Këndi i të rinjve

December 21, 2018 | 8:05

Plagë dashurie… Sa mund të peshojë një pikë loti në ujëvarë?

 

Sot pas kaq kohësh ndjeva se po qaja sërish për ty, për kohën që kaluam bashkë e për kujtimet që ngelën si një ditar i heshtur në sirtar. Kam dhimbje për ty… Kam lot për ty që duket sikur kurrë s’do thahen. Jam një mjerane e shkretë që vuan për një të paemër sikur ty.

Enveida Kajushi, studente

Enveida Kajushi, studente

S’di në ka emër ndjenja, e s’di në ka emër shpirti që vuan rrethanat. Kush di diçka për diçka të asgjësë? Kurrkush, vallë? 

Netët e vona janë bërë miket e mia më besnike, të vetmet që më kuptojnë dhimbjen, e sikur mure të heshtura mbajnë sekret sekretin e dhimbjes time. 

Kush flet me heshtje teksa dhimbja plagën e mbyllur sërish lëndon?

Flas në heshtje, qaj në heshtje, ndjej në heshtje se jam thjesht një budallaçkë që di të heshtë, se unë jam zëri i Arielit që humbi në thellësitë e oqeaneve. Jam marrëzisht e çmendur në idealet që thura… Por, prapë vazhdoj të thur të tilla, ndonëse nga mijëra të tilla jam shfaruar.

3

Ku janë ndjenjat që kishim, për më tepër ku je vetë ti, o mjeran korbzi? Më hodhe në humnerën e errësirës totale. Mundohem të ngjitem, bëj hapa, bëj metra ngjitjeje, e prapë pas çdo ngritjeje, bie prapë në tokën e mallkuar sikur sot që të kujtova ty.

Një jetë me ty ishte e dëshiruar, por pa ty duket sikur kështu ishte e shkruar. Një caktim i mirëpritur kur s’bëhet diçka për të luftuar fatin. Një ndryshim i imi peshon shumë pak, aq sa mund të peshojë një pikë loti në ujëvarë.

Ah, sa bukur… Ja me dhimbje prapë e peshoj kujtimin tonë bashkë, se veç dhimbje mora. Fshehur në fletët e ditarit aty diku ndodhet një letër për ty… një letër që kurrë s’do dijë drejtimin e saj, se ti do mbetesh anonimi im, ti do mbetesh ai film bardhezi por, që u desh më shumë seç duhej.

Kam dhimbje për ty… Ama, ti i ikur s’e fshin dot këtë dhimbje por, qoftë edhe i kthyer, tashmë është e kotë… S’bie dot dy herë në të njëjtën humnerë… Të paktën, jo më.

Vazhdojnë fjalë të pathëna që duan të shprehin rëndësinë e tyre por, duket qartë që ti kurrë s’do i kuptosh që ato janë veç për ty, se ti ishe çelësi i shpirtit tim.

Më mungojnë përkëdheljet e tua, përkëdhelje që dot s’i mora, ngase s’më takonin mua. Më mungon aroma jote, ajo aromë që më shkaktoi marramendje për ty.

Ku je fundosur, vallë? Në ça kthetrash femre ke rënë sot? 

Sigurisht, nuk e doje ti një premtim besnik, por ca përkëdhelje përkohësisht të lumtura që do t’i shoqëroje më pas me një largim me zemër të ngrirë.

Tipiku gënjeshtar… tipiku ti, KORBI im i zi.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top