Këshilla & Arsye

December 21, 2018 | 8:10

Nga Silvana Uka Bushi: Si ndikon i ftohti te njeriu?

Gjëja e parë që mendojmë kur hapim sytë në mëngjes është: Si do të jetë koha sot? E dini sa kushton moti i keq në gatishmërinë tuaj? Nëse e bëni këtë pyetje, shumica e njerëzve do t’ju përgjigjen: “Koha ka një ndikim të madh në gjendjen e përgjithshme shpirtërore”.

Silvana Uka (Bushi), psikologe klinike

Silvana Uka (Bushi), psikologe klinike

Është e vërtetë se moti ka një efekt në gjendjen shpirtërore. Ai ndikon te ndjenjat tona. Studimet mbi ekspozimin e të ftohtit na tregojnë se ata që kanë ftohtë, kanë më shumë gjasa të bien në depresion.

Ne për shembull, kemi gjasa të bëhemi melankolik pas tri ditëve të zymta me shi dhe lagështirë, dhe kjo akoma më keq ndikon në humorin tonë duke na bërë më të irrituar. Por dhe gjatë mëngjeseve të ftohta të dimrit na kap paniku kur vishemi dhe bëhemi gati për punë. Kur dalim gjithnjë e më të mbledhur dhe strukur nën rrobat tona.

Megjithatë, shumë prej nesh, kanë një ndjenjë shumë më të theksuar se të tjerët duke qenë meteoro-sensitiv, ku humorin dhe mendimet i kanë të drejtuara tërësisht te moti. Në të vërtetë, mund të themi se te këto persona është koha që “bën” gjendjen shpirtërore të njeriut.

1

Ka nga ata që vuajnë nga lagështira, nga nxehtësia, nga era e ftohtë, mungesa e diellit ose tejkalimi i dritës. Në vend që të jenë në harmoni, ata janë nën mëshirën e klimës, dhe kjo e bën jetën e tyre një lëvizje të vazhdueshme të mendimeve dhe gatishmërive  të kundërta që parandalojnë një rrjedhje paqësore të ekzistencës.

Nuk është e lehtë për të mbajtur lart humorin gjatë dimrit. Në dimër ditët janë më të shkurtra, vështirësia për të dalë nga ambienti i ngrohtë në një të ftohtë, metabolizmi ngadalësohet, si dhe një vështirësi tjetër është dhe mungesa e dritës që na përshkon mes ditëve gri dhe të ftohta. Në dimër shtohet depresioni i njerëzve, i njohur që njihet si DAS (çrregullimi emocional sezonal).

Në fakt, densiteti më i ulët i rrezeve të diellit gjatë dimrit stimulon pak melatoninën, një hormon që ndikon pozitivisht në humor. I ftohti gjithashtu jo vetëm që çon në ulje të humorit për shumë persona, por sipas studimeve ai ndikon në dehidratimin e trupit të njeriut.

Sipas Studimeve të bëra, ekspozimi ndaj të ftohtit zbut ndjenjën e etjes deri në 40% dhe kjo do të thotë se nuk e kuptojmë menjëherë se kemi etje, dhe për pasojë do të shkaktohet dehidratim i trupit. Përveç kësaj, veshjet e rënda tipike të sezonit të ftohtë, shpesh nuk garantojnë shpërndarje të duhur dhe rrjedhimisht përcaktojnë rritjen e djersitjes, me humbje të mëtejshme të lëngjeve dhe kripërave minerale.

2

Ja si përshtatet moti te gjendja shpirtërore e njeriut.

Moti i ngrohtë dhe i lagësht: për njeriun transmeton ankth, përgjegjësi të tepërt dhe klaustrofobi.

Shi ose mot vrenjtur: transmeton te njeriu siklet ndaj introspeksionit dhe kujtimit.

Moti shumë i ftohtë: transmeton ndjenjat e të qenit i brishtë dhe i sulmueshëm.

Por si ta kalojmë dimrin në mënyrën më të mirë të mundshme, dhe me një gjendje të mirë shpirtërore?

Ndryshoni të menduarit dhe metodat për të mbajtur humor të lartë

Përpiquni te mendoni për dimrin si diçka që sjell kënaqësi. Të qëndroni diku në një divan me një kafe të ngrohtë duke lexuar apo duke parë TV. Duhet të mendojmë se ka gjëra që na kënaqin dhe na bëjnë të ndihemi mirë edhe në dimër. Mos harroni, mendimi është ai që komandon mendjen tuaj.

Krijoni mjedisin e duhur

Një metodë e mirë që ndihmon në ruajtjen e humorit në dimër është krijimi i mjedisit të duhur përreth jush. Në shtëpi ose një dhomë, krijoni ambientin e duhur. Kjo do të bëjë që ju të harroni se sa shëmtuar dhe ftohtë është jashtë.

Dilni jashtë sa më shpesh të jetë e mundur

Mbajtja e humorit në dimër është më e lehtë nëse ju do praktikoni të dalat e shpeshta njësoj si në verë. Dilni jashtë! S’ka rëndësi nëse është ftohtë, bie shi apo borë. Të gjitha janë fenomene të natyrës. Ekziston një thënie: nuk ka mot të keq, por ka vetëm veshje të keqe! Vishuni me gjëra të trasha, të ngrohta, të buta dhe dilni.

Mundohuni të jeni sa më të angazhuar

Përqendrohuni në pasione ose në qëllimet tuaja që gjithmonë shtyhen. Nëse stina e bukur imponon ritme më të nxituara që ju detyrojnë të shtyni interesat tuaja personale, përfitoni nga dimri për të ndjekur pasionet tuaja. Merruni me gatim, mësoni një gjuhë të huaj ose merruni me sport. Është koha e duhur. Dhe në fund të dimrit do të bëheni të aftë në atë pasion që keni dashur gjithmonë dhe që nuk keni pasur kohën për ta bërë.

Bëni ushtrime fizike

Është e panevojshme të themi se sporti është një ilaç në çdo periudhë të vitit. Aktiviteti lëvizës, sidomos me qëllim të ruajtjes së humorit, është një ide e mirë për çlirimin e tensionit dhe stresit. Ushtrimet fizike ndihmojnë të ndjeheni më jetësorë, më energjikë, stimulon endorfinën dhe ju bën të ndiheni të kënaqur.

Merrni sa më shumë vitamina

Disa lloje të vitaminave ndihmojnë në mbajtjen e gatishmërisë së lartë, dhe kur këto vitamina janë në mungesë, ju ndjeheni të lodhur ose letargjikë. Merrni vitaminën D që është shumë e rëndësishme për të mbajtur lart humorin. Vitamina D gjendet në vezë, prodhime qumështi, dhe në shumë perime. Vitamina B është e rëndësishme për funksionimin e duhur të sistemit nervor qendror dhe për të kontrolluar ankthin dhe stresin. Ato gjenden në ushqimet e detit, dhe në perimet me gjethe jeshile. Por edhe te banania. Magnezi gjithashtu mund të ndihmojë në ruajtjen e humorit në këtë sezon. Ai parandalon depresionin, stresin, sulmet e panikut, ankthin dhe pagjumësinë. Gjendet te produktet e qumështit.

Me të gjitha këto një dimër i fortë përballohet lehtë!

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top