Posta

October 18, 2017 | 10:05

Posta/ Djali 3-vjeçar ‘merr zemër’ sapo i ati vjen në shtëpi. Kjo gjë po ndikon për keq në edukimin e tij

Përshëndetje,

Kam dy fëmijë një djalë 3 vjeç e gjysmë dhe një vajzë 1 vjeç.  Problemi im konsiston tek edukimi i djalit, i cili gjatë kohës që është vetëm me mua është i sjellshëm i dëgjueshëm, sapo vjen im shoq ai transformohet totalisht, kur unë i flas im shoq me bërtet mua në sy të tij dhe ai merr zemër dhe fillon dhe shan, ofendon, bërtet dhe ne si çift kemi herë pas here grindje vetëm për këtë arsye. Ju lutem më ndihmoni si duhet që të reagoj unë dhe im shoq në lidhje me këtë problem? Kemi arritur deri në përplasje fizike vetëm për arsye të djalit. Jam shumë e shqetësuar se kjo gjë po ndikon shumë keq në edukimin e fëmijës dhe sado që unë mundohem t’i shpjegoj tim shoqi, që nuk duhet të më shkoj kundra para fëmijës e bën më keq……  Nëse do më jepni ndonjë këshillë në mënyrë që dhe im shoq ta lexojë, ndoshta mund të ndryshojë ndonjë gjë… Ju lutem me ndihmoni se jam realisht shumë e shqetësuar.

1

 

Nga Adelina Pjetra  Psikologe Klinike & Terapiste Emdr

Nga Adelina Pjetra
Psikologe Klinike & Terapiste Emdr

Nuk jeni e vetmja që e keni këtë problem. Shikoj që shumë familje kanë vështirësi në vendosjen e rregullave, kufinjve në rolet familjare dhe zbatimin e tyre. Ashtu siç e kam thënë shumë herë edhe në rastet e tjera kur nënat më kanë shkruar për problemet me fëmijët e tyre, por edhe në rastin tuaj po e përsëris: fëmijët kanë nevojë për rregulla, apo si thotë populli : Çatia me tjegulla-shtëpia me rregulla. Por përsëri këtu shohim probleme, pasi baballarët duke qenë mungues fizikisht në shumicën e kohës në shtëpi, mendojnë se duke toleruar apo llastuar mund të shlyejnë kohën e humbur me fëmijë, dhe të fitojnë dashurinë dhe vëmendjen e tyre. Por në këtë mënyrë ata vetëm sa prishin ekuilibrat dhe përcjellin mesazhin e gabuar: që rregullat mund të thyhen dhe manipulohen. Dhe në këtë rast fëmijës i jepen mesazhe kundërshtuese me njëra-tjetrën dhe ai mund të bëhet konfuz dhe agresiv. Duke qenë kaq të vegjël prindërit gabojnë kur mendojnë se nuk kuptojnë asgjë apo në këtë mënyrë fitojnë dashurinë e tyre. Fëmijët kur shohin prindër që kundërshtojnë njëri-tjetrin për ata, fitojnë besimin që në të ardhmen mund të bëjnë gjithçka, sepse do jenë të bindur që mund të manipulojë njërin nga prindërit.

Kujdes !!!

Rregullat duhen dhe të parët që duhet t’i zbatojnë ato janë vetë prindërit. Duke respektuar vendimet e njëri-tjetrit. Dhe në qoftë se njëri prind mendon që x dënim për fëmijën nuk është i drejtë, duhet që ta diskutojë këtë jo në prezencë të fëmijës, dhe vendimi përfundimtar të jetë i përbashkët.

Sa më bashkëpunues me njëri-tjetrin të jenë prindërit , aq më fëmijë të shëndetshëm dhe bashkëpunues do të rriten.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top