Pika referimi

October 20, 2016 | 8:19

Pleqëria, ky dimër i vetmisë së madhe

... Vjeshta, me gjithë ankthin e kohës që nuk premtonte, mblidhte nëpër stacione turma njerëzish të tensionuar, për të mbërritur në destinacionet e dëshiruara. Ishin orare piku, ku njerëzia shfrynte egoizmin e saj mbijetues.

Nga Dorina Hoxha Publiciste

Nga Dorina Hoxha
Publiciste

Zhurma e qytetit të mbyt me gjallëri dhe njëkohësisht të ringjall me vetmi. Nuk e kuptojmë se sa hapësira personale na ndihmon apo na përkeqëson nga ana emocionale, deri në momentin kur kjo hapësirë nuk është luks për të përparuar, por është një mbijetesë për të sfiduar. Radioja ishte destinacioni im atë pasdite që më njohu edhe me Marian, një nënë 79-vjeçare që qëndronte e ulur në një stol, pjesa e sipërme e të cilit ishte një dru i lyer në ngjyrë hiri, e që vitet e kishin rrjepur pjesërisht. Kushtet klimaterike kishin pikturuar fasadën e murit pas stolit, si një hartë memece që të dërgon pikërisht në qendrën e vetmisë së madhe, aty ku Maria plakë kundronte jetën e luksit që i parakalonte në hyrje të shtëpisë së saj. Pas përfundimit të emisionit “Hapësirë e Rezervuar” në radio, mora ashensorin e katit të 9-të për të zbritur në realitetin e pranueshëm të njerëzve, që të afrojnë në heshtje me piskamën e tyre të monologut të thurur trishtueshëm me shtizat e jetës. Përpara meje, e zeza e fortë e shamisë në kokë, por edhe e veshjes, thyhej me ngjyrën e ndezur të së kuqes së papuçeve që thurte. Nuk e di se cili ishte shkaku që këmbët më afruan tek kjo grua plakë, që siç bëjnë zakonisht të moshuarit, përshëndesin këdo që kalon në pragun e tyre. Me të ishte ndryshe. Ashensori që më zbriti në katin zero, më dërgoi fill e tek pragu i nëndheshëm i shpresës…

Në sytë e Marias, shpresa ishte ende aty, të rrokte ndonjë buzëqeshje së largu, të tërhiqte vëmendjen me artin e saj të shtizave. Çdo vështrim i Marias së largu, ishte përshëndetje dhe njëkohësisht, thirrje për dimrin e vetmisë së madhe.
Jashtë natyra ishte në të zverdhur, nuk e di përse papuçet e kuqe të nënë Marias më tërhoqën vëmendjen. Ndërmend më sollën gjyshen, dhe papuçet e kuqe sa shumë më ngjasuan me ato ngjyrë rozë që unë ruaja me fanatizëm, si kujtimi më i çmuar, i thurur me dashurinë dhe përkujdesjen e një gjysheje të palodhur, ikonë të sakrificës deri në piedestal e që prej vitesh nuk ia përfytyroja ato rrudha në ballë, ato rrudha dhe damarët e vijëzuar nëpër duar. Duart e palodhura që nuk përtuan të na gatuajnë ëmbëlsira, të na përgatisin biskotat e formave nga më të ndryshmet, ku durimi i tyre skalitej nga kapriçot tona, pa e njohur kurrë lodhjen.
Ku shkon ajo dashuri e flakur në azile?!

A ka vend dashuria tek braktisja?!…

Një virokë pambuk mjaftonte për të treguar se dashuria është aty e përpunuar, që të mos shteret, pavarësisht dimrit të vetmisë së tyre të madhe.

Pleqëria është piku i jetës në zbritje, njëlloj si të qarat e një të porsalinduri, dashuria buçet e heshtur në gjoket ku dëbora e vetmisë ka ngrirë të ecurën, të folurën, vështrimin, por kurrsesi zemrën, e cila vajton me ritmin e një foshnjeje të paushqyer me gji.

Pleqëria është stina e fundit e jetës. Aty fryn një dimër veriu tredimensional, ku bien mendimet si gjethe të thara, ku veprimet këputen si degë të rënduara nga frytet dhe e vetmja shpresë për të mos humbur kontaktin me realitetin, është fjala…

“Ajo” rigjeneruesja që përmban botë brenda vetes, ajo që përmbyt universe e galaktika mendimesh.

Maria ishte përfytyrimi im në të ardhmen, kurse unë përbëja përfytyrimin e saj në të shkuarën. Piskama në vështrimin e Marias më ndali hapin t’i afrohem dhe të shkëmbej një bisedë miqësore, ashtu siç e përfytyroja me gjyshen time, por ndryshe nga e ndjera, nënë Maria nuk e kish patur fatin e të qenit nënë, dhe kjo ishte një ndër arsyet që ajo vazhdonte të jetonte e vetme.
Sapo shkëmbeva fjalët e para më sinqeritetin e një gjysheje, më pohoi historinë e jetës së saj, se bashkëshorti i kish vdekur dekada më parë dhe se vuajta e saj e kish gjenezën deri në fëmijërinë e hershme, kur kish mbetur jetime nga nëna.
Dhimbjet e një njeriu thonë se nuk kanë fund, por a ekziston më “fund” se sa vetmia dhe dhimbja e Marias së mbetur fillikat?! Asnjë e mirë materiale nuk e kompenson humbjen shpirtërore dhe acarin që ngrin mendimet, ngrin vetë jetën. Maria kishte një çati mbi kokë, një banesë private që nuk ish vënë dorë prej vitesh, e që çuditërisht ishte përballë një bote të zhvilluar teknologjike, që të ngjit me ashensor deri në katin e 9-të e të shpërndan fjalën nëpër valët magnetike në tërë hapësirën shqiptare, nga Vermoshi në Konispol, nga Prespa në Sazan.
Nuk besoj kurrë te rastësitë. Gjërat ndodhin për qëllime të determinuara, dhe se takimi i dy domosdoshmërive hap shtegun gjithnjë për të depërtuar në skajet më të largëta veriore të shpirtit, atje ku ndodhet edhe dimri i vetmisë së madhe.

Nuk e di nëse Maria ishte “Shën” apo “nënë”, ishte Maria apo Merjeme?! Gjykimi nga kjo pikëpamje, më pështirosej. Tashmë Maria ishte në kohën e bardhë të saj, ku shamia e kokës i zbulonte nëpër cepa floknajën e ngrirë prej acarit të viteve dhe unë shquaja peshën e mundit në shpinën e harkuar, si tek Kurrizoja i Notre Damit.
Maria më tregoi se pas bashkëshortit, ajo humb edhe dy vëllezërit më kancer dhe se jeta ishte treguar e pamëshirshme, duke e flakur të vetme në një botë që po ndryshon çdo ditë e më shumë, e që ajo e ndien veten një kalimtare të përkohshme e që për të, “fjala” do të mbesë e vetmja shpresë e pandryshueshme. “Fjala” ishte ilaçi për Marian, që e rrekte përlotshëm komunikimin me komshinjtë e vizitorë të rastit. Komunikonte dhe thurte lotët nën vete, nëpërmjet shtizave, e strukur në pragun e vetmisë së saj të madhe.
Nënë Maria pati fatin t’i shpëtonte azilit, por kurrsesi t’i shpëtonte vetmisë, asaj ndjesie që kur jemi të rinj, e mbysim dhe kur pleqërojmë, na mbyt…
Unë atë ditë, nënë Marias i ofrova një pije freskuese, pasi më refuzoi frutat, duke me shpjeguar me durimin që e karakterizonte, se nuk i përtypte dot nga mungesa e dhëmbëve.
Ajo që më mbeti në mendje e më trishtoi, ishte përgjigjja e saj aq njerëzore: “Në moshën time ke nevojë të freskosh shpirtin.”
Unë në një çast të jetës së saj, theva vetminë, të etshme për fjalë e dashuri njerëzore, por kurrsesi nuk ia largova dot atë dimër të ftohtë, erërat e të cilit po depërtonin brenda meje furishëm, aq sa për të mbathur papuçet rozë e për të ruajtur fort në memorie kujtimet e pazhbëshme, që ende nëpërmjet mungesës, na falin dashuri të sinqertë.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top