Pika referimi

July 10, 2017 | 9:22

Për familjet me një prind

Në mbarë botën e sotme familjet me një prind përbëjnë një problem shoqëror serioz, i cili haset edhe në vendin tonë. Në fakt, në të kaluarën e largët e të afërt (le të themi para tridhjetë vjetësh afërsisht), familje të tilla kanë ekzistuar te ne, ato ekzistojnë edhe sot e do të ekzistojnë edhe në të ardhmen për arsye objektive si, vdekja e njërit prej bashkëshortëve dhe divorci, kryesisht. Përballja e njërit prej bashkëshortëve me këtë fakt, sidomos në familjet me fëmijë, përbën një dramë të vërtetë jo vetëm për atë, por sidomos edhe për fëmijën, në funksion të moshës e të ndjeshmërisë së tij, të lidhjes së tij me prindin e vdekur ose të larguar pas divorcit.

1

 

Nga Edmond Tupja

Nga Edmond Tupja

Ky çekuilibër i krijuar në gjirin e familjes dikur zbutej falë solidaritetit të rrethit familjar apo shoqëror, kurse sot ai bëhet më i vështirë për t’u përballuar sepse solidariteti në fjalë është plasaritur e hallakatur për shkak të trysnive nën të cilat ndodhen përherë e më tepër edhe familja, edhe shoqëria në rrafshin ekonomik, social e kulturor. E vetmja rrugë për
të dalë sadopak nga kjo gjendje është konsultimi me psikologët dhe krijimi, me ndihmën e tyre, i shoqatave të familjeve njëprindërore, në gjirin e të cilave gratë e nënat, por edhe burrat e etërit mund dhe duhet të këmbejnë përvojat e tyre dhe të ndihen më pak të anashkaluar nga të tjerët.
Në këtë kuadër, duhet ndërgjegjësuar opinioni publik lidhur me vështirësitë e jetës me të cilat përballet shpesh dhe dëshpërimisht një prind i vetmuar, veçanërisht kur është femër, të cilit i duhet edhe të punojë për të siguruar
bukën e gojës, edhe të merret me punët e shtëpisë, edhe të kujdeset për shëndetin e mirërritjen e fëmijës, edhe të ndjekë edukimin e tij parashkollor e shkollor në institucionet përkatëse, por edhe gjatë veprimtarive jashtëshkollore të moshës së tij. Nga ana tjetër, shoqatat e familjeve njëprindërore, nëse kanë nisur të krijohen, duhet të vendosin kontakte me simotrat e tyre me më shumë përvojë në vendet e tjera.

Single Dad --- Image by © Ned Frisk Photography/Corbis

Për sa i përket vetë fëmijës, duhet pranuar se çekuilibri që ekziston në gjirin e pothuaj çdo familjeje njëprindërore do të lërë pashmangësish gjurmë gati të pashlyeshme deri në nënvetëdijen e tij, sepse një fëmijë, për t’u rritur shëndetshëm, ka nevojë për të dy prindërit, madje, edhe për një vëlla e një motër, për gjyshër e gjyshe, madje edhe për kushërinjtë e parë. Fëmijët që rriten pa babanë ose pa mamanë e tyre rrezikojnë gjithmonë të jenë me probleme psikologjike, nganjëherë edhe psikike, ata shpesh janë nervozë, të ankthshëm, obsesivo-kompulsivë në marrëdhëniet e tyre me bashkëmoshatarët në shkollë e në mëhallë, herë pas here edhe me mësuesit, madje edhe me vetë prindin e tyre. Këtë e dëshmon sot realiteti shqiptar, prandaj, sa nuk është vonë, shteti bashkë me shoqërinë civile duhet të tregohen më të ndjeshëm e më të shqetësuar në këtë drejtim dhe t’u kushtojnë familjeve njëprindërore gjithë vëmendjen e duhur në mënyrë që atyre t’u përmirësohen kushtet e jetesës dhe që fëmijët t’u kenë një të tashme e një të ardhme më të sigurt

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top