Posta

March 18, 2020 | 8:10

Posta nga Denata Toçe / Burri më vë dorë

Jam 22 vjeçe dhe jam në shtatzëninë e parë. Kam 5 muaj e martuar. Kur erdha në Greqi menduam që të jetonim me dy vëllezërit e burrit. Problemi është se për çdo gjë, vëllezërit e tij ndërhyjnë vend e pa vend në bisedat tona. I gjithë sherri vjen për gatimet që bëj. Ata do gjejnë sebep dhe do të thonë diçka kundër meje dhe burri më vë dorë mua. Edhe tani që mori vesh që jam shtatzënë ma ka bërë trupin me shenja. Nuk dal dot jashtë nga turpi. Vëllezërit i ka beqarë. Unë nuk mund të jetoj më me këta lloj njerëzish, sepse kam frikë mos i ndodh gjë fëmijës, prandaj dua një përgjigje.

Nga Denata Toçe Psikologe Këshillimi

Nga Denata Toçe
Psikologe Këshillimi

Historia juaj më trondit. Jam në merak për ju. Jeni vetëm 22 vjeçe dhe jeta juaj është në rrezik. Është e rëndësishme mbi të gjitha të ndërmerrni vendime ligjore në raport me këtë situatë. Askush nuk ka të drejtë të ushtrojë dhunë mbi ju dhe, mbi të gjitha, tashmë që prisni një fëmijë. Sigurisht që dëmtimet mund të jenë shumë serioze nëse vazhdoni të qëndroni në këtë ambient.

Me apo pa vëllezërit e burrit, ky i fundit është një person i dhunshëm, që në çfarëdolloj kushtesh, qofshin këto edhe “komode”, reagime të kësaj natyre nuk kanë prirje të ndryshojnë. Gati përherë do të ketë një justifikim për të ushtruar dhunë mbi ju.

Ka strehëza për gratë e dhunuara, të cilat mund t’i kërkoni edhe në internet aty ku jeni, ose një mënyrë tjetër është të ktheheni pranë familjes biologjike. Këto janë alternativa, të cilat ju duhet t’i konsideroni me prioritet, por kurrsesi nuk jam unë ajo që mund të marrë vendim në vendin tuaj, pasi ju i njihni më mirë elementët e stilit të jetesës suaj aktuale.

Dua vetëm t’ju kujtoj dhe veprimet të cilat çojnë në mosreagimin tuaj ndaj dhunës, çojnë në përsëritje të kësaj të fundit. Tremujorët e shtatzënisë janë delikatë në të gjitha fazat e tyre, ndaj ndërmerrni hapa që do të sigurojnë më të mirën për ju dhe bebin tuaj të ardhshëm.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top