Posta

August 30, 2017 | 9:07

POSTA / Kam debate me bashkëshortin

Përshëndetje! Do doja shumë mendimin e një psikologeje. Jam një vajzë 25 vjeçe, e martuar. Kam dhe një vajzë 3 vjeç. Jetoj jashtë, në gjendje të mirë, por ka ca kohë që me burrin vetëm grindemi. Kemi blerë një shtëpi e po e rregullojmë mirë, por s’na mjaftuan lekët që kishim bërë si llogari që mund të na duheshin e tani ai vetëm bërtet. Unë mundohem ta qetësoj, por nuk i pëlqen asnjë fjalë që i them. Kam një vit që s’po vij as të shoh prindërit në Shqipëri për këtë gjë dhe jam pak e mërzitur e për rrjedhojë acarohem shpejt. Jam vajzë e vetme dhe këtë gjë ndihem në faj, që s’po i shoh dot prindërit.

Ai s’është fare tip i ëmbël, nuk më ndihmon për asgjë. Po ju marr një rast: sa herë ulemi për të ngrënë në tavolinë, unë mbaroj e para se më duhet të merrem me vajzën. Ai edhe pse mbaron bukë, e lë çdo enë aty dhe nuk më ndihmon as për të ngritur pjatën e vet. Çdo gjë duhet ta bëj vetë, se unë s’po punoj këto kohë e nuk sjell të ardhura në shtëpi. Për këtë gjë, mënyrë sesi ai më vlerëson më bën të mërzitem edhe për gjënë më të vogël. S’e duroj dot të grindemi dhe ai asnjëherë s’bën vaki të më mirëkuptojë se edhe unë jam e mërzitur, por direkt më bërtet e ulëret. Nuk po e duroj dot fare, nuk dua as ta shoh madje. S’di ç’të bëj, por dhe familjen s’dua ta shkatërroj, dua ta mbroj deri në fund. Ju lutem, më jepni një këshillë sesi duhet të veproj.

 

Përgjigje:

Adelina Pjetra Psikologe Klinike, Terapiste EDRM

Adelina Pjetra
Psikologe Klinike, Terapiste EDRM

Mendoj që rrjedha e jetës dhe vështirësia ekonomike në këto momente ka bërë që ju të humbisni komunikimin me njëri-tjetrin. Dhe meqënëse të dy jeni të mërzitur, nuk arrini të shihni problemet e tjetrit, por jeni fokusuar vetëm te vetja. Ju me të drejtë keni mall për prindërit, por mendoj që nuk po e merrni në konsideratë se tani mund të jeni pak ngushtë ekonomikisht. Ndërkohë yt shoq është i vetmi që punon, dhe tani mund t’i duket si shpenzim i tepërt. Gjithashtu jeni edhe në borxhe. Kjo sjell edhe më tepër shqetësim dhe çdo shpenzim ekstra do sillte konflikt mes ju të dyve. Mos harroni që bashkëshorti juaj mund të ketë frikë edhe nga e ardhmja, si i vetmi person që sjell të ardhura në shtëpi. Nëse deri dje ndihej më i sigurtë, sot ai mund të jetë i mbingarkuar me përgjegjësi për shpenzimet e pallogaritura dhe për sigurinë e punës dhe përballimit të shpenzimeve të përditshme në familje. Ndërkohë edhe ju po kontribuoni me punën tuaj duke përmbushur detyrat në shtëpi. Edhe pse kjo punë nuk të jep një rrogë në dorë, ka një vlerë të tillë që asnjë pagesë nuk do ta shpërblente.

Ajo çfarë unë po kuptoj nga shkrimi juaj, duket si një mënyrë e gabuar për të shfryrë stresin, duke sulmuar njëri-tjetrin dhe duke u lënduar gjithashtu. Do ju sugjeroja të fillonit të bashkëbisedonit për situatën në të cilën gjendeni sot, dhe të ofroni mbështetje, duke kuptuar nevojat dhe dëshirat e secilit nga ju, për të arritur që të merrni vendime të përbashkëta dhe të favorshme. Mbi shembullin e tavolinës që keni cituar më lart, do doja të dija nëse kjo është një sjellje që bashkëshorti juaj e bën vetëm kohët e fundit apo gjithmonë ka qenë e tillë? Nëse kështu ka vepruar gjithmonë, por ju e shikoni këtë gjest vetëm kohët e fundit, mos vallë po kërkoni një pretekst për t’u grindur ?

Si mund të shpëtoni martesën? Mos sulmoni, por dëgjoni dhe kuptoni situatën në të cilën jeni. Mbase edhe bashkëshorti juaj ka diçka për t’ju thënë. Jeta është sfidë, ju duhet të mësoni të jeni të bashkuar dhe të kapërceni me qetësi gjithçka çfarë do ju duhet të përballoni.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top