Posta

March 17, 2020 | 8:10

Posta nga Denata Toçe / Ish i dashuri më kontakton

Ish i dashuri ka disa kohë që më shkruan në FB, pa pasur asnjë lloj prapaskene. Jemi ndarë si miq dhe në mirëkuptim, për më tepër, nuk ka asnjë lloj ndjenje mes nesh. Problemi është se unë jam e fejuar dhe nuk dëshiroj t’i marr leje të fejuarit tim për t’iu përgjigjur kërkesës së ish-it, duke qenë se është një vendim i imi. Mirëpo, ndiej se duhet t’ia them. Kam frikë se mos ndoshta e kthej në një çështje më të rëndësishme nga sa është.

Nga Denata Toçe Psikologe Këshillimi

Nga Denata Toçe
Psikologe Këshillimi

Është e një rëndësie akoma më të madhe që të mund të tregoheni e sinqertë me ndjenjat, mendimet dhe veprimet tuaja. Shumë prej nesh, në vitet e para të jetës me partnerët e tyre, “shesin” nga vetja elementë të karakterit që nuk i kanë, për të ngjarë më bukur, më interesantë. I “shesin” partnerit apo partneres “perfekten” që nuk ekziston. Gjithashtu, ne ndonjëherë duam të “blejmë” nga partnerët atë që në të vërtetë nuk është reale. Është njësoj si një varëse e rreme që mban në qafë. Duket bukur, por nuk ka vlerë për një kohë të gjatë.

Jepini kuptim lidhjes suaj, duke i dhënë kuptim vetvetes, ashtu sikurse ju jeni, me gjërat që ju pëlqejnë ose jo. Tregohuni e sinqertë se çfarë marrëdhëniesh keni me të tjerët dhe sa të rëndësishme janë marrëdhëniet e mira, të shkuara apo të tashme për ju. Tregoni vlerën e vërtetë të gjërave pa dëmtuar njeri dhe mbani qëndrime të përputhura me besimet tuaja, duke mos mohuar asnjë çast dashurinë që mund të keni për partnerin. Askush nga ne le të mos shkelë mbi integritetin e tij, për të ruajtur një marrëdhënie, sidomos për gjëra, vlera e të cilave është e diskutueshme.

Ju tashmë me veprimin tuaj keni treguar zgjedhjen. Të tjerat lërjani partnerin tuaj të vendosë dhe mos kini frikë nga e vërteta. Nëse reagimet e partnerit janë ekstreme dhe jo të përshtatshme me pritshmëritë tuaja për personin që doni të keni në krah, atëherë ju do të dini të ndërmerrni vendimet e duhura në momentin e duhur. Mos harroni të ndërtoni një marrëdhënie me bazë sinqeritetin dhe komunikimin.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top