Dëshmi

March 3, 2018 | 14:03

Orena Bici: Pushimet burimi për ide të reja!

Angazhimet profesionale, në rastin e saj me ngarkesë, si pasojë e produktivitetit që kërkon një show televiziv, por edhe mësimdhënia, kërkojnë nevojën e një shkëputjeje totale. Kjo është periudha, e cila përkon me nisjen e pushimeve, plazhit, rimarrjes së vetes, gjë që në fakt i jep kuptim ridimensionimit të kësaj faze të jetës edhe për Orena Bicin. Aktore e re, por me një peshë reale artistike në një format televiziv argëtues si “Al Pazar’, Orena thotë se investimi në profesion e ndjek edhe kur është me pushime. Të qëmtojë personazhe që bien në syrin vëzhgues të saj, janë burimi më i mirë për të krijuar material e karaktere për sezonin e ardhshëm të show-t televiziv ku merr pjesë.

Çfarë ndodh kur merrni pushimet: stakoni mendjen, përpiqeni të lini gjithçka pas, ia vlen argëtimi dhe rigjetja e vetes qoftë dhe për aventura të reja?

E vërtet që show televiziv më merr shumë kohë, dhe si pasojë, ka edhe ngarkesë. Sikundër edhe mësimdhënia, puna me fëmijët, ka ngarkesën e saj. Pas marrjes së pushimeve, sado mundohesh të stakosh trurin, padashur, në mënyrë subkoshiente ndodh që të mendosh për të. Duke qenë se gati gjithë vitin je e ngarkuar me punë, dashje pa dashje dhe gjatë pushimeve mendon për të.

Ka raste kur ju kapërthen ankthi i punës e mendja rikthehet në rutinën e lënë pas? Jeni e varur nga puna juaj?

Nuk mund të them që jam e varur, por thjesht, e dashuroj atë që bëj dhe dua që çdo gjë të shkojë mirë. Dhe tani që jam me pushime, jam në vëzhgim të tipave që shoh, personazheve…

Psikologët e pohojnë dhe e thonë shpesh: pushimet janë arsyeja për të na dhuruar qetësi, na heqin stresin dhe ankthin e përditshmërisë. Sa ju ndihmojnë pushimet për ide të reja?

E vërtetë! Pushimet të dhurojnë një ndjenjë qetësie, larg atij vrulli pune, por nuk do doja të ishin kaq të gjata. Pushimet gjithmonë ndihmojnë për ide të reja, pasi gjatë gjithë kohës je nën rutinën e zakonshme dhe ndonjëherë nuk i sheh gjërat siç janë, apo në një këndvështrim tjetër. Të bllokohet truri ndonjëherë e nuk ke më ide. Por, shyqyr që ekzistojnë pushimet për një relaks të plotë.

Çfarë bëni për të evituar prishjen e pushimeve? Për shkak të teknologjisë mund të biem pre e një mesazhi në inbox që mund të na luhasë emocionet.

Për fat të keq dhe unë si shumica, jam e varur nga teknologjia. Ndoshta jam ndër të paktët persona që më gjeni online kudo 24/7, por për të evituar prishjen e pushimeve, thjesht e bëj trurin off dhe nuk merrem me asgjë të jashtme.

Zgjidhni pushime të “lodhshme”, që ju përfshijnë mjaftueshëm, me programe të ndryshme, të pazakonta, udhëtime të organizuara në shoqërinë e disa personave, apo familjare, në çift?

Në fakt, nuk është diçka fikse. Sot mund të jem njeriu që dua pushime të zhurmshme, rrëmujë. Personi që ku e gjen dita, s’e gjen nata, pasi duhet thënë që, unë ‘vdes’ të udhëtoj. Mund të jem në një kafe tani dhe po të më thonë: a ikim në X vend, jam e para që çohem. Por këto kohë, në fakt, kam qenë te pushimet e qeta, ato që vërtet janë pushime. Kam dashur qetësi, më pak njerëz, jo zhurmë. Mbase më vonë, pasi të jem qetësuar më shumë se ç’duhet, do bëj pushime argëtuese.

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr.121

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top