Këshilla & Arsye

November 4, 2017 | 8:01

Armët e rralla të shqiptarëve brenda një ekspozite mahnitëse në Muzeun Historik Kombëtar

Që shqiptarët kanë luftuar historikisht me armë në dorë nuk është thjesht një slogan. Dhe po t’i referohesh fakteve të prekshme do të gjesh shumë të tilla, të ruajtura e konservuara nëpër muze rrethesh dhe më së shumti në Muzeun Historik Kombëtar.

2Pikërisht në kuadër të 105-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, në Hollin Kryesor të Muzeut Historik Kombëtar u organizua ekspozita “Armë të mjeshtërve shqiptarë”. Në këtë ekspozitë janë ekspozuar 47 objekte: 21 kobure, 8 pushkë, 10 vezme, 2 harbi dhe 6 jataganë. Armët ilustrohen edhe me fotografi, me anën e të cilave pasqyrohet puna artistike e armëtarëve shqiptarë. Zbukurimet e armëve janë bërë me teknikën e filigranit.
1Sipas drejtorit të Muzeut Historik Kombëtar, Dr.Dorian Koçit, kjo vërteton se shqiptarët ishin mjeshtër në punimin dhe zbukurimin e armëve. Për të pranishmit në çeljen e ekspozitës Dr.Dorian Koçi shpjegoi se, nëpër vitrinat Muzeut Historik Kombëtar janë të ekspozuara mjaft armë origjinale, pushkë, kobure, jataganë, vezme etj., të prodhuara dhe zbukuruara në mënyrë artizanale prej armëtarëve të kohës. Për këtë ai citoi dhe Faik Konicën, i cili ka thënë: “Dy kanë qenë mjeshtëritë më të mira të shqiptarëve – argjendaria dhe qëndistaria. Armët e tyre ishin të punuara me argjend, por edhe të lara me ar”.
Në fund të shek. XVIII dhe në fillim të shek. XIX pati një zhvillim të gjithanshëm të zejtarisë, përfshirë edhe zejtarinë e prodhimit të armëve. Ushtritë e dy pashallëqeve të mëdha shqiptare – të Bushatllinjve, me qendër në Shkodër dhe të Ali Pashë Tepelenës, me qendër në Janinë, patën nevojë edhe për prodhimin e armëve të zjarrit. Një faktor themelor që i dha hov zejtarisë së punimit të armëve të zjarrit qe pasuria minerare.
Udhëtari turk, Evlia Çelebi, në shënimet që ka mbajtur gjatë udhëtimeve të tij, thotë se, armët punoheshin me mjeshtëri dhe elegancë.
3Për më tej, drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dr.Dorian Koçi tha se, “një nga armët më të përdorura të zjarrit ka qenë pushka e gjatë, e cila u quajt nga turqit karajfilja shqiptare. Në këndin e pashallëqeve dhe në Pavijonin e Rilindjes Kombëtare ka disa pushkë të tilla”. Pushka e krahut (karajfilja) prodhohej në qendrat zejtare të vendit: Shkodër, Prizren, Dibër, Berat, Elbasan dhe Janinë. Në Elbasan janë prodhuar armë zjarri që prej vitit 1670. Shqiptarët e Shkodrës, Gjakovës dhe të Prizrenit qenë mjeshtër në punimin e armëve dhe të objekteve të tjera prej metali.
Por, duket se fama e armëve të prodhuara prej shqiptarëve ka shkuar shumë larg. Në Konkursin e Londrës në vitin 1866, ato armë morën tituj nderi. Në Ekspozitën Universale të Parisit në vitin 1867 pati armë dhe disa punime filigrani, të prodhuara në punishtet e Prizrenit, të cilat nuk qëndronin më poshtë se ato të armëpunuesve më të kualifikuar të Europës. Ndërsa në Ekspozitën Universale të Çikagos, të vitit 1894, qe vendosur edhe një martinë, e punuar me mjeshtëri të hollë nga dora e një armëtari të talentuar nga Tetova.
Ekspozita “Armë të mjeshtërve shqiptarë” do të jetë e hapur në hollin kryesor të Muzeut Historik Kombëtar nga data 3 nëntor deri më 13 nëntor 2017.

5     4 6  7

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top