Dëshmi

May 5, 2020 | 8:05

Poetja Zhuliana Jorganxhi dedikim mes vargjesh të reja për mikun e vyer: Asnjë çast s’e ndal hapin! 

 

 

2

Poete e njohur shqiptare, me shumë çmime të para në festivalet kombëtare, ndërkombëtare, në anketat apo konkurset e poezisë si brenda dhe jashtë vendit. Ndonëse larg vendlindjes, poetesha që i ka thurur vargje jetës, natyrës, shpirtit, gjen gjithmonë kohë për poezinë, duke i dhënë dritë emocioneve pas të cilave kapet fort. 

Është Zhuliana Jorganxhi, poetesha, shkrimtarja, gazetarja, mësuesja, e lindur në qytetin e Korçës në vitin 1946, në një familje me tradita muzikore. Një nga katër fëmijët e këngëtarit veteran “Artistit të Merituar” Gaqo Jorganxhi, që për 65 vjet këndoi pa rreshtur si solist dhe në grupin e mirënjohur të këngëve karakteristike korçare “LIRA”.

Diplomuar në Universitetin e Tiranës, në fakultetin Histori-Filologji, dhe krahas tij ndoqi pranë Fakultetit të Shkencave Juridike, kursin dyvjeçar të gazetarisë, duke u diplomuar njëkohësisht si mësuese e gjuhës dhe letërsisë shqipe për shkollën e mesme dhe si gazetare.

1Në afrimin e ditës ndërkombëtare të jetimëve, muza e saj krijuese ka sjellë këto vargje të reja, dërguar për mikun e saj të vyer, Ilir Çumani:

***

Si një bisk i rënë në tokë. 

Ti i mitur, jetimmbetur, 

Net e ditë gëlltisje lot, 

Si kafshatë e patretur. 

Të mungoi ninull’ e Nënës, 

Puthj’ e saj e ngrohtë mbi ballë, 

Luteshe që dhe në ëndërr, 

Të të vinte një çast pranë. 

 

Ikën vite, hodhe shtatin… 

Rruga s’ish për ty asfalt… 

Asnjë çast s’e ndale hapin 

Drejt jetimëve të pafat.

 

Sa herë gjumin ia ke prishur 

Kush paranë e ka si mbret. 

Sa shumë maska ti ke grisur, 

Kur mëshira zemrat vret!

Zëri yt me forcë ngrihet. 

Zemra jote hapur rri, 

“Çdo jetim të mos ndihet 

Si fëmijë pa fëmijëri!”

 

Sa gëzon kur mirësia 

si një rreze dielli vjen, 

Ku merr dritë gjithësia, 

dashurinë jetimi ndjen.

 

Nuk ndjen lodhje miku im! 

Nëpër ditë edhe mote! 

Mbron me zemër çdo jetim 

Zgjon ndërgjegjen kësaj bote…!

 

Trieste – Itali, 22 prill, 2020

***

BIO

Zhuliana Jorganxhi, menjëherë mbas mbarimit të studimeve ka punuar për gjashtë vjet si gazetare në revistën “Shqiptarja e Re” dhe nga viti 1975 si redaktore letrare dhe poete e këngës në redaksinë e krijimtarisë dhe inçizimeve muzikore pranë Radiotelevizionit shqiptar. Aktivitetin e saj letrar e ka filluar në moshë të njomë dhe që prej moshës 17-vjeçare, poezitë e saj shohin dritën e botimit në gazeta dhe revista si “Drita”, “Zëri i Rinisë”, “nëntori” dhe “Les lettres albanaise” etj.

Ka botuar libra me poezi si “Net provimesh”(1969), “Rritje”(1971) ,”Lule në pemën e lirisë” (1982) dhe vëllimin me tregime për fëmijë “Fëmijët e teto Nastës”(1975). Ka marrë pjesë në konkurse letrare kombëtare dhe ka fituar dy herë çmimin e dytë dhe të tretë për poemat e saj.

Por, aktivitetin e saj më të madh, krahas poezisë dhe tregimit, e ka zhvilluar mbas vitit 1974 në gjininë e tekstit poetik të këngës.

Është autore e qindra teksteve poetike nëpër festivalet e këngës në Rtvsh dhe rrethet e Shqipërisë, në anketat dhe koncertet e Rtvsh si ai “Kur vjen pranvera”, “Këngët e stinës”, dekadat e Majit dhe në festivalet e fëmijëve në Tiranë dhe rrethe të ndryshme të Shqipërisë. Është fituese e gjashtë çmimeve të para dhe shumë të tjera.

Poezitë e saj janë botuar në Greqi, Rumani, Hollandë, Kosovë, Slloveni dhe Japoni. Në vitin 1996 iu dha Disku i Artë i Festivalit, kurse për 40 vjetorin e Festivalit të këngës në Rtvsh më 2001, ju dha “Çmimi i Karrierës”.

Ndër tekstet poetike të këngës mund të përmendim: “Jon”, “Se kënduam Let it bi”, “Jeto dhe jetën time”, “Bashkëmoshatarët”, “Në duart e nënës”, “Jemi emri i vet jetës”, “Kthehu për vete, për mua!” , “Ne, bijtë e lirisë” ( me këtë të fundit, në dhjetor të ‘ 90-tës, hapeshin dhe mbylleshin manifestimet e studentëve në sheshin, sot të quajtur “Demokracia”). 

Sot Zhuliana Jorganxhi jeton jashtë Atdheut në qytetin e Triestes të Italisë, por asnjë çast nuk ka ndërprerë lidhjet e saj artistike me vëndin e saj. Ajo ka marrë pjesë me tekstet e saj poetike në Festivalin e këngës triestine , si dhe bashkëpunon me kompozitorët dhe këngëtarët e vendit të saj nëpër festivale dhe për albumet e tyre muzikore.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top