Kiduina Zaka, psikologe
Prej më shumë se një viti ka ndryshuar rutina e përditshmërisë thuajse në të gjithë shoqërinë. Për shkak të pandemisë njerëzit janë privuar nga shumë të drejta dhe kënaqësi që gëzonin dikur. Situata në të cilën ndodhemi ka reduktuar ndërveprimin dhe marrëdhëniet sociale. Një pjesë e konsiderueshme e punëve po bëhen online, gjithashtu edhe zhvillimi i orëve mësimore. Kjo do të përkthehej në më pak kohë të shpenzuar me miqtë dhe familjarët, më pak mundësi për të kryer aktivitetet e preferuara, më pak mundësi për të ndarë me të dashurit tanë momentet tona të gëzuara por edhe ato më të vështirat, se një pjesë e shoqërisë është përshtatur me këtë stil të ri jetese.
E në fakt nuk është për t’u çuditur, përshtatshmëria është aftësi njerëzore. Por duket se një pjesë e konsiderueshme jo vetëm që nuk janë përshtatur, por e vuajnë këtë ndryshim që ka ndodhur në jetën e tyre. Me të drejtë profesionistët e shëndetit mendor e ngrenë si një alarm rritjen e nivelit të stresit, ankthit dhe depresionit.
E di që shumë prej jush ju ka shkuar në mend të paktën një herë të vini në pikëpyetje rëndësinë e ekzistencës suaj. Keni gjetur gjetur njëmijë e një arsye se pse s’ja vlen të vazhdoni të jetoni. Ndoshta keni menduar edhe t’i jepni fund jetës suaj por e keni gjetur sërisht forcën për t’u ringritur. Le të ndalemi pak tek ata që nuk mundën. Vetëvrasja nuk është tabu! Ajo është një plagë e fshehur e shoqërisë sonë, e cila përpiqet të mbulohet pa e trajtuar derisa në fund rezultati është “amputimi” i jetës njerëzore. E ne sërisht vrapojmë nga njëri skaj në tjetrin pa u ndalur të shohim se ç’ndodh rreth nesh, pa e kuptuar që mund të sjellim një ndryshim.
Ka faktorë të ndryshëm që e çojnë një individ drejt vendimit të vetëvrasjes, si: depresioni dhe ankthi, sëmundjet kronike dhe të dhimbshme, bullizmi, izolimi, eksperienca të abuzimit në fëmijëri, abuzimi me substancat etj. Këto faktorë mund të jenë të ndërthurur me njëri-tjetrin. Individi i cili ndodhet në këto kushte e gjen veten të pashpresë për të ardhmen, nuk gjen një motiv për të vazhduar jetën, ndihet i pavlerë dhe pa mbështetje. A mund t’i ndihmojmë këta persona? Sigurisht që PO!
Vetëvrasja është një fenomen që mund të parandalohet dhe secili prej nesh mund të luajë një rol kyç në rikthimin e shpresës tek ditët më të errëta të dikujt, përmes veprimeve tona. Sapo identifikojmë dikë në rrezik vetëvrasjeje, hapi i parë që bëjmë është t’i ofrojmë mbështetjen tonë. Duke qenë se këta individë përjetojnë një kompleks ndjesish si: të qenit i pavlerë, i padëshiruar, i pashpresë; mbështetja sociale është shumë e rëndësishme për t’i vënë në dukje se ky individ pranohet dhe mbështetet për atë që ai është. Hapi i radhës, i menjëhershëm sigurisht, është referimi tek një specialist i shëndetit mendor.
I gjithë procesi i rimëkëmbjes kërkon ndërveprimin e të gjithë faktorëve influencues siç është familja, shoqëria dhe ndihma e specialistit. Le të tregohemi të vëmendshëm ndaj atyre që kemi pranë për të parandaluar vetëvrasjen. Parandalimi shpëton jetë!
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.