Editorial

October 20, 2016 | 8:23

Në botën e librave

Nga Orjona Tresa

Nga Orjona Tresa

Kur Çarls Bukovski nisi të hidhte në copëza letrash mendimet e tij të para, ishte veçse një çunak i mbyllur, një djalosh që përjetonte Luftën e Dytë Botërore në një periudhë aspak të dëshirueshme e fort të rreptë, për shkak të gjendjes së vështirë ekonomike të familjes. Me gjithë ngarkesën e një emigracioni sa të dhimbshëm, aq dhe të fortë, ai e gjente shpresën te kallamari dhe letrat e siguruara ca në faturat e të atit, gjyshit, apo anash gazetave të braktisura ku kish hapësira të lira. Me gjithë përçmimin dhe përbuzjen e një jete, që jo vetëm varfëria ia kishte sjellë, por edhe një pamje fizike aspak e shëndetshme, prehjen ai e gjente në atë që ndoshta herët, por në mënyrë të pavullnetshme vrikte vrullshëm brenda tij.

Shumë pak miq i besonin intelektit të tij, familja e dhunshme e përbuzte dhe e keqtrajtonte. Mungesa e lirisë dhe shëmtia u shndërruan në armët e forta të një krijimtarie që do të zbërthenin më pas një tjetër gjeni të letërsisë botërore. Bukovski nuk kish dyshim që kish lindur për të qenë i tillë, një shkrimtar sqimatar, një ushtar i letërsisë bashkëkohore, një dëshmitar realist i veprave që sot njihen në dhjetëra gjuhë të botës. E në udhën e shumë mjeshtrave të penës në të katër anët e globit, edhe ai u bë pasues i një letërsie të zhdërvjellë e tërheqëse për natyrën e të përcjellit të kësaj gjinie. E nisa me Bukovskin, për në fakt të gjithë shkrimtarët e mëdhenj kanë një jetë të dyzuar e me trille të panumërta. Një jetë ku mund të referohesh pa fund. Të jesh shkrimtar duhet të jetë fat i madh, me siguri. Shumë njerëz tentojnë të bëhen të tillë, edhe pse të dhënat e tyre janë të kufizuara në këtë drejtim. Disa mediokër plagjatojnë nën emrin e më të mirëve, e shndërrohen në “Salierë” qesharakë. Të tjerë nga ambicia e tepruar përpiqen të përdorin çfarëdolloj mënyre vetëm e vetëm të dalin me një botim që t’u japë një gëzim tjetërlloj emrit të tyre.

Por këtë dhunti duket se Zoti nuk mund t’ua falë në mënyrë absolute të gjithëve. Ndaj dhe larmia duhet t’i gëzojë të gjithë me variante profesionesh. Nuk është e thënë të bëhesh medoemos shkrimtar. Ndërkohë prilli shënjon një ditë të veçantë. Data 23 e këtij muaji është veçuar në nderim të librit. U shpall vonë, vëtëm më 15 nëntor të vitit 1995, me një rezolutë të UNESCO-s, pasi u morën në konsideratë faktet se libri ka qenë historikisht instrumenti më i fuqishëm i shpërndarjes së njohurive dhe mjeti më efikas për të siguruar ruajtjen e këtyre njohurive. Jo rastësisht u datua 23-shi, sepse për rastësi të fatit, në 23 prill të shumë viteve më parë u ndanë nga jeta kolosë të letërsisë si Shekspiri e Servantesi. 23 prilli shënon edhe lindjen e disa shkrimtarëve të tjerë në zë. Kjo është arsyeja pse Konferenca e Përgjithshme e UNESCO-s kërkoi t’i bënte një homazh botëror librit dhe autorëve të tij. Është një ditë që duhet respektuar në emër të asaj që kontaktojmë çdo ditë.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top