Në fokus

November 4, 2017 | 8:10

Nuk është turp të shkosh te psikologu

Përgatiti: Manjola EREQI

KUSH I DREJTOHET NJË PSIKOLOGU, ZAKONISHT SHKON PASI E KA MENDUAR MIRË DISA HERË, PASI KA PYETUR VETEN NËSE ËSHTË NJË HAP VËRTET I DOMOSDOSHËM DHE PASI KA MARRË PËRGJIGJEN SE I KA BËRË TË GJITHA PËRPJEKJET, E PAVARËSISHT GJITHÇKAJE NUK ËSHTË NË GJENDJE T’IA DALË VETË MBANË NJË PROBLEMI. SHPESH BËHET FJALË PËR NJË VENDIM QË MERRET ME ZEMËR TË THYER, NDONJËHERË ME INAT DHE TURP. POR PËRSE ËSHTË KAQ E VËSHTIRË T’I KËRKOSH NDIHMË NJË PSIKOLOGU? PSE ËSHTË KAQ E VËSHTIRË TË KËRKOSH NJË KONSULENCË PËR TË ZGJIDHUR DISA VËSHTIRËSI QË RREZIKOJNË TA BËJNË JETËN TË PAMUNDUR PËR T’U JETUAR?

1

Ka nga ata njerëz, ndoshta duke ndjekur këshillën e një miku apo të afërmi, që s’e kanë aspak problem t’i kërkojnë ndihmën një psikologu dhe ka njerëz të cilët e kanë realisht të vështirë të kërkojnë ndihmë, për arsye nga më të ndryshmet.

Frikë se mos u konsiderojnë si dështak

Për disa njerëz është fyese dhe irrituese t’i drejtohen një të huaji për të zgjidhur probleme që ata vetë nuk i zgjidhin dot. Vetëm ideja që t’i kërkojnë ndihmë dikujt, i bën të ndihen keq, i shtyn ta gjykojnë veten si të paaftë apo dembelë, të pazotë të përkushtohen e të reagojnë, dështakë. Ndoshta janë njerëz që gjithnjë i kanë zgjidhur vetë problemet e tyre dhe nuk e kuptojnë pse nuk ia dalin më vetë mbanë, nuk e kuptojnë se përse nuk munden më të mbajnë nën kontroll gjithçka. Me pak fjalë, për këta persona, të shkojnë te psikologu për të kërkuar ndihmë, do të thotë të bëjnë kompromis me narcizmin e vet dhe me dëshirën e vetëmjaftimit: kërkesa për ndihmë është një sulm kundër vetëbesimit të tyre. Por këta persona harrojnë që të gjithë kanë nevojë për të tjerët, për të ndarë gëzimet e vuajtjet.

Frika nga gjykimi

Ekziston edhe frika nga gjykimi, pra frika se mos ju marrin për të çmendur apo se mos ju shohin në mënyrë negative vetëm sepse keni vendosur t’i drejtoheni një psikologu. Ky është një paragjykim që rrënjoset në një kulturë që i konsideron ata që vuajnë në nivel psikologjik si njerëz të gabuar, nga të cilët është mirë të qëndrosh sa më larg. Rezultati është që ata që ndihen keq kërkojnë ndihmë vetëm kur nuk ia dalin më dhe ndonjëherë nuk e kërkojnë fare këtë ndihmë, duke preferuar të bashkëjetojnë me marrëdhënie të pakënaqshme si depresion, ankth, probleme në sjelljen e ushqyerjes apo varësi, për të cilat ndërhyrja e psikoterapeutit do të ishte e efektshme. Frika se mos i gjykojnë, pra frika për të qenë të sinqertë deri në detaje me psikologun, i korrespondon një kritike. Në të vërtetë, një psikologu nuk i intereson të gjykojë pacientin e tij, por të kuptojë se çfarë ndodh brenda tij, si ai e sheh botën.

Frikë nga ndryshimi dhe pesimizmi

Kush ka frikë të shkojë te një psikolog, e bën këtë sepse është i bindur se për problemet e tij nuk ka një zgjidhje e nuk është asfare e mundur që gjërat të ecin mbarë. Por ky pesimizëm mund të fshehë tjetër gjë, për shembull frikën nga ndryshimi ose ndjesinë se nuk ka të drejtë të marrë ndihmë. Frika e ndryshimit është një aspekt që mund të duket paradoksal, sepse mendohet që nëse dikush shkon te psikologu, e bën pikërisht për këtë arsye, për të ndryshuar. Thelbi është që ndryshimi sjell gjithmonë një ndarje të dhimbshme nga mënyra e të qenit, nga të menduarit dhe sjellje që na shoqërojnë prej një jete dhe që janë shumë familjare. Disa njerëz tremben përballë ndryshimit, sepse bëhet fjalë të ndryshojnë mënyrën e të qenit, që i bën të ndihen keq dhe preferojnë të mendojnë se duhet të jenë të tjerët që duhet të ndryshojnë, jo ata. Këta persona harrojnë ose injorojnë që në këtë proces ndryshimi, nuk do të jenë vetëm dhe psikologu do të jetë pranë tyre e do t’i ofrojë mbështetje pa kushte.

Frikë nga ndjenjat

Disa persona evitojnë psikologët, sepse nuk duan të flasin për mënyrën se si ndihen, nuk duan të hyjnë në kontakt me ndjenjat e tyre më të dhimbshme. Por psikologu mund të jetë një ndihmë pikërisht në përballjen e ndjenjave, pasi u jep atyre një emër dhe një formë.

Frikë nga varësia

Njerëzit e kanë të vështirë t’i kërkojnë ndihmë një psikologu, sepse mendojnë që do të bëhen të varur dhe të paaftë për të vendosur çfarëdolloj gjëje pa e konsultuar më parë me të. Nga ana tjetër, një psikolog e ndihmon një njeri për të bërë të frytshme të gjitha burimet që ka dhe që ndoshta i injoron, duke e shtyrë kështu drejt pavarësisë.

Frikë se mos kushton shumë

Në fund, çështja e financave: ka shumë njerëz për të cilët shpenzimi i një konsulence dhe një psikoterapie të mundshme, është e papërballueshme dhe bëhet fjalë për një të dhënë objektive. Megjithatë, për të tjerë kostoja financiare është vetëm një mbrojtje për të mos parë brenda vetes dhe për të mos u vënë në lojë përballë psikologut.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top