Marrëdhënie

October 13, 2016 | 8:16

Dashuria dhe martesa / Filozofia e popullit: Kush nuk martohet, vdes si qen.

Nga Hysen Kica

“Mos mendo më për të! “ është sikur të thuash: “Mos jeto më!”

Një shkrimtar italian, që ktheu në prozë tragjedinë “Romeo dhe Giulieta”, ka theksuar se, të gjitha vajzat ëndërrojnë që princi i tyre të jetë i veshur me rroba të kaltra, të vijë me kalë të bardhë dhe ti shpjerë në kështjellën e artë të lumturisë.

love_and_marriageNdoshta meshkujt ëndërrojnë më pak, por duan një shoqe të sinqertë, për të cilën mund të sakrofikojnë edhe jetën, dhe një bashkëpunëtore që ta kenë në krahë gjatë gjithë rrugës së jetës. Janë të pavdekshme këngët dhe poezitë për dashurinë, ku kanë lënë gjurmë të thella poezitë e Eseninit, Bernësit, Khajamit, por edhe ato shqiptare si të De Radës, Hil Mosit, Naimit, Çajupit, dhe plot të tjerë. Nuk ka jetë dhe vepër arti pa dashuri.

Dashuri do të thotë jo vetëm pëlqimi i pamjes së jashtme, por pranimi i të gjitha cilësive individuale e botëkuptimore, harmonizimi i të gjitha interesave dhe pranimi i bashkëpunimit si rruga drejt suksesit në jetë.

Të gjithë ata, që e shohin një njeri të seksit tjetër me synimin për të krijuar një miqësi të bukur, duhet të mbjellin një lule në zemrën e tyre. Lulet e sapombjella janë gjithmonë të brishta, prandaj kërkojnë jo vetëm përkujdesje, por edhe shumë ndjenja. Në realitet ka shumë raste kur njëri nga të rinjtë synon një aventurë dhe e mashtron tjetrin pa menduar se kjo sjellje do ta shkelë me këmbë lulen që mbolli vajza apo djali. Një dashuri e vërtetë dhe e qëdrueshme fillon nga niveli zero dhe normalisht duhet të kalojë nëpër shkallët e rritjes, pa u ngutur me arsyetimin naiv se, pranohen hopet. Kështu nga niveli zero fillon shkalla e parë ose shoqëria, që është një periudhë e domosdoshme njohjeje. Njohja nuk nënkupton vetëm njohjen “biografike”, njohjen fizike apo gjendjen ekonomike e sociale, por edhe njohjen e botëkuptimin, të kulturës dhe të gjitha cilësive individuale. Atëherë kur të rinjtë arrijnë njohjen e domosdoshme individuale, shoqëria e tyre kalon në një shkallë më të lartë, që është miqësia. Dy të rinj, të seksit të kundërt, mund të kenë shumë gjëra të përbashkëta, por ndoshta nuk mund të jenë miq. Miqësia është e kundërta e të vërtetës në dashuri dhe vetëm aty e merr notën kaluese ose mbetet në klasë. Mos e mashtroni veten se do i gjeni këto vlera gjatë rrugës.

Dashuria është përmbushja e saj në martesë. Dashuria dhe martesa plotësojnë njëra-tjetrën, sepse njeriu përfiton shumë nga martesa. Me martesën njeriu fiton personalitetin në shoqëri, rrit rrethin e miqve dhe besimin e shokëve. Me martesën njeriu bashkon ekonominë dhe forcat mendore e fizike për miradministrimin e jetës. Vlerat e një jete familjare janë të pazëvendësueshme me asnjë nga mënyrat e tjera të jetesës. Në rradhë të parë thuhet se, familja bashkon zemrat e njerëzve, por bashkon edhe dëshirat e tyre. Bashkon rrugët e tyre të jetës dhe jeta bëhet jo vetëm më e bukur, por edhe më e lehtë kur bashkohen forcat.

dashuria1

Miku më besnik dhe më pa interesa është vetëm bashkëshorti. Me bashkëshortin sigurohet vazhdimësia e jetës njerëzore, krijohet një jetë e përbashkët, një ekonomi e përbashkët, një vatër e ngrohtë ku njeriu mbështet kokën. Në familje lindin dhe rriten fëmijë dhe krijohet një sistem unik për mirëdukimin dhe sigurimin e mbarëvajtjes së shoqërisë njerëzore. Thuhet se as në dashuri nuk ka fushë të shtruar me lule, por dashuria duhet shndërruar në një fushë ku të mbillen vetëm lule nëse doni ta shijoni gjatë lumturinë.

Besimi dhe interesi reciprok, përkushtimi i plotë ndaj partnerit të seksit tjetër dhe ruajtja e harmonisë familjare janë kërkesa të domosdoshme. Nëse partneri ka një plagë, tjetri ka për detyrë t’ia njohë dhe t’ia shërojë. Nëse nuk do ta shërojë, apo mundohet t’i vërë gishtin në plagë për t’ia shtuar dhimbjet, atëherë nuk duhet vazhduar bashkë. Joshjet dhe impulse seksuale duhen frenuar, sepse familja dhe dashuria janë shumë më të vlefshme se kënaqësitë e momentit. Liria seksuale, ashtu si çdo liri tjetër, është e jotja deri aty ku nuk cenohen persona të tjerë. Një liri e shtyrë vetëm nga instiktet, jashtë normave të moralit familjar e shoqëror, është liri e kafshës. Për interesa themelore duhen frenuar këto instinkte.

Problemet e dashurisë nuk janë krejt private dhe nuk duhet menduar se çdo njeri ka liri të plotë ta ndërtojeë jetën e tij si të dojë. Jetojmë në një shoqëri, jemi pjesë e kësaj shoqërie dhe duhet të përshtatemi e të sinkronizohemi me rregullat dhe parimet mbi të cilat ndërtohet dhe funksionon ajo. Dashuria është një problem i madh shoqëror, sepse nga mbarëvajtja e familjeve përcaktohet edhe mbarëvajtja e gjithë shoqërisë. Një shoqëri e lumtur përbëhet nga familje të lumtura dhe anasjelltas. Për shoqërinë shqiptare ka qenë dhe mbetet si qëllim i dashurisë vetëm lidhja e martesës. Ky qëllim i madh nuk mund të shpërdorohet me asnjë lloj justifikimi gjoja për t’u përshtatur me botën e qytetëruar. Askush në botë nuk na ka kritikuar për zakonet dhe traditat e mira shqiptare dhe askush në botë nuk na do nëse ne shkelim mbi nderin dhe dinjitetin shqiptar. Përkundrazi. Ai që mohon dhe tradhton sinqeritetin dhe ndershmërinë e familjes është i përbuzur kudo në botë.

Ka patur dhe ka akoma plot përpjekje për ta shkëputur dashurinë nga familja, por thuajse të gjitha kanë dështuar. E kanë provuar këtë mënyrë jetese disa vip-a të artit dhe politikës, që e kanë mbështetur aventurën e tyre në vlerat ekonomike, por janë penduar në mesin e rrugës së jetës ose kanë përfunduar në një pleqëri të vetmuar e të braktisur.

dashuriaFilozofia e popullit arriti në konkluzionin se gruaja në pleqëri është si nëna në fëmini dhe… Kush nuk martohet, vdes si qen.

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top