mjaft raste  ato edhe mund të dëmtohen prej tyre. P.sh një aktivizim i fortë emocional i provokuar, mund të prishi funksionin normal të trurit dhe mund të ndikojë në vënjen në lëvizje të kujtesës së punës.

Si te çdo njeri, qoftë ky dhe nxënës, kursant, student, apo dhe punonjës policie, në qoftë se, ka rezultate të dobta në mësime, ose në punë, arihet te ata që të aktivizohet një gjëndje emoconal që provokon një seri pasojash negative si domos, në të mbajturit mend.

Për të shpjeguar se si emocionet marrin pjesë në procesin e të nxënit studjuesi  Demetriu (1996) e quan atë një cikël që kalon nëpër katër etapa kryesore:

  • Pritja
  • Çudia apo mahnitja
  • Tundimi
  • Shkëputja

 

Grafiku i emocioneve

 

 

 

2 

Pritja: Shënon etapën e parë të ciklit emocional. Individi për të marrë, thithur informacionin, duhet të shohë ngjarjen. Dhe në të pastajmen pret të përgjigjet apo përshkruajë ngjarjen si dhe të marrë rezultatin apo vlerësimin. Kjo gjendje sjell shqetësim, apati, dhe shkaqe për tensione të brëndshëm.

Çudia ose mahnitja: Kapërcimi i pritjes mund të përjetohet pozitivisht por edhe negativisht, si një element që sjell qartësi individit (kur është i suksesshëm), por mund edhe të ndodhë që dhe mos përgjigjet mirë, apo të kryejë një punë mirë (s`është i suksesshëm) dhe ai ngatërohet dhe çoroditet për gjithëçka.

Tundimi: Mund të përjetohet diçka që të tërheq, që të nxit dhe që të forcon qëndrimet pozitive ndaj dijes. Por edhe mund të ndodhë e kundërta që të shmangë apo të largon nga një përmbajtje e cktuar, pra krijohet situata për qëndrime negative ndaj dijes ose ndaj çdo veprimtarie tjetër.

Shkëputje: Kjo fazë ka të bëjë me atë që, kur individi përpiqet të dalë ose të largohet gradualisht prej gjëndjes emocionale të përjetuar. Mbyllja e këtij cikli të çon përsëri te pritja ose te faza e parë.

 

Kur njeriu bie pre e Vampirëve ”Emocionalë”

Në veprimtarinë psikike të njeriut dominojnë midis të tjerash edhe dy prirje të mëdha si:

  1. Ndjenja sociale
  2. Synimi i individit drejt pushtetit dhe sundimit

Këto dy prirje ndikojnë në të gjitha llojet e veprimtarisë njerëzore dhe lënë gjurmë të orientimit social te çdo individ, si gjatë synimit të tij për vetëmbrojtje ashtu edhe gjatë plotësimit prej tyre të tre detyrave të mëdha jetësore si:

  1. Dashuria
  2. Puna
  3. Komunikimi

Në këtë kontekst mund të themi se: marrëdhëniet e ndërsjella të këtyre faktorëve përcaktojnë aftësinë e individit për të arritur logjikën e jetës shoqërore dhe rrjedhimisht, ka të bëjë me aftësimin e tij për t`ia nënshtruar vetes ndarjen e punës e cila rrjedh nga kërkesat e kësaj marrëdhënieje në aspektin shoqëror.

Ndarja e punës përfaqëson në vetvete faktorin më të rëndësishëm në jetën e shoqërisë njerëzore. Në këtë sens çdo njeri, i cili mohon vlerën e jetës shoqërore, sipas përcaktimit që i bën psikologjia individit ai është një antisocial i cili e le veten jashtë shoqërisë njerëzore.

Në rastin më të thjeshtë duke iu referuar kësaj natyre kemi të bëjmë me:

  • Egoizëm
  • Zemërim
  • Individualizëm
  • Rebelim

 

Ndërsa në rastin më të ndërlikuar kemi të bëjmë me prezantime individësh që shfaqin hapur gjendjen e tyre si:

  • Debilë (tuhafë)
  • Parazitë
  • Me ndjenja hakmarrëse
  • Paragjykues
  • Cinikë
  • Thashethemexhinj
  • Të skamur nga ana shpirtërore dhe të ftohtë, për të kryer pa hezitim deri dhe krime

 

Këta  tipa të tillë i dënon shoqëria së pari moralisht e së dyti ligjërisht, sepse shfaqin tiparet e karakterit të tyre me vetëdije, të cilët quhen apo cilësohen si të pa përshtatshëm në lidhje me marrëdhëniet dhe kërkesat e mirëpranuara të jetës dhe veprimtarisë shoqërore.

Në këtë prizëm, vlera e cilido individi, përcaktohet nga qëndrimet e tij ndaj vetvetes  të të tjerëve si dhe  shkallës së pjesëmarrjes, në ndarjen e punës, marrëdhënieve me të tjerët, për ide koncepte, të cilat i kërkon dhe i shërbejnë jetës shoqërore.

Në këtë kuptim nëse njeriu e pranon këtë jetë shoqërore, kjo i jep atij rëndësinë dhe vlerësimin në sy të njerëzve me të cilët bashkëjeton dhe punon të një njeriu me vlera dhe nuk vonon dhe e pranon si një hallkë në hallkat e zinxhirit të madh, që lidh anëtarët e shoqërisë.

Pra, kuptohet se vendi i individit në shoqëri kuptohet dhe vlerësohet nga aftësitë intelektuale, dhe vlerat e tij morale për t`iu përshtatur harmonisë dhe mikroklimës së shoqërisë, si një promotor i bashkëjetesë së saj.

Në të gjitha rastet kur individët kanë shkelur ndarjen e punës, respektimin e rregullave që sigurojnë marrëdhëniet shoqërore, dashje pa dashje ata refuzojnë haptazi të adaptojnë rolin e tyre në komunitetin apo shoqërinë ku bëjnë pjesë, do të thotë se ata frymëzohen nga një prapavijë e brendshme mjaft e fuqishme, që i trondit dhe i prish marrëdhëniet ndërpersonale deri dhe në çakordim të personalitetit, duke shfaqur haptazi dhe pa hezitim, ambicien për pushtet, të shoqëruar me egoizëm të shfrenuar apo të pa kontrolluar.

Por më e keqja e këtyre njerëzve qëndron se ata e pranojnë këtë gjendje çrregulluese dhe për sa kohë nuk e kuptojnë ajo bëhet bashkudhëtare apo sinonim i jetës, që në çdo hap e ndjekin emocionet, që shpërthejnë me shkak e pa shkak, se ato bëhen një rregullsi e natyrshme, ku pa ato ai nuk jeton dot, pra duket i zbrazët, ndaj ai në çdo rast kërkon “viktima”, që të shpërthejë, pra të zënë veten me”punë”.

Pasi kryen veprimet e pa kontrolluara ky i individ përfshihet e bie pre e disa faktorëve stresues (më të shumtit psikologjikë), që ndikojnë dhe bllokojnë gjendjen e tij shpirtërore, të cilat bëjnë të mundur, që të ndjehet keq. Këto sjellje shfaqen rëndomtë si në ambientet shoqërore dhe ato familjare. Pra shkurt ky njeri ka rënë në grackën e “vampirëve” emocionalë.

Së fundmi, është mjaft e vështirë të përcaktosh, karakterin individual te këta njerëz me këto simptoma të tilla, kanë shkallë të ulët zhvillimi dhe cilësi të ultë e deri aspak të ndjenjave sociale në lidhje me të tjerët, madje dhe kënaqet kur të tjerët heqin dhe vuajnë.

Përfundimisht ky njeri me këto simptoma është i sëmurë dhe që të ekuilibrohet shpirtërisht e të shkëputet nga çrregullimet e personalitetit me patjetër duhet t`i nënshtrohet këshillave klinike të një psikologu me shumë përvojë.

I gjithë ky mendim u shtjellua duke iu referuar një sjelljeje konkrete të një individi.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top