FB

October 17, 2022 | 9:35

Posta nga Denada TOÇE / Partneri im nuk është gati të bëhet baba!

Përshëndetje! Problemi im është shumë i ngjashëm me shumë gra të tjera që kam parë, por kam nevojë të flas me dikë, për të marrë disa këshilla pasi të dëgjoni historinë time. Një dëshirë shumë e fortë për të pasur një fëmijë lindi tek unë për një vit apo më shumë, gjë që nuk ka ndodhur kurrë më parë. Bisedova për këtë me partnerin tim, i cili tha se ishte dakord, por në të ardhmen nuk rezultoi kështu. Problemi është se ende nuk ndihet gati. Ai thotë se ende nuk mund ta shohë veten si baba. Frika ime më e madhe është pavarësisht se jam e re, të pres shumë gjatë dhe të mos mund të ketë më fëmijë, duke pasur parasysh përvojën e motrës sime e cila për shkak të një tumori, mitra e saj u hoq. Kam frikë, dhe frika edhe më e madhe është të fajësoj partnerin tim për të. Si mund të veproj? Si mund ta vendos shpirtin tim në paqe? Si mund të ndaloj së menduari për këtë situatë?

Nga Denada TOÇE, psikologe këshillimi 

E dashur lexuese, nuk është e lehtë të marrësh një vendim në situata si këto, dhe ju kuptoj plotësisht. Një grua, fiziologjikisht është pak më herët e përgatitur për t’u bërë nënë. Prej moshës 20-25 vjeç trupi i një gruaje është në gjendjen më të mirë optimale për të pasur një fëmijë, por fatmirësisht, gratë përjetojnë një maturim dhe një pjekje psikologjike dhe emocionale në një moshë më të rritur, dhe mosha për të patur fëmijë është rritur. Gratë janë më të pavarura, më të arritura psikoemocionalisht dhe mund të bëjnë dhe rrisin fëmijët e tyre shumë herë më mirë pas të 30-tave (thonë studimet).E kuptoj plotësisht dëshirën tuaj, por nëse ju keni një partner të cilin e doni dhe keni vendosur të kaloni jetën bashkë, është shumë e rëndësishme të sinkronizoheni me dëshirat dhe mundësitë tuaja.

Vlerësoni sinqeritetin e partnerit në këtë rast që ju shprehet se nuk mendon se është ende gati. Jepini kohën që i nevojitet edhe atij edhe vetes suaj për të ndërmarrë vendime të pasforcuara. Sëmundja e motrës suaj nuk është e thënë të jetë edhe jeta juaj, edhe pse ajo mund të shkaktojë ankth. Ju do të duhet të jetoni jetën tuaj sikur asnjë gjë të mos ndodhë, sepse nëse do të mendonit me SIKUR, atëherë do të përfundonit që nuk do të bënit ndonjë gjë të madhe në jetë. Nëse jeni ende e re, dhe mendoni se mund t’i lejoni vetes pritje, bashkojuni pritjes dhe merrni një vendim më të ftohtë, se çfarë do të bëni më pas me partnerin tuaj në të ardhmen. Por tani, është ende herët. Jepini kohën që i nevojitet partnerit, bëni durim. Prisni deri sa të mundeni të keni një përgjigje më të qartë. Të kuptoni më mirë sjelljet dhe veprimet e partnerit. Fatmirësisht, që të bëhet një fëmijë, do të duhet të jenë të dy partnerët në sinkron. Mbi të gjitha, të dy partnerët do të duhet të jenë të sigurtë dhe të gatshëm për t’i ardhur në ndihmë fëmijës dhe zhvillimit të tij. Mendoni sa e trishtë është të sjellësh një fëmijë në jetë, vetëm se e DO ta kesh. Kjo nuk mjafton, mbi të gjitha do të duhet të jesh gati për ta pasur, rritur dhe zhvilluar. Dhe këtu, nevojiten që të dy prindërit të jenë në sinkron dhe gati.

 

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 173

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top