Posta

September 28, 2018 | 12:14

POSTA nga Denata Toçe / Fëmija bërtet, si ta qetësoj?

Përshëndetje, e nderuar psikologe. Ajo që më shtyn t’ju shkruaj, ka të bëjë me një hall me fëmijën tim 19 muajsh. Në fillim ka qenë i qetë ndërsa tani ka nisur me të bërtitura. Nuk lë askënd ta prekë apo ta shohë. Nis e bërtet për çdo gjë. Fëmijën e mbaj vetë në shtëpi. Nuk e kam çuar në çerdhe. Ju lutem, çfarë mënyre të përdor për ta qetësuar?

Nga Denata Toçe Psikologe Këshillimi

Nga Denata Toçe
Psikologe Këshillimi

Përshëndetje. Faleminderit shumë që keni shkruar. Zakonisht, një nga arsyet përse fëmijët në një moshë kaq të vogël fillojnë të bërtasin, është sepse kërkojnë të komunikojnë. Fëmijët komunikojnë që herët nëpërmjet të qarave, më pas i zëvendësojnë ato me anë të komunikimit. Gjestet janë treguesit e parë të komunikimit: të treguarit me gisht për të kërkuar ose për të treguar, nëpërmjet ndryshimeve emocionale, të fytyrës, etj. Pra, është një gjuhë joverbale prezente dhe më pas e shoqëruar me një gjuhë verbale, vokale. Jo të gjithë fëmijët arrijnë të zhvillohen njësoj.

Madje, truri ynë është i përgatitur të ketë një gjuhë të kuptuar më herët se një gjuhë vokale. Në këtë rast, rreth moshës 2 vjeç fëmijët kanë një frustrim, shtrëngim emocional që i çon edhe në shpërthim zemërimi, kur të rriturit nuk arrijnë t’i kuptojnë ngahera. Për t’i ardhur në ndihmë, prindërit plotësojnë nevojat e tyre sa herë që ata qajnë dhe kur kjo vazhdon për një kohë të gjatë dhe për shumë situata, fëmija mëson të komunikojë nëpërmjet qarjeve dhe grindjeve dhe jo nëpërmjet fjalëve apo gjesteve. Ky mund të jetë rasti i zemërimit dhe frustrimit të djalit tuaj.

Në këtë rast nxiteni që të tregojë se çfarë do, në vend që t’i jepni menjëherë atë që kërkon. Por përpara se të veproni me këto udhëzime që ju kam përshkruar, ju lutem të shikoni me prioritet vizitën pranë një specialisti për të kuptuar apo përjashtuar vështirësinë që mund të ketë fëmija.

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 131

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top