Mirëqenie

January 20, 2018 | 7:34

Piktori Shyqyri Sako: Pengu im “Lulëkuqe mbi mure”, jeta që e njihja më mirë!

Artist i Merituar, Shyqyri Sako tregon realizimin e 40 filmave me laps e letër. Pse piktori i famshëm i kinemasë ruse kërkoi ndjesë për kostumet shqiptare që “grabiti” Moska.

Leonard Veizi, shkrimtar, gazetar

Leonard Veizi, shkrimtar, gazetar

Industria e propagandës me pelikulë qe futur në prodhim me kapacitet të plotë. Arkitektura e jashtme dhe studiot nga brenda ishin bërë gati sipas modelit sovjetik, operatorët kishin studiuar në Rusi dhe piktori i filmit, i pari dhe i vetmi për çudi, gjithashtu erdhi nga Moska. Por ky ishte vetëm fillimi. Më pas gjithçka do të binte erë shqiptare. Realizëm socialist e nëpër të një modernitet i dukshëm, qoftë i fshehur njëkohësisht, por gjithsesi i lexuar…

…Ai është piktor, me të paktën 22 ekspozita personale. Për më shumë se kaq, dhe për ata që nuk kanë prirje ndaj artit vizual, ai është po aq i afërt, veç në një kënd tjetër njohje. Emri i tij ndeshet rëndom e pa kurrfarë aureole magjike, në titrat hyrëse të filmave shqiptarë: piktor Shyqyri Sako.

Shyqyri Sako

Shyqyri Sako

Jeni i vetmi që keni studiuar për piktor filmi. Si ishin fillimet tuaja?

Si mbarova Liceun Artistik “Jordan Misja, në vitin 1958 u nisa për të studiuar në Institutin e kinematografisë “VGIK” në Moskë, në degën: piktor filmi. Atë vit isha bashkë me Viktor Gjikën e Dhimitër Anagnostin që vazhdonin për operator. Studimet ishin 5-vjeçare, por unë arrita të bëj vetëm tre vjet sepse pas prishjes së marrëdhënieve mes dy vendeve në vitin 1961 të gjithë studentët shqiptarë u kthyen nga ish-BS. Pedagog kisha një piktor me emër në filmin sovjetik siç ishte Josif Shpinel, gjeorgjian me origjinë hebreje. Regjisori i madh Sergei Eisenshtein, e kishte piktor të filmave të tij dhe ai punonte vetëm me Shpinelin. Unë isha në kurs me 20 të huaj të tjerë kur u futën në orën e tij të leksionit. Rusishten e njihja që nga prej Liceut kështu që komunikimi nuk përbënte problem. Ai kërkoi të dinte se nga ishim dhe kur unë i thashë: “Nga Shqipëria”, erdhi e më përqafoi.

Përse kjo mikpritje për një student shqiptar?

Shpineli kishte qenë në Shqipëri, pasi kishte punuar si piktor për filmin “Skënderbeu”. Kishte nostalgji për ditët që kishte kaluar këtu. Më tha se Shqipëria është një vend i mrekullueshëm ku i gjeje të gjitha, diellin, detin dhe malin. “Kemi bërë gabim të rëndë me Shqipërinë, – më tha,- u kemi mbajtur shqiptarëve dhjetëra kostume popullore me vlera të jashtëzakonshme.” Kur u realizua filmi “Skënderbeu” u blenë shumë kostume popullore në të gjithë zonën e veriut. Kostumet,me të cilët u veshën figurantët,shkuan në studion e Moskës ku u realizua pjesa më e madhe e filmit. Këto kostume rusët i mbajtën me pretekstin se “do të realizonin një film tjetër”. Dhe mbetën atje. Ato ishin vërtet një pasuri e madhe pasi nuk gjendeshin lehtë. Për të bërë një xhubletë me të gjithë mozaikun e saj, e me punime shumë të imta, duhej një vit punë. Më pas Shpineli shtoi: “Për respektin e madh që kam për Shqipërinë unë ty do të të mësoj të gjitha të fshehtat e zanatit”. Ky ishte një fat i madh për mua. Mbaj mend që para se të vija në atdhe: “Atë gjë që se kam zbuluar unë, mundohu ta zbulosh ti në Shqipëri. Unë aq koha pata, ti hyr më thellë.”

Kur do të fillonit punë në Kinostudio?

Fill pas diplomimit në Tiranë, do të kaloja në Kinostudio në vitin 1962. E fillova me filmin “Detyrë e posaçme” dhe vazhdova deri në vitin 1997 kur dola në pension pas punës me filmin “Plumbi prej plasteline”. Kam qenë piktor në 40 filma artistik. Tani pas 50 viteve,n ë fushën time, mund ta quaj veten pa frikë“pionieri dhe babai”i filmit shqiptar. Filmi kishte tre komponentë të lidhur ngushtë, regjisori, operatori dhe piktori. Më pas u futën dhe elementë të tjerë e u bënë 7-të gjithsej. Piktori është udhëzuesi për veshjet, ambientet e arkitekturën. Është ai pararendësi i filmit dhe që në një farë mënyre e mbush, apo e karikon regjisorin duke i vënë përpara skenat se ku duhet të realizohet filmi. Madje kostumet dhe rekuizita janë “pronë” e piktorit.

Shyqyri Sako me regjisorin Dhimitër Anagnosti

Shyqyri Sako me regjisorin Dhimitër Anagnosti

Si vepronit me kostumografinë, kur flitej për raste të veçanta?

Më kujtohet se në filmat “Komisari i dritës” dhe “Toka jonë” kam pasur vështirësi me gjetjen e veshjeve. Kinostudio i blinte kostumet. Unë shkoja kudo dhe pyesja nëse kishin veshje popullore të zonës. Më përgjigjeshin: “Kemi por nuk i shesim”.Xhubletat e zeza, për zakon, i vishnin për raste vdekjesh. Madje një nuse mirditore më tha: “Për sa kam vjehrrin gjallë nuk mund ta shes një xhubletë të tillë” Mezi arrita të gjeja një palë tirqe për “Tuç Makun”. Ndërsa për Roza Anagnostin, që ishte në rolin e Files arrita të siguroja një xhubletë që vishej për rastet e gëzimeve. Me regjisorin Viktor Gjika, kur xhiruam “Horizonte të Hapura” hipëm të dy në majë të bigës. Nga aty ishte një pamje mahnitëse. Aty u vendos kamera dhe bënë dhe disa plane. Në këtë film bëmë një zgjidhje shumë origjinale. Kur u fol për kostumet, unë thashë: “Ja ku i kemi kostumet, ua marrim punonjësve të bigës”. Dhe ashtu u bë. Aktorët u veshën me kostumet e njollosura me vaj të punëtorëve dhe nuk kishte nevojë të qepeshin të reja, të cilat gjithsesi nuk do të ishin aq origjinale.

Mund të sillni episode nga puna në filma të ndryshëm?

Po u tregoj për filmin “Kapedani”që u xhirua në Piqeras. Qëndruam gjithë periudhën e verës atje. Por meqenëse ishte kohë e gjatë, rreth tre muaj, morëm dhe gratë me vete, të cilat jo vetëm bënin plazh pa kursim, por u dhamë dhe ndonjë rol si figurante. Atje në buzë të detit në ndërtuam dhe një shtëpi butaforike ku flinte grupi i xhirimit, por që shërbente dhe si skenografi. Mirëpo ishte aq afër me detin sa që kur erdhi një dallgë e madhe u fut uji brenda, madje na prishi dhe bukëpeshkun me të cilin ishte veshur shtëpia portative e që dukej origjinal si ato të ndërtuara me gurë.

Filmi "Lulëkuqet mbi mure"

Filmi “Lulëkuqet mbi mure”

Pengu im “Lulëkuqe mbi mure”

Edhe kur realizon 40 filma, apo thënë ndryshe 1/5 e prodhimit artistik të Kinostudios, diçka mbetet peng. Kjo ka ndodhur edhe me Shyqyri Sakon. “Unë kur merrja një skenar fluturoja. Punoja gjithë qejf. Me këtë punë që kam bërë e kam parë Shqipërinë cep e më cep. Mijëra skica bërë nga tërë Shqipëria flenë në studion time. Por ngaqë isha i kërkuar unë shkoja nga filmi në film dhe asnjëherë nuk pata mundësinë që të përzgjidhja një skenar sipas qejfit tim. Doja shumë të isha pjesëtar i filmit “Lulëkuqe mbi mure” të Dhimitër Anagnostit, pasi unë jam rritur në jetimore dhe e njihja mirë jetë që bëhej në atë kohë në institucione të tilla. Por qëlloi që isha me një film tjetër dhe nuk u përfshiva aty”.

Porosia e Mehmet Shehut: Kujdes me “Radiostacionin”

Për filma të veçantë, ndodhte që“dikush” nga udhëheqja e lartë të interesohej drejtpërdrejt për ecurinë e tij. Epër “Radiostacionin”, ku Shyqyri Sako ishte piktor i filmit,interesohej vetë kryeministri Mehmet Shehu, si njeriu që udhëhoqi brigadat partizane për çlirimin e Tiranës. “Me këtë rast kishte dërguar dhe djalin e tij Bashkimin, i cili gjithashtu ishte skenarit filmi, që të qëndronte sa më pranë grupit të xhirimit. Dhe Bashkimi së bashku me Ismail Kadarenë vinin çdo ditë në shesh të xhirimit”, thotë Sako. Ai shton se tek “Radiostacioni” u ngrit një barrikadë njëlloj si ato të kohës së luftës, saqë banorët autoktonë të zonës, tëcilët e kishin përjetuar luftën, u habitën. Mirëpo një pjesë e filmit u xhirua natën dhe banorët e zonës u shqetësuan. Atëherë i dërguan një letër Mehmet Shehut ku i ankoheshin se artistet i kishin lënë pa gjumë. Shyqyri Sako thotë se më pas i mor vesh se Mehmeti u kishte kthyer përgjigje letërshkruesve, duke thënë pak a shumë: “Eç’u bë se mbetët disa net pa gjumë, kur në ato barrikada kemi luftuar e kemi lënë shokët e vrarë”

Filmi "Gjenerali i ushtrisë së vdekur"

Filmi “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”

“Gjenerali” italo-francez me muzikën e Laver Bariut

Ndodh, që kur përgatitesh për të bërë më të mirën e mundshme ëndrra këputet në mes. Kështu ka ndodhur dhe me bashkëpunimin e pamundur franko-italo-shqiptar. Shyqyri Sako tregon: “Një mbresë të veçantë kam nga filmi “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, të cilin donin ta xhironin një ekip i përbashkët franko-italo-shqiptar e ku roli i Gjeneralit ishte caktuar të interpretohej nga Marccelo Mastrojani. Ishte viti 1982. Gjashtë herë ka ardhur ekipi me Mishel Pikolin, aktori i madh francez dhe operatorin e filmit Luçiano Tovolin. Unë isha përzgjedhur si piktori i filmit dhe i shoqëroja kudo. Pamë shumë vende nga Shqipëria. Ata mahniteshin nga pamja. “Këtu do të xhirojmë” thoshte Pikoli. Mirëpo qëllonte që të gjitha vendet që ai pëlqente ishin zona ushtarake. Sapo ia shpjegonim një gjë të tillë ai shante në frëngjisht “merde”. Na qëlloi të shkonim dhe në Përmet. Shkuam në turizëm dhe aty i njoha me Laver Bariun. Kur dëgjoi interpretimin e tij, Mishel Pikoli tha: “Kjo muzikë do të jetë në film”. Ai i kërkoi Laverit t’i binte si të donte klarinetës. Ndërkohë që Laveri improvizonte ai ndezi një magnetofon dhe regjistroi gjithçka. Së fundi u mendua që xhirimet të fillonin dhe Pikoli e Tovoli shkuan të takonin drejtorin e kinostudios Vangjush Zallëmin për modalitetet e fundit. Por dolën nga zyra e tij me një “Jo”. “Filmi nuk do të bëhet” më tha Pikoli i nervozuar. “Nuk duan ata lart. Por do ta shohin, kjo punë nuk mbaron këtu. Ne do t’i diskreditojmë”. Ata u nisën menjëherë andej nga kishin ardhur dhe të nesërmen gazeta franceze “Le Mond” botoi një artikull me titullin: “Ku është fjala e shqiptarit?!” Mendoj se humbëm një shans të madh për të bërë një film botëror. Për atë film u angazhua ajka e kinemasë evropiane. Por ai duhej xhiruar në terrenin shqiptar që të merrte jetë. Më pas si film u xhirua në Jug të Italisë, dhe kishte fare pak elementë shqiptarë veç ndonjë skene që kisha sugjeruar unë, pasi të gjitha punime e mia ata i morën me vete dhe klarinetës së Laver Bariut që ndihej në sfond”.

Titulli i munguar

Shyqyri Sako është dekoruar me dy urdhra “Naim Frashëri”. Ka marrë kupa dhe medaljone në Festivalet e Filmit dhe në vitin 1987 është titulluar “Artisi i merituar”. Por thotë se kjo punë ka ndalur këtu, ndërkohë që piktorë të tjerë, që kanë marrë mësime prej tij, e kanë bërë jo 40 por nga 10 a 12 filma,jo vetëm janë nderuar me tituj më shumë, por kanë përfituar dhe pensionin e veçantë. E në këtë situatë absurde e groteske, Shyqyri Sako ndihet keq, padyshim. “Nëse do të merrja dhe unë pensionin e posaçëm, si shumë të tjerë, shtesën e parave do ta kisha vetëm për kafe me shokë e miq e mi”, thotë ai. E natyrisht, ç’duhet më shumë se kaq.

“Mësonjëtorja”

Filmi "Mësonjtorja"

Filmi “Mësonjtorja”

“Filmi më i vështirë ka qenë “Mësonjëtorja”. Duhet të shkonim 100 vjet pas. Duheshin përshtatur kostumet dhe arkitektura. Duhej bërë një klasë mësimi që të jepte idenë e atyre viteve. Shfletova shumë materiale të asaj kohe dhe shkova shtëpi më shtëpi për të gjetur elementët që do t’i duheshin filmit”.

“Tomka dhe shokët e tij”

Filmi "Tomka dhe shokët e tij"

Filmi “Tomka dhe shokët e tij”

“Filmat për fëmijë padyshim kanë qenë të vështirë për t’u realizuar, por ai që më ka mbetur më shuam në kujtesë është “Tomka dhe shokët e tij”. Mbaj mend që pasi u njoha me skenarin i thashë regjisores Xhanfize Keko: “Padyshim, ky film mund të xhirohet vetëm në Berat”.

“Shpella e Piratëve”

Filmi "Shpella e piratëve"

Filmi “Shpella e piratëve”

“Një mbresë të veçantë kam për filmin “Shpella e Piratëve”. Në atelienë e madhe të Kinostudios realizova një shpellë gjigante aq sa aktorët e vegjël që luanin në të dukeshin si liliputë. Është skenografia më e madhe e ndërtuar ndonjëherë në Kinostudio. Nuk mungonin as stalaktitet dhe as uji që pikonte prej tyre”.

“Rrugë të bardha”

Filmi "Rrugë të bardha"

Filmi “Rrugë të bardha”

“Tek “Rrugë të bardha”, i them regjisorit të filmit Viktor Gjika: “Tropojën do ta ngre në Tiranë”. Kështu në atelietë e Kinostudios ngrita një “Tropojë të dytë”, aq sa Viktori mbeti i mrekulluar. Skenat e papafingos ku jetonin beqarët dhe apo të postës, janë xhiruar në atelie”.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top