Nuk dua të flas shumë për marrëdhënien time, por dua të di: a funksionon një martesë mes një vajze dhe një djali, kur ky i fundit është dhjetë vite më i vogël? Por ama, dashuria është e madhe. A mund të bëhen paragjykimet pengesë?
Përshëndetje. Ndjenjat dhe dashuria nuk janë ngahera llogari matematikore, në këtë rast, moshore. Është e vështirë të përshtatesh me mentalitetin apo faktorët kulturorë në lidhje me marrëdhënien dhe martesën, por unë mendoj se ndjenjat, dashuria janë të rëndësishme për njeriun, nevojë e cila zgjat gjithë jetën dhe nuk njeh moshë. Nuk ka lumturi më të madhe për një njeri se të jetë i dashuruar dhe ta dashurojnë. Kjo ka rëndësi.
Nëse ju të dy duheni dhe keni bindjen se mendimet e të tjerëve nuk e vështirësojnë jetën tuaj, atëherë pse të mos jetë e mundur. Në radhë të parë, do të duhet të gjykoni se si do të ndjeheni ju me njëri-tjetrin në këtë raport. Kjo është më e rëndësishme. Një mënyrë e mirë për ta testuar është që të ndani bashkëjetesën tuaj.
Kështu do të mund të kuptoni më shumë rreth vetes suaj, rreth marrëdhënies dhe pse jo, diferencave mes njëri-tjetrit, dhe jo domosdoshmërish moshës suaj. Mendojeni kështu, presidenti aktual francez është i martuar me një grua shumë vite më të madhe se ai. Uroj të jeni të lumtur!
Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 131
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.