Posta

October 4, 2016 | 7:20

Nuk mund t’i humbas miqtë

Pak kohë më parë jam ndarë nga partneri dhe ndihem aq keq sa mezi po vendos rregull në jetën time. Më shqetëson fakti që shtëpia ime është një lëmsh i vërtetë, por nuk kam shumë dëshirë për ta sistemuar. Ndihem aq keq saqë nuk kam dëshirë as të dal me mikeshat e mia, të cilat më ftojnë shpesh për kafe duke ditur periudhën që po kaloj. Ajo që më shqetëson, është se mos ndoshta do të ndahem dhe nga njerëzit që më rrinë afër.

Nga Denata Toçe Psikologe Këshillimi

Nga Denata Toçe
Psikologe Këshillimi

Kur dy partnerë ndahen, post procesit mbartin një trysni reflektimesh rreth rrugëtimit të shkaqeve që çuan deri në pasojë. Edhe pse jo thellësisht të njëanshëm fajtor në ngjarje, të dy gjenden përballë faktit të trishtueshëm që nuk janë më bashkë ose sa shumë kanë duruar bashkë. Në vullnetin për të ndërtuar marrëdhënien në çift, ndodh që të dy partnerët lënë gjurmë në sistemimin e rutinës së përbashkët. Kjo e ndihmon egon të bashkëpunojë për të funksionuar dy-she. Reflekset e të jetuarit në bashkëpunim janë peshë e rëndë emocionale për partnerët, ndaj dhe faza post ndarjes fizike apo shpirtërore është një proces që kërkon kohë. Në të shumtën e rasteve ndarjet përjetohen me episode ose gjendje deprimimi pikërisht për këtë shkak. Ndaj dhe ju jeni në këtë situatë, të demotivuar për të kryer veprime të tjera, pasi e keni mendjen të “zënë” me mendime, reflektime, kryesisht të nevojshme, por pa shmangur ato mendime vicioze e irracionale. Thjesht ju duhet kohë të mësoheni me zakonet e reja që jeta ofron. Edhe pse nuk keni dëshirë të dilni me miq, sforcohuni të gjeni një rrugë të ndërmjetme nga propozimi që ata bëjnë. Zgjidheni ju vendin dhe mënyrën, por çoheni veten nga krevati, nxirreni nga shtëpia dhe shtyjeni të mendojë se gjëra të reja do të vijnë. Ju ndoshta mendoni të kundërtën por, nëse nuk lëvizni nga statusi që keni, atëherë nuk keni për ta zbuluar asnjëherë. Veprimet e neglizhencës mbi shtëpinë, miqtë dhe të tjera të ngjashme kanë një kuptim racional në situata dëshpërimi, por nëse gjendja në fjalë zgjat më shumë se 6 muaj dhe vështirëson kështu jetën tuaj të përditshme, atëherë është e udhës që të shihni një profesionist të fushës për mbështetje të mëtejshme.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top