Në fokus

November 1, 2017 | 7:55

Nga Redina Sulstarova: Divorcet në rritje në Shqipëri, shkaqet mbeten mentaliteti dhe arsimimi

Shkaqet kryesore të zgjidhjes së martesave, kryesisht janë ato ekonomike, dhuna e formave të ndryshme, shpenzimi i të ardhurave të familjes në lojëra fati, konsumimi i pijeve alkoolike nga njëri bashkëshort si dhe emigracioni.

redina-balla

Redina Balla Sulstarova, psikologe klinike, psikologe ligjore dhe Terapiste Emdr

Vitet e fundit është rritur numri i kërkesë-padive që vijnë në gjykatë me objekt “zgjidhje martese”.

Ajo që unë vë re, si psikologe, me përvojë prej afro 11 vitesh në gjykatë është që, vitet e fundit është rritur numri i femrave të cilat marrin vendim për të zgjidhur martesën. Aktualisht mendoj që veçanërisht në Tiranë, divorci shihet si një zgjidhje e mundshme e një marrëdhënieje që ka përfunduar prej kohësh dhe jo si një “detyrim” në funksion të mirëqenies së fëmijëve.

Kur një grua merr vendim për të zgjidhur martesën, ky vendim i saj është pasojë e vuajtjeve dhe përpjekjeve të gjata për të “shpëtuar” një martesë që ose nuk ka ekzistuar ose nuk funksionon prej shumë kohësh.

Do doja të ndalesha te mënyra e njohjes së bashkëshortëve, pasi çuditërisht, shumë bashkëshortë në proces divorci kanë histori të përbashkët të mënyrës se si janë njohur, dhe ndjenja faji se nuk janë treguar të matur dhe racionalë përpara se të merrnin një vendim të rëndësishëm siç është martesa. Ende dhe sot, në disa qytete të mëdha të Shqipërisë vazhdon riti që kur një djalë interesohet për një vajzë, dalin një apo dy herë në kafe dhe më pas ndahet fjala për të kryer fejesën, e cila ka një kohëzgjatje të shkurtër, duke sjellë një martesë të nxituar. Në përgjithësi dhe ata partnerë që janë njohur vetë me bashkëshorten/in e ardhshëm, të cilët nuk i kanë dhënë vetes mundësinë të njihen më mirë me të (bashkëshortin e ardhshëm) kanë tendencë që martesa e tyre të shkojë drejt divorcit. Shumë femra të cilat kanë ardhur nga familje patriarkale, në të cilat është babai që merr çdo vendim, përfshi dhe zgjedhjen e bashkëshortit të vajzës, duke pasur parasysh emrin e familjes dhe rëndësinë e “Mikut” (shkesit) duke mos konsideruar mendimin e vajzës. Këto gra kalojnë një martesë kryesisht të dështuar dhe ndonëse bëjnë gjithë përpjekjet e mundshme që martesa e tyre të funksionojë pasi “Ai është fat i tyre” vjen një moment pas disa vitesh në të cilin kuptojnë se kanë qenë vetëm në funksion të bashkëshortit duke lejuar nënshtrimin e tyre dhe një lloj “përdhunimi” të identitetit të tyre. Janë këto gra të cilat shpesh herë kanë marrë “Urdhra Mbrojtje” nga gjykata për shkak të dhunës së vazhdueshme të ushtruar, por për hir të fëmijëve, apo për shkak se familja e tyre biologjike nuk e pranon dot divorcin vazhdojnë të kapërdijnë fatin që i ka dhënë babai, duke vazhduar një kalvar të gjatë dhe të mundimshëm vuajtjesh. Kur vjen vendimi për të zgjidhur martesën” te kjo kategori grash është një vendim “jete a vdekje”. Në momentin e marrjes së këtij vendimi kaq të vështirë ato e mendojnë si shpëtimin e vetëm të tyre, për të cilin janë gati të sakrifikojnë dhe jetën. Në fakt, në këtë moment ato kanë kuptuar që nuk kanë jetuar deri në atë moment.

divorcet

Nëse do vazhdoja te mënyra e lidhjes së martesës do të përmendja gjithashtu që martesat në të cilat bashkëshorti është emigrant, martesat që vazhdojnë të bëhen në moshë të re (shpeshherë shkak i shtatzënive të paplanifikuara) kanë probabilitet për të përfunduar në divorc apo në një martesë të dhunshme.

E kam theksuar dhe do vazhdoj gjithnjë ta rithem që indikatorë të fortë në funksionimin e martesës dhe shkaqet e dështimit të saj janë familja, mentaliteti dhe arsimimi. Në grua e cila është rritur në një model familjeje patriarkale në të cilën babai ka ushtruar dhunë (një ose më shumë nga llojet e dhunës) e ka brendësuar këtë model, që do të thotë ajo rritet me modelin që mashkulli është dominant. Ende në vitet e sotme fëmijët vajza trajtohen në mënyra të ndryshme. Kjo vajzë e vogël e cila percepton që vëllai i saj është më i rëndësishmi dhe asaj i jepet përgjegjësi që t’i shërbejë të vëllait dhe të jetë në funksion të tij, e bën të sajin modelin e nënës dhe vetes së saj. Të qenit e nënshtruar ndaj figurave mashkullore, ajo e brendëson si një “detyrë” apo si një “mision” të femrës. Stili i jetës që ka bërë në familjen biologjike ka tendencë vazhdimësie, që do të thotë ky bëhet stili i saj i jetës. Flasim shpesh për gra të dhunuara dhe jemi përditë e më shumë dëshmitarë të vrasjes së grave nga bashkëshortët apo ish-bashkëshortët dhe nuk i kushtojmë rëndësi apo të analizojmë shkaqet e nënshtrimit të tyre.

Nëse një grua pavarësisht ne vitin në të cilin jetojmë mendon divorcin si të vetmen zgjidhje, pengesë fillestare ka familjen e saj biologjike, në të cilën divorci është një fenomen i papranueshëm krahasuar kjo me normat shoqërore.

111111

Femrat të cilat kanë migruar drejt vendeve urbane, që janë bërë pjesë e rrymës së zhvillimit dhe ndryshimit të normave të dikurshme kanë tendencë më të lartë të jenë viktima të krimit në familje. Emancipimi te këto femra rikrijon një identitet të ri për veten e tyre. E thënë ndryshe, një tjetër mënyrë sjelljeje e cila bie ndesh me mënyrën me të cilën bashkëshortët e tyre janë mësuar. Gruaja në vetvete për këta meshkuj është personi që duhet të merret me punët e shtëpisë kujdesin ndaj prindërve të burrit dhe rritjen e fëmijëve (që kryesisht te këto lloj familjesh janë më shumë se dy fëmijë). Meshkujt shqiptare janë nën pushtetin e prindërve të tyre edhe pas martesave që do të thotë, ndikohen shumë nga qëndrimet apo perceptimet që sjell mosha e tretë e prindërve të tyre. Vazhdojmë të shohim në ditët e sotme shumë martesa të cilat vijnë të zgjidhen në gjykatë, pas konfliktesh të gjata të grave me vjehrrat apo kunatat e tyre duke pasqyruar një ndikim të thellë të të afërmve të jetën e bashkëshortëve.

Nëse do bënim një analizë të stileve të prindërimit gjatë kohës së komunizmit dhe kohëve aktuale ndryshimet janë shumë të vogla.

Në kohën e komunizmit  kanë qenë nënat që merreshin me fëmijët, si një detyrë e pashkruar, por e mirëpranuar nga e gjithë popullsia. Meshkujt e atëhershëm pas punës që kryesin shpenzonin kohë me fqinjët apo shokët duke i lënë gjithë përgjegjësinë për fëmijët grave dhe nënave të tyre (nënat merreshin gjithnjë si etalon i nënës perfekte që di gjithçka dhe që bashkëshortja e tyre duhet vetëm të mësonte). Kuptohet që preference gjinore e fëmijëve ishte djem duke i trajtuar që në vogëli ndryshe. Në këtë mënyrë këta djem u rritën nga nëna autoritare dhe protektive, të cilat nuk lejuan që ata të shijonin etapat e fëmijërisë dhe zhvillimit të tyre. Këto nëna zhvilluan lidhje patologjike me djemtë e tyre duke mos i lejuar që ata të ndihen të zotë të marrin vendime apo përgjegjësi në jetën e tyre. Këta djem sot bashkëshortë dhe prindër nuk arrijnë dot të vendosin kufijtë pasi në fakt nuk i njohin ata ashtu sikurse nuk munden të marrin përgjegjësi qoftë si bashkëshortë qoftë si baballarë. Këta meshkuj kanë nevojë sërish për figurën e nënës së tyre, të cilës i besojnë çdo gjë dhe pa të cilën e kanë të vështirë të funksionojnë. Të tillë meshkuj kanë tendencë të marrin për bashkëshorte të ngjashmen e nënës së tyre (në mos i kërkojnë nënës gjetjen e gruas).

Faktorët e sipërpërmendur, emancipimi i femrës, sjelljet e saj tashmë të ndryshme nga tabuja e gruas së shtëpisë, tendenca e kalimit nga familje patriarkale në atë moderne (jetesa e burrit, gruas dhe fëmijëve), sjell konfuzion të rolit të mashkullit në mentalitetin e tij të bartur nga familja biologjike. Vlen të theksoj gjithashtu që përdorimi i alkoolit dhe bixhozit janë faktorë me shumë ndikim në dhunën në familje. Emancipimi i gruas përkthehet në ndryshimin e stilit të jetës (ndryshim i mënyrës së veshjes, koha që i kushton vetes, mënyra e komunikimit, të pasurit një jetë sociale, të përdorurit rrjete të ndryshme sociale, kërkesa e saj për t’u arsimuar dhe punësuar), kërkesa e gruas për të jetuar pa prindërit e burrit interpretohet nga ai si mosrespektim ndaj prindërve të tij dhe si një kërkesë absurde që gruaja po i bën për të braktisur prindërit (kjo kërkesë perceptohet si braktisje qoftë nga burri ashtu dhe nga prindërit e tij), kjo gjë ndjell një konflikt nënë-djalë (ndërpritet lidhja e tyre patologjike dhe nëna nuk e kapërdin dot faktin që ka humbur kontrollin mbi të birin). Nga ana tjetër kjo gjë imponon bashkëshortët marrjen e përgjegjësive. Të gjitha këto, veçanërisht emancipimi, përkthehen nga mashkulli si shenja të ekzistencës së një lidhjeje jashtë martesore. Tradhtia është e papranueshme për mashkullin në kontekstin shqiptar, thyhet nderi dhe krenaria burrërore dhe bën që të prishet imazhi i tij te meshkujt e tjerë të së njëjtës përkatësi demografike. Kjo tradhti e supozuar shkakton xhelozi patologjike (xhelozi e pashkak që ndjell agresivitet dhe që është në rritje).

Emancipimi i femrës nuk ka regres, gjë që sjell progres në xhelozinë patologjike të mashkullit (Sindroma Otello). Kjo lloj xhelozie në pjesën më të madhe të rasteve degradon në divorc konfliktual në të cilin fëmijët bëhen “trofe” e një lufte shumë vjeçare ose në vrasje brenda familjes. Duke qenë se divorci është një fenomen ende i papranuar dhe i cili nuk “ndëshkon” apo “vë në vend” egon e thyer të burrit, vrasja e gruas është vrasja e Desdemonës, xhelozia patologjike e Otellos pushoi të ekzistuari vetëm në momentin kur ai vrau shkaktaren e kësaj xhelozie, të dashurën e tij (Desdemonën).

Vrasja gjithashtu interpretohet si “kthim i emrit të njollosur” nga tradhtia e presupozuar e bashkëshortes së tij.

Forca e medias ndikon në masivizimin dhe imitimin e krimeve ligjërisht të ndëshkueshme. Një vrasje e bujshme, e cila mbahet mend gjatë dhe prodhon gjykime negative kryesisht ndaj viktimës duke justifikuar gjendjen apo arsyet se pse agresori e bëri vrasjen (tipike për shoqërinë tonë) ka risk të përsëritet nga persona të cilët e perceptojnë apo identifikojnë veten me burrin që kreu këtë vrasje në emër të hakmarrjes së grave të tyre duke ëndërruar “mitizimin” e tyre për të ashtuquajturën “vënien e drejtësisë në vend”.

divorci-dhe-ndryshimi-i-konceptit

Një kategori tjetër e meshkujve që arrijnë në vrasje është ajo kategori e cila nuk e pranon dot vendimin e bashkëshortes për të zgjidhur martesën. Këta burra nuk e perceptojnë jetën pa gruan e cila ka qenë në funksion të tyre, pronë e perceptuar e tyre dhe as nuk kuptojnë shkaqet që çojnë bashkëshortet në marrjen e këtij vendimi të vështirë. Shpeshherë këta meshkuj humbin gjithë ekuilibrat e funksionimit pasi busulla e tyre (fillimisht nëna dhe më pas gruaja) nuk është më dhe ata nuk dinë të marrin përgjegjësitë e tyre, ata nuk janë lejuar të rriten dhe këtë vendim ata e shohin si mbarimin e ekzistencës së tyre.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top