Posta

May 23, 2018 | 13:00

POSTA nga Denata Toçe / Im bir ka ndryshuar shumë

Përshëndetje. Jam një 35-vjeçare e martuar me dy fëmijë. Djali i madh është 16 vjeç. Jam e shqetësuar shumë, për arsye se ka lënë mësimet, edhe pse ishte nxënës me të gjitha dhjeta. Tashmë nuk më dëgjon për asgjë. Kur i flas më kthen përgjigje, që janë shumë të pazakonta për një nënë, me fjalë të ndyra. Ndihem e shkatërruar! Unë mendoj se në sjelljen e tij ka ndikuar im shoq, i cili sillet keq me mua, komandant për çdo gjë timen. Nuk më lë të punoj kurrë. As të vishem e të kujdesem për pamjen time, as të dal me ndonjë shoqe apo të afërme. Tani dhe fëmijët nuk dalin me mua, për arsye se e dinë që babai i tyre nuk e ka qejf këtë gjë. Ju lutem më ndihmoni me ndonjë këshillë! Ndihem shumë keq. Fëmijët po i rris më shumë vet, sepse ai është më shumë jashtë Shqipërisë. Dhe me shpenzimet mezi ia dal. Më çon lekë me racion, edhe pse fëmijët janë rritur e kanë më shumë shpenzime. Nuk di çfarë të bëj, nuk po mundem ta duroj më këtë gjendje.

Nga Denata Toçe Psikologe Këshillimi

Nga Denata Toçe
Psikologe Këshillimi

E dashur lexuese.

Marrëdhënia juaj duket delikate. Kërkon një vëmendje më të madhe pranë një profesionisti, pasi do të duhet të kujdeseni si fillim për veten tuaj, për nevojat dhe pritshmëritë që keni. Realiteti ju përball çdo ditë me vështirësitë e jetës familjare, për të cilat do të duhen që të dy prindërit të bashkëpunojnë.

Nëse ju dëshmoni se jeni e vetme në këtë rrugëtim, dhe jo vetëm kaq, por e diktuar se çfarë duhet të bëni, si të silleni, çfarë të zgjidhni dhe mbi të gjitha nuk ju respektojnë as në prani të fëmijëve, atëherë do të duhet të merrni në shqyrtim marrëdhënien tuaj bashkëshortore.

Zgjidhja më e thjeshtë është të qëndroni në zonën e rehatisë, por sikurse e shihni edhe ju, “rehatia” e krijuar, duke mos ndërmarrë hapin e nevojshëm ka ndikuar edhe te fëmijët. Djali juaj adoleshent, është në procesin më delikat të formimit të identitetit të tij social dhe personal. Tashmë, modelet të cilat ai i sheh përditë, janë të përkthyera dhe të përftuara në jetën vetjake, si një mekanizëm funksionimi social.

Vlerat mbi jetën e familjes dhe gruas, janë sjellë në formatin e mungesës së respektit. Kjo nuk e bën atë aspak dinjitoz, por nga ana tjetër do të duhet që ky model të përmbyset, të thyhet. Këtë e keni në dorë ju. Jam e sigurt që do të merrni vendimet e duhura.

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 125

To Top

Powered by themekiller.com anime4online.com animextoon.com apk4phone.com tengag.com moviekillers.com