Nëntori është muaji kur garderoba ndryshon ritëm. Temperaturat bien, shtresëzimi bëhet pjesë e përditshmërisë dhe veshjet e sipërme marrin rolin kryesor në çdo pamje. Për sezonin Vjeshtë/Dimër 2026, moda sjell një ekuilibër interesant mes elegancës klasike, funksionalitetit dhe një dëshire të dukshme për më shumë karakter.

Në qendër të vëmendjes janë palltot e gjata dhe të strukturuara, të cilat i japin siluetës një pamje të pastër dhe të sofistikuar. Krahas tyre, rikthehen materialet me teksturë, veçanërisht të leshta (dele rudë) dhe lëkura, duke e bërë veshjen e sipërme jo vetëm praktike, por edhe elementin kryesor të stilit. Koleksionet e sezonit tregojnë një interes të fortë për teksturat e pasura dhe kombinimin e materialeve të ndryshme.

Tjetër protagoniste është xhaketa e shkurtër prej lëkure, ndërsa bomber-at, xhaketat blouson dhe format utilitare sjellin një frymë më urbane. Silueta blouson, me volum më të gjerë dhe bel të mbledhur, është veçanërisht e pranishme në trendet e vjeshtës 2026. Edhe trench coat vazhdon të mbetet një investim i rëndësishëm për garderobën e vjeshtës, por këtë sezon interpretohet me forma më të theksuara, jaka të larta, volume dhe detaje që i japin një karakter më modern. Në të njëjtën linjë, shpatullat e strukturuara krijojnë një siluetë më të fuqishme dhe elegante.
Por në trend nuk janë vetëm format. Ngjyrat janë një nga mënyrat më të forta për t’i dhënë garderobës së ftohtë më shumë personalitet. Përtej të zezës dhe bezhës tradicionale, spikasin burgundy, kafe çokollatë, jeshile e errët, blu e thellë, vjollcë dhe e kuqe. Vogue veçon veçanërisht burgundy-n, të kuqen, vjollcën dhe blunë elektrike si ngjyra të rëndësishme të sezonit. Burgundy mbetet një zgjedhje elegante dhe e lehtë për t’u integruar në garderobën e përditshme, ndërsa e kuqja sjell energji dhe kontrast. Vjollca dhe bluja e thellë ofrojnë një alternativë më të guximshme ndaj neutraleve, ndërsa kafeja çokollatë dhe tonet e errëta të gjelbra ruajnë atë ndjesinë e ngrohtë dhe sezonale që kërkojmë në nëntor.

Në fund, mesazhi që përcjellin artikujt e modës është i qartë: palltoja bëhet deklaratë stili, tekstura sjell karakter dhe ngjyra i jep garderobës personalitet. Nuk është më e nevojshme të zgjedhim mes prakticitetit dhe elegancës, sezoni i ri i bashkon të dyja.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

