Psikofakt

October 12, 2016 | 16:20

Piskama e një monologu… kur dashuria mungon, nuk ka më cak, aty vdes gjithçka

Nga Dorina HOXHA Publiciste

Nga Dorina HOXHA Publiciste

Kur fundi të thotë:-“Ky jam ‘unë’, ndihu si unë”! Bëj ç’të duash, sepse edhe ti si unë je!…, nuk ka më trishtim të thellë për shpirtin. Nuk mund të bëj asgjë që s’duhet, sepse nuk dua, nuk besoj tek rastësia as tek shanset kuturu. Kam frikë të rri vetëm, nuk dua të lundroj në gënjeshtra tradhtarësh, nuk dua t’i ofroj çdokujt fjalët e mia në mendjen e tyre dritëshkurtër. Jam e lodhur. Mendoj që ky ishte cak. Ka nga ato caqe që pret edhe kur s’di çfarë pret, por ky qenka vërtet caku i asaj që, nuk ke çfarë të presësh, sepse nuk do të vijë asgjë përveçse vetes tënde.Koha kalon shumë shpejt. Çdo ditë e superojmë veten me gjithë dështimet dhe paarritjet që dëshirojmë, por kur dashuria mungon, nuk ka më cak, aty vdes gjithçka. Ndjehem sikur po e lëndoj edhe frymën që marr, po lëndoj çdo qelizë të trupit nga lëndimi se ato mund të  lëndohen. Zemra, jo… jo… atë nuk e ndjej më brenda meje, ku jam e humbur?!…

Vallë kaq fuqi të madhe paskësh dashuria për jetën?!

mariola

Kush ma zhveshi jetën kaq paturpësisht nga të gjitha mirësitë e saj, mos vallë ma zhveshi infantiliteti përzieshëm me ideal!… Nuk e di cili ma cënoi keqaz dëshirën për të mos shpresuar! Thonë se vlerat dhe kultivimi i tyre të sjellin begati, nuk e di përse mua sot më sjellin një egoizëm të shfrenuar për të bërë të kundërtën. Dështoj sepse nuk jam e kundërta, nuk dua të jem. Unë jam ajo që isha dikur dhe ajo që nuk di si do të bëhem. Jam një ndërthurje e pakuptimtë përbërjesh shpirtërore. Kam nevojë të fle, të harroj se dua të qaj për të mos u angushtuar edhe më tej shpirtërisht. Në mënyrë permanente, unë duhet të jetoj, jetoj!!! Të fle dhe të zgjohem për të mos qenë peng i vetes, as peng i pengjeve të të tjerëve. Unë nuk i dua fjalët, dua ngjyrat dhe nuancat e zërit që i japin jetë fjalës, dua të prekshmen fletë që të kërkon impenjim për të shkruajtur dhe mendjemprehtësi për t’u korrigjuar. Dua të fle, ky shi sa shumë që gjëmon, mot i rrekshëm për dhembje. Merrmë në krahët e dashurisë dhe shpjermë larg o Zot, atje ku vetëm ti më dhuron paqen e humbur mes trazirash sociale. Në rrugë nuk më intereson nëse bota shembet nën rrota, në bankinë, në ujë, përmbytet çdo mendim i frikshëm.

Shpresë, shpresoj mos më lësh në rrugë, por dërgomë atje ku t’i rigjeneron dëshirën për të dashur. Përqafomë fort, kam nevojë të kuptoj se mendimi yt i përkulshëm është po aq i thyeshëm sa arsyeja ime vetmitare.

Lidhmë fort në kraharorin e rrahjeve të epshme për siguri. Nuk më siguron asgjë se ti nuk je, nuk më siguron as ngrohtësia e lëkurës tënde. Jo, jo… jeta është vullkani që shuhet shpejt, por rrahjet fluskojnë ende në kraterin e e saj, si për të thënë mëshirshëm: “Më duaj”!

Bëhu mendim i mendimit tim dhe ruaji me fanatizëm fjalët, sepse janë si puna e hirit, që po e le grushtin e hapur, shpërndahet në erë dhe humbin në hapësirën e universit. Ti, nuk dëshiron të jem hiç?! Unë, nuk dëshiroj të jem hiç. Mos vallë kjo dëshirë më thotë që ne jemi hiç?!

A ke fuqi të më shkundësh zërin e shpirtit deri në grahmat e fundit, atje ku shkëputja e tij nga trupi i ngjason gjembit nën pambuk dhe shqitjes prej saj. Nuk kam kohë të qaj. Saktësisht kohën nuk e njoh më. Njëtrajtshmëria ime të flet njëlloj sikur belbëzoja dikur fëmijë, e njëlloj tani si adult. Shpresë, rri dhe pak sa ora zyrtare të përfundojë, rri aq sa të më shoqërosh rrugës për në shtëpi, rri aq sa sa unë të bëj një artikull, pakëz fare, sa unë të fle me ëndrra për të nesërmen. Vallë po nesër sa do të rrish?! Puthmë në qafë, rri qetësisht pa folur, shpresë… bëj të kuptoj se duke qenë me ty prapë do kërkoj një tjetër shpresë, që me siguri ti nuk do jesh? Shpresë mos më lidh me njerëzit, se ato largohen një ditë, por me dashurinë më lidh fort, aq sa fryma ta shuajë shpresën, aq sa shpresa ta harrojë dashurinë. Sot, nga përtej xhamit, shiu bie… gjithçka po duket e njëjtë. Nuk e kuptova përse unë ndryshova humor dhe shtirem sikur të kem ende shpresë.

 

Kristalet e ujit janë shpresa e tokës, kristalet e tokës janë shpresa e njeriut. Dashuria është shpresa për ty, por nuk e di pse dreqin Ti nuk je shpresa e dashurisë sime!…

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top