Ndodh që i durojmë njerëzit negativë të jenë aty vërdallë, duke u dhënë edhe 100 herë të tjera mundësi, duke dashur të tregohemi sa më racionalë dhe duke justifikuar veprimet e tyre si njerëzore apo të bëra ashtu nxitimthi prej tyre. Pra, i lejojmë të jenë aty afër, edhe kur nuk i honepsim dot.
Nga Arta Llana, psikologe klinike
Pastaj, vjen një moment, që nuk munden as ata vetë që të qasen afër, sepse është njëjtë sikur e dine që e kanë të shkruar në ballë se sa negativë janë.
E çuditshme, që edhe kur i takon pas shumë kohësh, janë po aq negativë, pra që t’jua qajmë hallin tamam, kjo buron prej tyre së brendshmi, ashtu janë gatuar, jo se diçka nuk shkon me ty.
Pa dashje e tregojnë veten e tyre, dhe kjo sekuencë nuk ju sinjalizon ashtu kot. Nëse injoroni intuitën tuaj, atëherë do të duhet të duroni edhe pjesën tjetër të paketës që të vjen bashkë me ta. Dhe nuk ka asgjë tjetër që i tërbon më shumë njerëzit negativë, se sa kur jua ke njohur fytyrën e tyre në prapaskenë.
Loja e tyre mbaron aty, nuk njohin as turp e as vrarje ndërgjegjeje, por nisen drejt një gjahu tjetër, sepse kjo është ajo që bëjnë më mirë. Ushqehen duke lënduar dhe duke hedhur spërkla helmuese ashtu si të rastësishme. Dhe kur nuk munden më, atëherë largohen.
Por nëse iu jepet mundësia sërish, nuk do përtonin ta përdornin talentin e tyre përsëri e përsëri. Kështu që kur të keni mësuar t’i dalloni këta njerëz, mbajini larg, mos i lejoni të vijnë e të rrinë pa qira afër jush.
Në fakt, ata ashtu janë, jo se veprojnë me ty me qëllim, dhe kjo është pjesa më e rëndësishme për të kuptuar që çfarë nuk duhet të na shqetësojë nga jashtë apo çfarë nuk duhet të lejojmë të na ndërhyjnë në qetësinë tonë të brendshme.
Eh sikur të qeshja kushti dikur, kaq shumë siç po qesh tani, por m’u desh kohë deri këtu, nuk e mohoj dot.
(Besoj se shumë veta e kanë gjetur veten në praninë e njerëzve të tillë negativë, duke u gjendur të papërgatitur dhe aq më shumë pa ditur si t’u japin shkelmin).
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.