Kur kthehem në mbrëmje dhe ngjis shkallët e pallatit, shpesh ndalem pa arsye te një tingull. Dëgjohet një derë që mbyllet. Pastaj një tjetër. Një bravë. Një çelës që rrotullohet dy herë. Një derë sipër kokës sime. Një tjetër poshtë. Për pak minuta ndërtesa mbushet me ato krisje të vogla metali.
Era e gjellës që zihet. Një televizor i lënë hapur. Hapat e dikujt që ecën zbathur mbi çimento. Pastaj gjithçka zhduket pas dyerve. Një pallat mund të mbajë qindra jetë pa i bërë kurrë bashkë. Njerëzit ndajnë të njëjtin mur, të njëjtin tavan, të njëjtën lagështi dimri, të njëjtin zhurmim tubash, por mjafton një derë e mbyllur që secili të bëhet kontinent më vete.
Për tetë vjet me radhë kam jetuar përballë një burri të moshuar. E takoja pothuajse çdo ditë në ashensor, në atë hapësirë dy metrash katrorë ku matet distanca jonë. Dija në cilin kat banonte, orarin kur kthehej me qeset e pakta në duar. Njihja edhe atë kollën e thatë, të mbytur, që zgjonte korridorin në janar. Kur vdiq, nuk pati asnjë zhurmë matanë murit; e mora vesh nga një fletë e bardhë e ngjitur me nxitim te muri i hyrjes kryesore. Tetë vjet fqinjësi, dhe unë nuk ia dija as emrin. Për disa ditë e kërkova fytyrën e tij sa herë kaloja pranë hyrjes, derisa dikush e hoqi atë letër të bardhë nga muri.
Pas pak javësh nuk isha më e sigurt as për vijat e fytyrës së tij. Më kishte mbetur vetëm kolla. Një njeri kishte jetuar tetë vjet matanë murit tim dhe kujtesa ime kishte ruajtur vetëm zhurmën e mushkërive të tij. Në fëmijërinë time kjo do të ishte dukur e pamundur. Njerëzit dinin shumë gjëra për njëri-tjetrin. Më shumë seç duhej. Dinin kush ikte e kush kthehej nga kurbeti, kush lëngonte, kush priste një fëmijë, kush u grind. Gjithçka merrte rrugën e vet nëpër lagje. Atëherë më dukej ndërhyrje. Sot nuk jam më aq e sigurt.
Për një kohë të gjatë kam menduar se kjo ishte mënyra më e ndershme për të jetuar. Të mos pyesje.
Të mos trokisje. Të mos dije. Madje këtë e quaja respekt. Derisa kuptova se nuk dija as emrin e njeriut që kishte jetuar përballë meje për tetë vjet. Përpara asaj letre të bardhë kuptova se ky nuk ishte respekt, por një mënyrë e ngadaltë për të pushuar së pari tjetrin. Megjithatë, edhe pas asaj dite vazhdova të besoja se kështu ishte bërë njeriu. Prandaj, kur u gjenda përballë atij sheshi të mbushur me njerëz që protestonin, nuk ndjeva shpresë, por mosbesim.

Vështroja fytyrat me një këmbëngulje që nuk e prisja nga vetja. Kërkoja njeriun që do të largohej. Grupin që do të shpërndahej. Shenjën e parë që gjithçka do të kthehej në atë që njihja. Po kërkoja me këmbëngulje provën se kisha pasur të drejtë. Sikur pjesa më e lodhur e imja të mos pranonte dot atë që kishte përpara syve. Që shumë njerëz mund të qëndrojnë në të njëjtin vend pa qenë kundër njëri-tjetrit.
Pata një dëshirë të çuditshme që gjithçka të prishej. Që dikush të bërtiste, të largohej. Dhe turma të kthehej në atë që prisja prej saj. Sepse vetëm atëherë do të shpëtonte ajo që kisha besuar deri atëherë.
Por minuta pas minute ndodhte e kundërta. Aq më pak ndihesha e humbur prej njerëzve. Aq më shumë ndihesha e zhgënjyer prej vetes. Për një kohë të gjatë kisha jetuar me idenë se përsëritja e bind njeriun më shumë se e vërteta. Zhgënjimet që grumbullohen pa bërë zhurmë. Dyer që nuk hapen. Duar që nuk zgjaten. Heshtje që, me kalimin e viteve, pushojnë së të habituri. Derisa një ditë nuk e quan më dorëzim, por kthjelltësi. Pastaj ai mendim pushon së qeni thjeshtë një mendim. Bëhet zakon. Si ai duhanpirësi që e di se çdo cigare i merr pak nga fryma, por e ndez përsëri. Sepse zakoni, nganjëherë, është më bindës se e vërteta.
Por atë mbrëmje nuk u rrëzua vetëm ai mendim. U rrëzua qetësia me të cilën e kisha besuar. Sa më gjatë i shikoja, aq më pak arrija ta gjeja atë çarje. Askush nuk po largohej. Askush nuk po mbronte vetëm copën e vet. Për disa orë, njerëz që nuk njihnin as emrat e njëri-tjetrit silleshin sikur kjo të mos kishte më rëndësi. Për herë të parë më lindi një dyshim që nuk e kisha menduar: mos gjatë gjithë kësaj kohe nuk kisha nënvlerësuar një popull, por vetë shpirtin njerëzor. Atë mbrëmje njoha diçka që prej vitesh më dukej e zhdukur. Njerëz që, për një çast të shkurtër, nuk dukeshin më si ishuj të egër.
Mbrëmja ra dhe sheshi u zbraz. Njerëzit u kthyen nëpër shtëpi. Ndoshta edhe sonte do të dëgjoj të njëjtat dyer që mbyllen njëra pas tjetrës në pallat. Të njëjtët çelësa. Të njëjtat brava. Por prej ditësh nuk jam më aq e sigurt se pas tyre jetojnë vetëm ishuj.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

