Posta

October 13, 2017 | 11:44

POSTA/ Fëmijës i ka munguar prania jonë, por tani jemi shumë të shqetësuar…

Vajza ime është 2 vjeç edhe shkon në kopsht. Para 1 jave më thotë drejtoresha e kopshtit bashkë me mësuesen, që vajza ka sjellje të ndryshme nga fëmijët e tjerë dhe nuk luan me ta, vetëm kur do vetë. Më këshilloi ta dërgojmë te një doktor për zvhillimin e fëmijës dhe ashtu vepruam. Ajo 5 qëndroi me vajzën dhe tha që fëmija ka mungesë fjalori, nuk e di si thuhet ndryshe, sepse jetoj jashtë edhe nuk di t’i shpjegoj shumë mirë, më falni. Kemi lënë takim edhe me një psikolog. Si prindër jemi stresuar shumë. Në shtëpi ajo sillet shumë mirë, e kthen kokën kur i flet, ndodh që edhe jo, luan me mbesën.  Më ka mbetur peng, sepse nuk jemi marrë shumë me vajzën, pasi jemi të dy në punë dhe vetëm të dielën pushim, por tani jemi trembur dhe mundohemi t’i kushtojmë më shumë kohë. Jemi shumë të shqetësuar….

Little girl sitting apart - feeling excluded by the others

Nga Adelina Pjetra Psikologe Klinike & Terapiste Emdr

Nga Adelina Pjetra
Psikologe Klinike & Terapiste Emdr

Përshëndetje e nderuar nënë. Fakti që ju kanë sugjeruar ta dërgoni në një psikolog, nuk përkthehet domosdoshmërisht që fëmija juaj ka një problem për të cilin ju duhet të shqetësoheni kaq shumë. Është fat që jetoni në vende perëndimore që ju sugjerojnë të merrni shërbime psikologjike. Vajza juaj mund të jetë një fëmijë i turpshëm ose mund të ketë vështirësi në ndërveprim me të tjerët. Psikologu në këtë rast do të shërbejë që fëmija të forcojë aftësitë e ndërveprimit dhe komunikimit me bashkëmoshatarët dhe të tjerët. Duke e ndihmuar t’i shfaqë emocionet dhe mendimet e saj në momente të tilla që e bëjnë të jetë e tërhequr. Nga përshkrimi që keni bërë ju, nuk shikoj asnjë lloj problematike në zhvillimin e fëmijës. Do ju lutesha të tregoheni e qetë dhe t’i përkushtoni vëmendje çdo ditë fëmijës tuaj. Vërtet ne si prindër punojmë dhe mbingarkohemi që t’u sigurojmë më të mirën fëmijëve tanë. Por s’duhet të harrojmë se e mira më e madhe që mund t’u bëjmë fëmijëve është prezenca jonë në mënyrë cilësore në jetën e tyre. Çfarë do të thotë një kohë cilësore me fëmijën? Një nënë mund të jetë 24 orë në shtëpi me fëmijët e saj, por shumicën e kësaj kohe e marrin detyrat dhe detyrimet e tjera familjare (pastrim, gatim, rregullime në shtëpi etj), dhe të jesh i pranishëm në shtëpi me fëmijët e tu, nuk do të thotë domosdoshmërisht se po kalon kohë me fëmijën. Prania fizike nuk garanton një prezencë cilësore. Një kohë cilësore ( 1-2 orë në ditë ) , është ajo kohë kur nëna/ prindërit , nuk merren me asgjë tjetër rreth tyre , por e gjithë vëmendja dhe kontakti është në mënyrë direkte me fëmijën (lojra, pikturë, këndim, kërcim së bashku). Është pikërisht kjo kohë dhe ky ndërveprim shumë i rëndësishëm që ndihmon shumë në zhvillimin e shëndetshëm psikologjik të fëmijëve. Shpresoj që gjithçka të shkojë mbarë dhe mirë në takimin me psikologen.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top