Në fokus

October 4, 2016 | 7:29

Ti je e bukur!

Psikologe Hipnoterapiste Klinike Pedagoge pranë UET

Psikologe
Hipnoterapiste Klinike
Pedagoge pranë UET

Një femër është e bukur në të gjitha dimensionet e saj. Një femër ndodh të diagnostikohet me tumor në gji dhe është normale që në momentin e parë të trembet, ta mohojë, të mërzitet apo të shokohet. Por një femër është aq e fortë sa gjen mënyrat për ta përballuar të gjithë këtë situatë. Ajo është e fortë, sepse mendon më shumë për fëmijët, prindërit, bashkëshortin, të afërmit që e rrethojnë, pasi një femër ka lindur për t’u kujdesur dhe për të dashur (përveç vetes) e treguar kujdes për të tjerët. Një femër e diagnostikuar me tumor e di këtë gjë, shkon në kimioterapi dhe, pasi mbaron, shkon edhe në punë. Kjo është forca e një femre. Raste të tilla janë pa fund.

Një paciente më shkruan një ditë se po shkonte jashtë vendit për t’u operuar, sepse ndodhi ajo që kishte pasur frikë, pra një tumor në gji. Ajo e kishte mbajtur brenda këtë frikë për një kohë të gjatë, por tani i duhej të përballej ashtu si di një femër, të nxjerrë të gjitha fuqitë e saj për t’i shkuar deri në fund një situate. Kjo grua e fortë diti si ta përballonte operacionin, se si të mbante fort edhe bashkëshortin dhe ta qetësonte se ajo nuk do të ikte kaq shpejt. Gruaja u rikthye duke vazhduar jetën normalisht: filloi punën, merret me lulet, që është dashuria dhe një nga pasionet e saj. I mjaftoi t’i vidhte vetëm një këshillë mjekut që ajo ta kuptonte të gjithë filozofinë e këtij procesi. Filloi rrugëtimin nëpër fshatrat dhe malet e zonës së vet, ku mblidhte të gjitha llojet e çajrave, bimëve dhe luleve që kishin veti kuruese. Gjithçka gjendet në natyrë, aty nga ku filloi jeta dhe njerëzimi. Kjo ishte terapia më e mirë për këtë njeri, për këtë grua dhe për bashkëshortin e saj. Natyra shëron çdo gjë, sepse në çdo gjethe që ajo prekte ndiente forcën dhe bukurinë e jetës. Shkoi edhe në male, ku mblidhej nektari i vet luleve dhe shijonte lirinë e shpirtit. Vetëm një femër mund t’ia dalë kaq mirë dhe ta kalojë situatën në mënyrën më të këndshme të mundshme, sepse një femër nuk rresht së dhëni dashuri, përkujdesje, vëmendje edhe në momentet më të vështira të saj. Kjo grua e fortë vazhdon të marrë ilaçet, vazhdon terapinë, vazhdon punën, duke i bërë klientët të ndihen të kënaqur, vazhdon të kujdeset për bashkëshortin e saj, vazhdon të jetojë jetën e saj. Nëse dikush do të më pyeste se nëse kam frikë nga vdekja, do të përgjigjesha jo, sepse për mua vdekja nuk ekziston. Në këndvështrimin tim vdes vetëm trupi, ndërsa shpirti vazhdon ekzistencën e vet. Ne jemi qenia më e bukur, sepse ekzistojmë në trup fizik, por shpirti është ai që e zbukuron akoma më shumë këtë trup. Një femër është e bukur, edhe nëse e heq njërin gjoks apo ndodh edhe të dy, sepse qenia femër nuk është vetëm “gjoks”. Gjëja më e bukur është që, kur një femër diagnostikohet me tumor në gji, fillon dhe shqetësohet për të tjerët që e rrethojnë, pra shpirti i saj i kalon kufijtë e vlerave të egoizmit fizik. Në qoftë se femra ka partnerin mbështetës, ajo nuk shqetësohet më nëse do të jetë e bukur apo jo për të. Femrat kanë kaq shumë dashuri saqë, nëse ndodh ky moment, duhet që një pjesë të mirë të saj t’ia kalojë vetes, sepse është momenti kur duhet të sakrifikojnë për veten që të jenë të afta ta përcjellin tek të tjerët. Një mikja ime, një grua e fortë, brilante luftoi me tumorin dhe e fitoi betejën. Ajo ishte femra më e bukur kur hoqi parukën dhe flokët i kishte më të shkurtra se të miat. Unë ndihesha e dobët përpara saj kur më thoshte se sapo kishte ardhur nga spitali dhe, duke më folur, vazhdonte punën me vrullin më të madh, sepse e pohonte që puna i kishte dhënë forcë. Po, nëpërmjet punës, ajo kuptonte se jetonte, se kishte forcë, se tumori mund të ikë po ashtu si dhe erdhi, por edhe nëse nuk jemi të sigurt për këtë, për një gjë jemi të sigurt: MOMENTIN.

Kush tjetër është i sigurt për të ardhmen dhe e ardhmja është edhe e nesërmja. I vetmi moment i sigurt është e tashmja, është ajo që përjetojmë në këtë çast, por nuk duhet të na qaset tumori që t’i japim vlerë momentit. Gjëja më e bukur që mund t’i dhurojmë një njeriu dhe, për më tepër, një femre të diagnostikuar me tumor është dashuria, e cila nuk vdes asnjëherë, ajo është energji që nuk zhduket asnjëherë. Le të përjetojmë momentin dhe njerëzit, sepse gjithkush ka ardhur në këtë tokë, në këtë jetë, për të bërë Ti je e bukur! më të mirën dhe për t’i dhënë jetës pasionin. 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top