Historia e kinematografisë shqiptare nuk është ndërtuar vetëm përmes filmave, personazheve dhe rrëfimeve që kanë mbetur në kujtesën e publikut, por edhe përmes objekteve që kanë qenë pjesë e pandashme e realizimit të tyre. Çdo periudhë e këtij rrugëtimi ka lënë gjurmët e veta, duke dëshmuar jo vetëm zhvillimin e artit filmik, por edhe realitetin historik, shoqëror e kulturor të kohës.

Nga vitet e para të konsolidimit të prodhimit kinematografik shqiptar, në fillim të viteve ’60, deri në fundin e viteve ’80, filmi shqiptar u shoqërua nga një sërë objektesh që, përtej funksionit të tyre në sheshxhirim, sot përbëjnë dëshmi të çmuara të historisë së tij. Një prej tyre është “Pajtoni aktor”, një objekt unik i filmografisë shqiptare, i cili ka përshkuar një rrugëtim të veçantë në historinë e kinematografisë sonë, duke u bërë pjesë e disa prej prodhimeve filmike të realizuara përgjatë periudhës 1961–1988. Falë ndërhyrjes dhe përkushtimit të punonjësve të Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit (AQSHF), në bashkëpunim me AlbaFilm, ky objekt është shpëtuar, duke shmangur humbjen e një dëshmie të rëndësishme të trashëgimisë sonë filmike. Gjatë këtij harku kohor, “Pajtoni aktor” është përdorur në realizimin e 16 filmave shqiptarë, duke u bërë pjesë e skenave dhe rrëfimeve që shënuan etapa të ndryshme të zhvillimit të kinematografisë kombëtare.
Filmat ku ka luajtur “Pajtoni aktor”:
Debatik – Hysen Hakani, 1961
Oshëtimë në bregdet – Hysen Hakani, 1966
Shtigje lufte – Piro Milkani, 1974
Rrugicat që kërkonin diell – Rikard Ljarja dhe Saimir Kumbaro, 1975
Tingujt e luftës – Xhanfide Keko, 1976
Pas gjurmëve – Xhanfide Keko, 1978
Nusja dhe shtetrrethimi – Ibrahim Muçaj dhe Kristaq Mitro, 1978
Nga mesi i errësirës – Kristaq Dhamo, 1978
Përtej mureve të gurta – Gëzim Erebara, 1979
Pas vdekjes – Kujtim Çashku, 1980
Në prag të lirisë – Ibrahim Muçaj dhe Kristaq Mitro, 1981
Një natë pa dritë – Gëzim Erebara, 1981
Qortimet e vjeshtës – Kristaq Dhamo, 1981
Rruga e lirisë – Esat Musliu, 1982
Vendimi – Kristaq Dhamo, 1984
Historiani dhe kameleonët – Saimir Kumbaro, 1988
Sot, “Pajtoni aktor” merr një vend të veçantë në kujtesën dhe trashëgiminë e kinematografisë shqiptare. Ai nuk është më thjesht një objekt që ka shërbyer në sheshxhirim, por një dëshmi materiale e një periudhe të tërë të historisë së filmit shqiptar. Ky objekt unik do të qëndrojë përgjithmonë në hollin e dedikuar të Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit, si pjesë e trashëgimisë që institucioni ruan, dokumenton dhe përcjell te brezat e ardhshëm. Një objekt, 16 filma dhe një rrugëtim që tashmë vazhdon në kujtesën e kinematografisë shqiptare.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

