Këshilla & Arsye

October 27, 2017 | 10:03

‘Open space’ nuk funksionon, punoni më mirë në një bar

Ambientet e hapura (open space) duket se kanë dështuar. Ambientet e hapura të punës dhe që i ndani më të tjerët, të cilat dukeshin se ishin përgjigjja ndaj rutinës, nuk janë efikase dhe ka pasoja të konsiderueshme te produktiviteti.

1

Këto ambiente, të cilat janë përhapur vitet e fundit, për të nxitur atmosferën miqësore, për të përmirësuar punën në skuadër dhe për të inkurajuar idetë e lira mes kolegëve, pas vitesh të tëra të ndarë në ambiente të vogla, duket se do t’ua lënë vendin zgjidhjeve të reja.
Nëse disa kohë më parë, një studio dizajni ukrainase krijoi Helmfon, kaskën për t’u izoluar dhe për të mos u shqetësuar nga kolegët e tjerë, tani po mbizotëron një alternativë e re.

Futurologia Nicola Millard, eksperte të dhënash, analizash dhe teknologjive në zhvillim, ka parashikuar se punonjësit do të bëhen “operatorë me çantë shpine” ose ndryshe do ta marrin punën gjithnjë pas, të armatosur me laptop apo tablet, do të bashkëpunojnë në skuadra të vogla në bare apo “coffices”, një rrugë e ndërmjetme mes një bari dhe një zyre. Sipas disa studimeve, ambientet e hapura, të përhapura tek shumë kompani për të nxitur bashkëpunimin, janë të dëmshme.

Sipas Millard, eksperte në inovacionin e teknologjisë dhe “costumer experience” për BT, kompani botërore për shërbime dhe zgjidhje komunikimi ndërmjet agjencive, punonjësit që punojnë shumë pranë njëri-tjetrit në një zyrë, bllokohen, si të kishin ngecur brenda në një ashensor. Gjatë seminarit Scientist Live në Londër, që u mbajt nga data 28 shtator deri më 1 tetor, ajo përmendi një teori në të cilën këmbëngul prej vitesh.

“Ambientet e hapura janë një model që nuk i përshtaten askujt. Puna jonë ndërpritet çdo tre minuta. Ka shumë shpërqendrime”. Ky problem ndihet veçanërisht nga personat introvertë, të cilët punojnë më mirë nëse nuk shqetësohen. Me fjalë të tjera, kjo është një katastrofë në të gjitha pikëpamjet, sa që futurologia parashikon zhdukjen e tyre pashmangshmërisht.

Teknologjitë e reja kanë revolucionarizuar mënyrat dhe kohën e punës. Interneti dhe fleksibiliteti, veçanërisht qasja e re e gjeneratave, janë fjalët kyçe për të ardhmen e botës së punës. Nuk është më e nevojshme një tryezë punë dhe një orar fiks 9:00 – 17:00, mjafton një çantë shpine ku të vendosim kompjuterin tonë, edhe pse zyra fizike është e rëndësishme për socializimin.

Kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht që të gjithë do të punojnë nga shtëpia, përkundrazi, Millard flet për vende hibride dhe informale – pikërisht “coffices” – ku mund të punohet në grupe të vogla në një ambient komod dhe të qetë – këtu shkëmbimi i ideve nuk degjeneron në kaos dhe konfuzion dhe produktiviteti rritet.

Ndër parashikimet e tjera të futurologes, njëri prej tyre është mjaft qetësues: është e pamundur që do të zëvendësohemi nga robotët.

“Teknologjitë e reja do të na ndihmojnë të bëjmë punët tona të pista, të mërzitshme dhe të rrezikshme, të cilat nuk duam t’i bëjmë. Robotët nuk kanë zhdërvjelltësi, ndjeshmëri dhe emocione njerëzore”, u shpreh ekspertja. Në praktikë, ndërkohë që ne do të punojmë në një bar, duke shijuar dhe një kafe, roboti do të qëndrojë në zyrë duke bërë fotokopjet.

*Maria Luisa Prete
Burimi: La Repubblica/Monitor

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top