Jam një vajzë nga një qytet jugor i Shqipërisë. Prindërit i kam të divorcuar dhe jam rritur me mamin. Babin nuk e kam pasur pranë, vetëm më ka ndihmuar nga ana ekonomike, kur ka dashur ai vetë. Jam shkolluar në Tiranë dhe kam jetuar në konvikt, ndërkohë që babai ka shtëpi në Tiranë dhe nuk më ka thënë asnjëherë që të rri tek ai. Unë asnjëherë nuk ia kam kërkuar. Ai është i martuar dhe thotë që nuk do gruaja. Për fat të keq, mami më kë ndërruar jetë para pak muajsh dhe përsëri im atë nuk më erdhi atë ditë që ndodhi fatkeqësia. Dhe kur i kam thënë të vij të jetoj tek ty, më ka nxjerrë justifikim gruan. Si mendoni, çfarë qëndrimi duhet të mbaj ndaj tij, se baba nuk mund ta quaj më, a duhet t’i flas me gojë?
Nga Denada TOÇE, psikologe këshillimi
E dashur lexuese! Kjo është një nga letrat më prekëse që kam marrë. E marrë me mend se si duhet të ndjeheni, kur kuptoni se babai juaj nuk është treguar i përgjegjshëm ndaj jush, dhe mbi të gjitha, i kujdesshëm për të treguar afeksionin dhe dashurinë që ka për ju, sidomos nëpërmjet veprimeve të tij. Ndërkohë, nuk i njoh kushtet që e detyrojnë apo e shtyjnë një baba të marrë një vendim për të mos qenë pjesë e lamtumirës së fundit të ish-gruas së tij dhe nënës së fëmijës së tij, por t’ju mbështes ju, edhe pse minimalisht. Mendoj se edhe ju vetë e keni kuptuar tashmë se jeta juaj është e krijuar dhe e ndërtuar prej jush, me shumë kurajë dhe forcë.
Duhet të jeni krenare për veten tuaj. Edhe pse nëna juaj nuk është më në këtë jetë. Jam e sigurtë se do të ishte shumë krenare për vajzën që jeni bërë. Një gjë është e sigurtë, që ju e dini tashmë se sa shumë nevojë për dashuri dhe mbështetje ka nevojë një fëmijë. Ju do të gjeni një mënyrë për ta dhënë atë me fëmijët tuaj dhe për të ndërtuar një jetë me këto parime. Edhe pse komunikimi mbi atë se si ndjeheni dhe çfarë prisnit prej babait tuaj, do të duhet të bëhet nëpërmjet një takimi të drejtpërdrejtë, sërish mendoj se tashmë jeta ju ka rritur dhe ju ka bërë të jeni e pavarur nga babai juaj.
Sigurisht, ai është dhe do të mbetet pjesë përbërëse e jetës suaj, por në asnjë rast nuk do të përfaqësoj thelbin tuaj. Mendoj se edhe komunikimi me të do të duhet të dëshmojë se ai është familjari juaj, dhe për këtë nuk zgjedh as ai dhe as ju, por ju mund të zgjidhni nëse marrëdhënien midis njëri-tjetrin ta keni të shëndetshme ose jo. Nëse do të vazhdoni të jeni pjesë e historisë familjare ose jo. Mund t’i komunikoni se ju jeni aty për të nëse ai do të ketë nevojë. Kështu ju tregoni qëndrimin tuaj, ndërkohë babai juaj zgjedh të tregojë qëndrimin e tij. Uroj të shkojë sa më qetësisht dhe lumturisht jeta juaj!
Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 169
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.