Përgatiti Esmeralda Birçaj, eksperte e shëndetit mendor
Nëse një ditë partneri juaj ju tregon vëmendje dhe interes dhe ditën tjetër ai zhduket pa ndonjë arsye, nëse një ditë ju ndjeni ngrohtësinë e dashurisë së tij dhe tjetrën ftohtësinë e indiferencës së tij, dijeni se ai po luan lojëra me ju!
Kjo është strategjia “nxehtë – ftohtë” që ju bën të ndiheni sikur nuk e dini se çfarë do të ndodhë më pas. Ju nuk keni besim në marrëdhënien tuaj. Ju vazhdimisht pyesni “Mos kam thënë diçka gabim?”, “Mos kam bërë ndonjë gabim?” dhe dyshon në vetvete. As nuk të shkon nëpër mend të sfidosh tjetrin!
Në këtë mënyrë, partneri juaj ju bën që të jeni në gatishmëri të përhershme. Ju po prisni që ai t’ju japë një shenjë për të ditur se çfarë të bëni. Kështu që jeni vazhdimisht në vëzhgim. Pavarësisht nëse partneri juaj po luan me vetëdije lojën e “nxehtë – ftohtë”, ose po e bën atë pa vetëdije, thelbi është i njëjti: është një lojë fuqie, force dhe kontrolli. Dhe rezultati është i njëjtë: ju i përmbaheni reagimit të tij të ardhshëm dhe ndiheni të irrituar, madje edhe të zemëruar. Dhe në vend që të shijoni marrëdhënien tuaj dhe të kaloni një kohë të mirë, ju përjetoni një sërë emocionesh të pakëndshme, negative. Jetoni me pritjen dhe shpresën se nuk do ta humbni. Ju i jepni të gjitha dhe jeni të kënaqur me thërrimet që partneri juaj ju ofron.
Pse po e luan këtë lojë?
Personi që luan këtë lojë me ju ndoshta nuk është i vetëdijshëm, ai nuk ka vendosur nëse dëshiron një marrëdhënie serioze dhe të qëndrueshme. Nga njëra anë ai mund të dëshirojë të jetë me ju, por nga ana tjetër ai ka frikë nga angazhimi. Ndoshta ai akoma nuk e di saktësisht se çfarë dëshiron, kështu që me “ftohjen-nxehjen” ju mban atje.
Sigurisht që gjithmonë ekziston rasti që ky person është emocionalisht i padisponueshëm ose ka një paqëndrueshmëri më të thellë psikologjike.
Por rrënja e problemit qëndron në faktin se ky person bën një përpjekje të madhe për të kontrolluar diçka që nuk kontrollohet: dashurinë. Është një mënyrë për të ndjerë emocione dhe dashuri pozitive, por pa frikën e refuzimit dhe trishtimit.
Si të merreni me të?
Ju patjetër nuk duhet të prisni që ajo të zhduket vetë! Sepse nuk do të kalojë! Është një strategji, nuk është diçka e rastësishme. Mënyra më e mirë është të zbuloni strategjinë e partnerit tuaj për atë që është në të vërtetë: një taktikë fuqie dhe kontrolli. Ju nuk keni asgjë për të humbur! Komunikimi i hapur është mënyra më e mirë për të sqaruar situatën.
Prandaj e pyesni partnerin tuaj drejt se çfarë po ndodh. Tregoji atij që kjo gjë ju shqetëson.
Ju mund të mendoni se tjetri ka fuqinë ose se tjetri do të përcaktojë rezultatin e marrëdhënies, por e keni gabim! Ti vendos! Shikoni, dëgjoni, gjykoni dhe vendosni nëse do të qëndroni ose nëse do të largoheni.
Nëse në bisedën që do të bëni me të hasni armiqësi, rezistencë, sjellje negative, ose nëse ai përpiqet t’ju çmendë duke ju thënë se asgjë nga këto nuk po ndodh por ju thjesht e imagjinoni atë, atëherë ju e dini që situata nuk mund të të ndryshojë pa marrë parasysh nëse ti e dëshiron atë! Partneri juaj po e luan këtë lojë për arsye që nuk i kontrolloni dot. Kështu që është më mirë të largoheni dhe të bëni një fillim të ri me një person që ju respekton, ju vlerëson dhe dëshiron të krijojë një marrëdhënie të bukur me ju.
A ka ndonjë narcizist në jetën tuaj që ka nevojë për ju por nuk kujdeset për nevojat tuaja, ju krijon probleme dhe, në përgjithësi, jua vështirëson jetën?
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.