Mirëqenie

October 18, 2017 | 10:11

Mikrobet i mbrojnë fëmijët nga sëmundjet

femije

Një fëmijë mund të dëgjojë shumë shpesh nga prindërit se duhet të lajë duart e fytyrën e të jetë i pastër. Higjiena te fëmijët është e rëndësishme, pasi i mbron nga sëmundjet. Gjatë stinës së dimrit, i mbron më mirë nga gripi dhe gjatë lojërave në natyrë, nga bakteret që shkaktojnë sëmundje. Gjithnjë e më pak po i lejojmë fëmijët të dalin e të luajnë jashtë shtëpisë dhe, kur e bëjmë, u kërkojmë t’i pastrojnë duart menjëherë. A është ky një zakon i dobishëm? A duhet t’i ndalojmë fëmijët nga ndjekja e impulsit të tyre natyror për t’u bërë pis? Sigurisht, duke e bërë këtë, ne i mbrojmë ata nga mikrobet/bakteret, por a janë ato vërtet të këqija? Kontakti me bakteret është pjesë e jetës, por ne shpenzojmë shumë kohë me pastrimin. I frikësohemi papastërtisë duke dashur ta mbajmë gjithçka sterile. Ku na çon ky higjienizim i tepërt? E kemi menduar ndonjëherë sa larg kemi shkuar si shoqëri me çështjen e pastërtisë, pa e ditur se po veprojmë gabim? Në trupin tonë, ne kemi dhjetë mikrobe për çdo qelizë. Pra, ne jemi “ferma” bakteriale që ecim dhe bakteret në trupin tonë janë shumë më tepër se “banorë” të heshtur: ata janë pjesë e trashëguar e fiziologjisë sonë.

Lediona Braho, psikologe klinike

Lediona Braho, psikologe klinike

Rrëzimi i “mitit” për mikrobet

Për shumë dekada, i kemi parë mikrobet si të këqija: shkaktare të sëmundjeve, epidemive dhe vdekjes. Për fat të mirë, ia kemi dalë mbanë t’i luftojmë falë përparimeve në mjekësi – antibiotikët dhe vaksinat na kanë ndihmuar të pakësojmë në mënyrë radikale numrin dhe ashpërsinë e infeksioneve që mund të na prekin gjatë jetës. Ndaj, të vdesësh nga një infeksion viral sot është një ngjarje shumë e rrallë, sidomos në perëndim, ku jetëgjatësia është rritur dukshëm, pjesërisht, për shkak të suksesit kundër sëmundjeve infektive. Për fat të keq, ky përparim e ka një çmim. Misioni ynë kundër mikrobeve është shoqëruar me një shpërthim në sëmundjet joinfektive dhe çrregullimet si: diabeti, alergjitë, astma, sëmundja e zorrës së inflamuar, sëmundjet autoimune, obeziteti, kanceri, autizmi, depresioni, ankthi dhe stresi. Përhapja e disa prej këtyre sëmundjeve po dyfishohet çdo 10 vjet dhe ato po fillojnë të shfaqen që në fëmijëri. Studiuesit thonë se, shkak për shtimin e tyre nuk janë vetëm gjenet, pasi gjenet nuk ndryshojnë kaq shpejt. Ato vijnë kryesisht nga ndryshimet në stilin tonë të jetesës: dieta moderne, higjienizimi i tepërt dhe mbipërdorimi i antibiotikëve. Studimet e kohëve të fundit po tregojnë se shfaqja e tyre lidhet edhe me mikrobet. Duke iu referuar disa studimeve për lidhjen e mikrobeve me sistemin tonë imunitar, ka ardhur koha të rishikojmë “mitin” për mikrobet. Kur lindim, ne nuk kemi asnjë mikrob në trup. Shumë shpejt, mikrobet “hyjnë në skenë”, duke e nxitur sistemin imunitar të funksionojë mirë. Pa to, sistemi ynë imunitar nuk mund të luftojë kundër infeksioneve dhe për këtë, nuk mjafton vetëm prania e mikrobeve, por ajo çka ato prodhojnë: molekula që ndërveprojnë me qelizat e indit të stomakut, duke i “trajnuar” ato. Duke u “takuar” me mikrobet, qelizat e sistemit imunitar marrin informacion se çfarë duhet të bëjnë. Më pas, qelizat e stomakut fitojnë aftësinë për t’u transportuar nëpër trup për të bërë “trajnime” të tjera. Pra, ekspozimi ndaj mikrobeve herët në jetë, është i nevojshëm që sistemi ynë imunitar të “trajnohet” në mënyrën e duhur për t’u përballur me sëmundjet. Ironike, apo jo? Pikërisht bakteret na ndihmojnë të qëndrojmë të shëndetshëm! Mikrobiologët kanadezë B. Brett Finlay dhe Marie-Claire Arrieta kanë studiuar prej vitesh komunitetet e mikrobeve që jetojnë në stomakun tonë (mikrobioma) dhe kanë gjetur se ato janë kyçe për shëndetin. Ndërsa mikrobiologu amerikan, Kiran Krishnan na tregon se 97- 99 përqind e mikrobeve janë të dobishme dhe sistemi imunitar ka nevojë për këto baktere të mira, që të kryejë funksionet. Mendojeni sistemin imunitar si një ushtri, me tanke e armë, por pa një general. Ky është roli që luajnë mikrobet. Ato janë gjenerali.

Lidhja e mikrobeve me sistemin imunitar të fëmijëve

Dy vitet e fundit janë kryer disa kërkime shkencore që konfirmojnë rëndësinë e baktereve për shëndetin e fëmijëve. Një kërkim i vitit 2015 ka gjetur se 3-vjeçarët që kishin mikrobe të caktuara në feçet e tyre ishin më të rrezikuar për t’u prekur nga astma më vonë në jetë. Kur te kaviet u futën katër mikrobe, ato u mbrojtën nga astma e krijuar eksperimentalisht, duke treguar se ndryshimet në mikrobet e stomakut mund të çojnë te zhvillimi i sëmundjes. Implikimi praktik i këtij kërkimi është i qartë: shëndeti varet në një masë të madhe nga ruajtja e një komuniteti mikroorganizmash në trupin tonë. Ndaj, ruajtja e një shëndeti të mirë të mikrobeve të stomakut te fëmijët është me rëndësi të veçantë. Një kërkim i kryer në Universitetin Jeil (Yale) gjeti një lidhje mes baktereve të stomakut dhe obezitetit te fëmijët e të rinjtë. Duke analizuar shëndetin e 80 fëmijëve dhe të rinjve me pesha të ndryshme, kërkuesit zbuluan se ata me obezitet, kishin mikrobe të ndryshme të stomakut në krahasim me ata pa obezitet. Studimi tjetër, i kryer nga studiues kanadezë, gjeti se transplantimi i baktereve të stomakut nga dhurues të shëndetshëm, te fëmijët me sëmundjen e zorrës së inflamuar, mund të ndihmojë të luftohen shenjat e saj dhe të përmirësohet shëndeti i sistemit tretës. Nëse rezulton me sukses, transplanti mund të jetë një alternativë ndaj mjekimit dhe/ose operacionit. Një tjetër funksion themelor i mikrobeve është të ndihmojnë në rregullimin e metabolizmit tonë. Ne e marrim energjinë nga ushqimi që tretet dhe përthithet në zorrë. Mikrobet, përveçse na ndihmojnë të tresim ushqime që zorrët nuk mund t’i tresin, prodhojnë edhe përbërës që na ndihmojnë të përcaktojmë si ta përdorim ose ruajmë energjinë në trup. Kërkime të tjera tregojnë se mikrobioma jonë luan rol të rëndësishëm në zhvillimin neurologjik dhe në shëndetin e enëve të gjakut.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top