Në fokus

September 21, 2016 | 8:11

PO-të & JO-të e trasgresionit

Nëse trasgresioni nënkupton të sfidosh veten për t’u zhvilluar, atëherë është një gjë e mirë dhe forcon vetëbesimin, në të kundërt mund të jetë e rrezikshme dhe na nxjerr jashtë rruge…

Të shkosh përtej, të shkelësh rregullat, të tejkalosh veten dhe të tjerët: ky është kuptimi që vjen nga latinishtja i fjalës trasgresion. Një tendencë e pranishme te njerëzit, të cilët që në antikitet janë munduar të tejkalojnë kufijtë personalë në të gjitha fushat. Eksploratorët shkojnë përtej kufijve të njohur gjeografikë, shkencëtarët studiojnë zbulimet e bëra për të kuptuar më shumë, atletët mundohen të përmirësojnë një rekord. Secili prej nesh mundohet të bëjë eksperienca të reja, të eksperimentojë në situata të pazakonta. Edhe kur biem në dashuri bëjmë gjëra që shkojnë përtej sjelljeve të lejuara, duke zbuluar aspekte të habitshme të vetes dhe partnerit. Shtysa për të rënë në sy, për të dalë i pari me çdo kusht, e marrë në kuptimin e vërtetë të fjalës, është instrument njohjeje, progresi dhe njëkohësisht edhe burim i ndjenjave të forta; është vetëbesim. Sigurisht që mbart mbi vete edhe rrezik, pak a shumë të madh, i cili jo gjithmonë përfundon pozitivisht. Të ndihesh mirë me këtë tendencë, mund të jetë një element shumë i dobishëm për jetën. E njëjta gjë ndodh edhe në marrëdhënien në çift. Jemi gjithmonë në kërkim të emocioneve më të forta dhe jeta bëhet më e bukur duke mos e jetuar gjithmonë me racionalitet lidhjen me partnerin. Trasgresion do të thotë të mos i bindesh një urdhri të dhënë; ka të bëjë me aventurën drejt një fushe të panjohur, me rrezikun… Ideja më e përhapur është që pikërisht dëshira për të shkelur rregullat dhe për të sfiduar veten i ka hapur udhë vetëdijes, kalimit nga respekti te rregullat, nga bota familjare dhe e sigurt tek e panjohura. Bëhet fjalë, në fakt, për thyerjen e ekuilibrave.

Trasgresioni: jo thjesht detyrë

1

Sot duket se të sillesh jashtë të zakonshmes është gjithnjë e më shumë një detyrim shoqëror, një diktat për t’u ndierë gjallë, të veçantë dhe të rëndësishëm. Njerëzit mundohen të jenë me çdo kusht në qendër të vëmendjes dhe e bëjnë këtë gjë ndoshta nga mërzia, nga mungesa e ndjenjave dhe projekteve, për t’u rebeluar ndaj diçkaje, për t’u vënë në provë, për të habitur, për t’u vlerësuar, për t’u ndierë gjithmonë të rinj apo sepse është në modë. “Të shkosh përtej”, në shumë raste, mund të jetë për shkak se njerëzit mund të kenë humbur aftësinë për të krijuar, apo sepse sillen shpesh kështu, pa e kuptuar mirë dhe shpesh në bazë të kufijve të vendosura nga një shoqëri që në raste të ndryshme e përkthen si “ekskluzivitet” trasgresionin masiv.

Mirëpo trasgresioni i shëndetshëm, ai që forcon vetëbesimin, për të qenë i tillë, nuk duhet asnjëherë të bëhet rregull dhe veç të tjerash duhet të jetë unik. Ndaj duhet të mundohemi me vetëdije më të madhe të zvogëlojmë rreziqet e sjelljes sonë dhe të shtojmë ndjesinë e shpagimit.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top